Teksa konflikti në Iran po hyn në muajin e katërt, bota po shikon nëse Uashingtoni dhe Teherani do të pranojnë një marrëveshje të përkohshme apo do të rrezikojnë një konfrontim më të thellë në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, pritjet për përparim nuk janë të sigurta. Pavarësisht diskutimeve për një armëpushim të mundshëm 60-ditor dhe ringjallje të diplomacisë, ende ka mospajtime kyç për sanksionet,programin bërthamor të Iranit dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me Tina Fordham, themeluese e Fordham Global Foresight dhe eksperte gjeopolitike, mbi negociaatat, vlerësimin e tregjeve për bisedimet dhe pasojat më të gjera gjeopolitike të këtij ngërçi.
Radio Evropa e Lirë: Këtu në Uashington të gjithë po presin lajme nga Shtëpia e Bardhë. A po shohim bisedime të paqes apo këto janë negociata lidhur me kushtet e një ngërçi strategjik?
Tina Fordham: Në punën time si këshilltare për gjeostrategji për investitorë dhe drejtues të lartë ka pasur shumë optimizëm për një zgjidhje të shpejtë, dhe kjo lidhet kryesisht me komentet e [presidentit amerikan Donald] Trump në Truth Social, ku ai tha se një marrëveshje do të arrihet së shpejti. Por, nga këndvështrimi im, të dy palët janë në të vërtetë mjaft larg njëra-tjetrës.
Sipas meje, ajo që është inkurajuese është se as Irani dhe as SHBA-ja nuk duken se duan ta përshkallëzojnë konfliktin nga këtu, kështu që kjo pa dyshim është një gjë pozitive nga perspektiva e sigurisë dhe mbrojtjes. Por, Irani ende po e kontrollon dhe po e monetizon Ngushticën e Hormuzit, dhe mendoj se pjesëmarrësit e tregut po e mbivlerësojnë sa shpejt mund të zgjidhet kjo dhe ndoshta se Trump po mërzitet.
Radio Evropa e Lirë: A po bëhet kjo situatë më pak e lidhur me lëshime dhe më shumë se kush i mbyllë sytë i pari?
Tina Fordham: Epo, në negociata palët po tentojnë të vlerësojnë se cilat janë pikat e dobëta dhe perspektivën e palës tjetër. Në këtë drejtim, Irani ka 47 vjet përvojë si një negociator i fortë që gjithmonë ka qenë i mirë për të bllokuar procesin dhe për të përfituar kohë. Ata, besoj me të drejtë, po llogarisin në idenë që Trumpi, para zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen në SHBA në nëntor, i duhet më shpejt që të arrijë një marrëveshje sesa u duhet atyre.
Radio Evropa e Lirë: Të dyja palët pretendojnë se kanë leva ndikimi. Nëse asnjëra palë nuk mund të largohet, kush po negocion nga pozicioni i forcës?
Tina Fordham: Këtu mund të quhet llogaritje gjeostrategjike. Nëse mendojmë për rastin e pushtimit rus të Ukrainës, mendimi i përgjithshëm në ditët e para të konfliktit ishte se Rusia, me superioritet ushtarak, do të ishte në gjendje ta përballonte shumë shpejtë pushtimin e Ukrainës.
Po ashtu, ushtria amerikane padyshim është më e madhja në botë dhe e pajisura më së miri dhe Irani ka qenë nën sanksione për dekada të tëra. Megjithatë, ne jemi në këtë ngërç diplomatik. Historikisht, nuk është shumë e suksesshme të përdorsh fuqinë ajrore për të rrëzuar një regjim, veçmas një regjim të rrënjosur sikurse ai në Iran i cili jo vetëm që ka aparat zyrtar ushtarak, por edhe jozyrtar, forcat Basij dhe të tjerë.
E përmenda sjelljen e tregjeve financiare sepse nëse tregjet financiare shfaqin më shumë shqetësim dhe çmimet e naftës rriten edhe më shumë, kjo do të ishte një mënyrë tjetër për të detyruar mbajtjen e negociatave. Kjo do të nënkuptonte që Shtëpia e Bardhë do të ishte më e prirë, ndoshta, për të bërë lëshime.
SHBA-ja, në retorikë, vazhdon t’u përmbahet vijave të saj të kuqe maksimaliste, sa i përket dorëzimit të rezervave të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, vendndodhjen e të cilave Irani nuk e ka bërë publike, si dhe vendosjes së një moratoriumi për zhvillimin e mëtejshëm të programit bërthamor të Iranit, diçka që regjimi e ka kundërshtuar që nga fillimi.
Por, ka një ndryshim në tonin e SHBA-së: në fillim, presidenti Trump fliste për kapitullim. Tani ai nuk po flet aq shumë për këtë. Ajo që unë nxjerr si përfundim, dhe që sugjerojnë edhe raportimet, është se shtetet e Gjirit, megjithëse Irani ka qenë problem për to dhe madje i ka sulmuar, mund të mos jenë të gatshme të intensifikojnë operacionet ushtarake në një nivel të mjaftueshëm për ta rrëzuar këtë regjim.
Në njëfarë mënyre kemi një ngërç. Por, një nga gjërat që kam argumentuar është se Irani, megjithëse shumë më i dobët se Shtetet e Bashkuara sipas çdo matësi, tani ka disa burime të reja force dhe mendoj se nuk ka gjasa të heqë dorë prej tyre.
