Ndërlidhjet

Trump do të takonte Rohanin pa kushte


Trump dhe Rouhani
Trump dhe Rouhani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është i gatshëm të takojë presidentin e Iranit, Hassan Rohani, “pa parakushte”, për të diskutuar mënyrat për përmirësimin e lidhjeve midis dy vendeve.

“Do të takoja secilin. Unë besoj në takime”, tha Trump në një konferencë për media në Uashington.

“Unë besoj në bisedime me njerëzit e tjerë, sidomos kur flitet për potencialet e luftës dhe vdekjes, urisë dhe shumë gjërave të tjera”, tha presidenti amerikan.

I pyetur nëse do të kishte kushte për takimin, Trump tha “jo”. “Nëse duan të takohen, do t’i takoj kur të duan. Do të ishte mirë për vendin, mirë për ta, mirë për ne dhe mirë për botën”, tha Trump.

Udhëheqësit iranianë nuk e refuzuan menjëherë ofertën e Trumpit, ashtu siç kanë bërë me një sugjerim të mëhershëm të tij, për negocimin e një marrëveshjeje të re bërthamore, e cila do të zëvendësonte paktin e vitit 2015, nga i cili Trump është tërhequr në muajn maj.

Një këshilltar i lartë i Rohanit, Hamid Aboutalebi, tha se një mënyrë për të rihapur bisedimet është rikthimi i SHBA-së në marrëveshjen bërthamore.

Aboutalebi tha se SHBA duhet të respektojë edhe të drejtat e popullit iranian dhe të zvogëlojë armiqësitë.

Trump, në javët e fundit, ka sugjeruar vazhdimisht negociata të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Teheranit, edhe kur ka shkëmbyer kërcënime me udhëheqësit iranianë.

“Jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje të vërtetë, jo marrëveshje siç e ka bërë administrata e mëparshme, që ka qenë një katastrofë”, ka thënë Trump javën e kaluar.

Asnjë president amerikan nuk është takuar me një udhëheqës iranian qysh para revolucionit të Iranit, më 1979, i cili ka rrëzuar shahun, aleat i SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë, edhe pas ofertës së Trumpit, se presidenti nuk po i braktis kërkesat e SHBA-së për ndryshime të mëdha në Iran.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime për t’iu dhënë fund sanksioneve, për të rivendosur marrëdhënie të plota diplomatike dhe tregtare, për t’i lejuar Iranit të ketë teknologji të përparuar dhe për të mbështetur riintegrimin e ekonomisë iraniane në sistemin eonomik ndërkombëtar”, tha Garrett Marquis, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Megjithatë, ky lehtësim është i mundur vetëm nëse ka ndryshime të prekshme dhe të qëndrueshme të politikave në Iran. Deri atëherë, goditja e sanksioneve do të ashpërsohet, nëse regjimi nuk e ndryshon drejtimin”, tha Marquis.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i tha televizionit CNBC se “presidenti dëshiron të takohet me njerëz për të zgjidhur problemet”.

“Nëse iranianët dëshmojnë se janë të angazhuar për të bërë ndryshime thelbësre në mënyrën se si i trajtojnë njerëzit e tyre, nëse e reduktojnë sjelljen keqdashëse, nëse pajtohen se është e vlefshme për të hyrë në një marrëveshje bërthamore që në fakt e parandalon përhapjen, atëherë presidenti është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me ta”, tha Pompeo.

Sanksionet e SHBA-së kanë bërë që ekonomia e Iranit të dobësohet dhe vlera e monedhës së tij kombëtare të bie. Rënia e shpejtë e rialit ka shkaktuar protesta në Teheran, muajin e kaluar.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG