Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se Irani e ka paraqitur në mënyrë të pasaktë statusin dhe përmbajtjen e bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit, duke theksuar se hollësitë që thuhet se janë publikuar në media “nuk kanë asnjë lidhje” me kushtet për të cilat palët janë pajtuar me shkrim.
Në një postim në Truth Social, Trump i akuzoi zyrtarët iranianë se po veprojnë në mënyrë të pasinqertë dhe i përshkroi ata si partnerë negociues “shumë të pandershëm”.
Ai gjithashtu dënoi atë që e cilësoi si sulm iranian me dronë ndaj anijeve indiane që po largoheshin nga Ngushtica e Hormuzit një natë më parë, duke thënë se sulmi ishte zmbrapsur dhe ishte “plotësisht i papranueshëm”.
Trump paralajmëroi Teheranin “të sillet mirë, menjëherë”.
Një ditë më parë, Trump njoftoi se ishte arritur një “marrëveshje e shkëlqyer” për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin dhe se një memorandum mirëkuptimi mund të nënshkruhet qysh këtë fundjavë në Evropë.
Trump tha se marrëveshja do t’ia ndalonte përgjithmonë Iranit zhvillimin e armëve bërthamore, dhe se mund të cojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, zyrtarët iranianë e kanë minimizuar mundësinë e një marrëveshjeje përfundimtare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha se çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura dhe akuzoi Uashingtonin se po ndryshon vazhdimisht qëndrimin e tij.
Teherani dhe Uashingtoni janë përfshirë në negociata që prej 8 prillit, kur një armëpushim i dha fund fushatës së bombardimeve amerikano-izraelite kundër Iranit që kishin nisur më 28 shkurt.
Disa çështje të ndërlikuara e kanë penguar arritjen e një marrëveshjeje, përfshirë fatin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar, luftën e vazhdueshme të Izraelit kundër Hezbollahut në Liban dhe kërkesën e Teheranit që Uashingtoni të lirojë fondet iraniane të ngrira jashtë vendit.