Konkretisht, ai jo vetëm që kontrollon Ngushticën e Hormuzit, por po përfiton financiarisht prej saj, me vlerësime që flasin për 1 deri në 2 milionë dollarë në ditë që i paguhen në kriptovaluta. Ata kanë fituar një burim të ri ndikimi, që mund të argumentohet se është edhe më i rëndësishëm sesa programi i tyre bërthamor. Programi bërthamor lidhet me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore – një çështje madhore në aspektin gjeopolitik dhe një skenar që njerëzimi shpreson të mos ndodhë kurrë. Por, ky ‘buton’ i ri që ata mund të shtypin po rezulton mjaft i dobishëm.
Karta e re e Iranit
Radio Evropa e Lirë: Nëse Irani heq dorë nga kjo tarifë për kalim në pikën strategjike të ngushticës gjatë negociatave, çfarë ndikimi i mbetet?
Tina Fordham: Mendoj se po e prekni pikërisht thelbin e sfidës kyç. Ndikimi që u mbetet është se mund ta bëjnë përsëri. Kam qenë stratege gjeopolitike për 25 vjet dhe gjithmonë është konsideruar pothuajse e paimagjinueshme që Irani të vepronte kështu, sepse supozimi ishte se kjo do të sillte shkatërrimin e vendit.
Epo, kjo nuk ka ndodhur. Në fakt, isha në Samitin e drejtorëve ekzekutivë të Semafor në Uashington, ku ishte edhe drejtori ekzekutiv i një kompanie evropiane të energjisë. Ai tha: ‘Ne kemi simuluar për 20 vjet skenarin e mbylljes së Ngushticës [së Hormuzit], por kurrë nuk kemi menduar vërtet se do të ndodhte. Dhe, ja ku jemi tani’.
Irani është shumë i mirë në negociata. Për çmimin e duhur, ata mund të jenë të gatshëm ta rihapin ngushticën, dhe këtë e kanë thënë edhe në memorandumin e mirëkuptimit. Por, shikoni çfarë kërkojnë në këmbim: reparacione. Nuk jam optimiste se Shtëpia e Bardhë do të pranojë, në këtë klimë ekonomike, t’i paguajë Iranit reparacione, po aq sa Rusia dëshiron të largohet nga Ukraina.
Radio Evropa e Lirë: A po negociojnë Uashingtoni dhe Teherani për të njëjtën marrëveshje? Publikisht, Trump po kërkon lëshime të pakthyeshme në çështjen bërthamore, teksa Irani kërkon heqjen e sanksioneve paraprakisht.
Tina Fordham: Ata që po përpiqen të ndjekin këtë ndeshje diplomatike pingpongu në rrjetet sociale, ndoshta kanë arritur në të njëjtin përfundim që sugjeroni ju. Secila palë duket se po flet për një dokument tjetër dhe për kushte të ndryshme, prandaj, edhe pse është në interesin si të SHBA-së ashtu edhe të Iranit që t’i japin fund këtij konflikti për arsye të ndryshme, do të jetë e vështirë të tërhiqen nga këto qëndrime kyç dhe vija të kuqe.
Pikërisht për këtë arsye mendoj se po shkojmë drejt një lloj konflikti të ngrirë, me mundësinë e rifillimit të luftimeve dhe me potencialin që SHBA-ja të sulmojë sërish.
Sipas raportimeve, Irani ende ruan një pjesë të konsiderueshme të vendeve për lëshimin e raketave dhe aseteve të tjera ushtarake që mund të bëhen caqe të sulmeve. Kjo do të thotë se shpata e Damokleut e një rikthimi të armiqësive vazhdon të jetë e pranishme.
Ka gjithashtu pasoja gjeostrategjike afatmesme dhe afatgjata. Sipas mendimit tim, njëra prej tyre është se rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit ka gjasa të bjerë. Tashmë po shohim lëvizje drejt ndërtimit të infrastrukturës së re të tubacioneve dhe përdorimit të rrugëve alternative të transportit. Natyrisht, kjo kërkon kohë. Por, është gjithashtu një mësim – ose inspirim – për vende të tjera që ndodhen gjeografikisht pranë një pike kyç ekonomike.
Kemi dëgjuar diskutime të ngjashme edhe për Ngushticën e Malakës në Azinë Juglindore. Kjo është shndërruar në një burim të ri të ardhurash, ndikimi dhe fuqie negociuese në një botë ku mallrat dhe kontrolli mbi burimet strategjike dhe rrugët e transportit detar janë bërë më të vlefshme sesa kemi parë prej dekadash.
Radio Evropa e Lirë: A është bërë kontrolli mbi dërgesat globale të energjisë më i rëndësishëm sesa vetë çështja bërthamore?
Tina Fordham: Është një pyetje shumë e mirë. Mendoj se në një afat të afertë, dhe për ekonominë amerikane, Ngushtica e Hormuzit dhe kalimi nëpër të janë çështja më e rëndësishme. Por, për shkak se Irani tani ka fituar këtë burim të ri force, rritet mundësia që ai të arrijë ta mbajë çështjen bërthamore në tavolinë.
Thënë këtë, ne e dimë se çështja bërthamore është shumë e rëndësishme për vetë Trumpin. Ajo ka qenë prej kohësh një shqetësim i tij sa i përket armëve bërthamore. Pavarësisht nëse do të kemi një armëpushim 30-ditor apo 60-ditor, sa më gjatë të vazhdojë ky ngërç i konfliktit të ngrirë, aq më shumë Irani mund të dalë humbës taktik, por fitues strategjik.
Marrëveshjet e Abrahamit, heshtja në Gjirin Persik dhe rivaliteti i fuqive të mëdha
Radio Evropa e Lirë: Trump tani po mbështetet shumë tek Arabia Saudite, Katari, Pakistani dhe vende të tjera për t’iu bashkuar Marrëveshjeve të Abrahamit si kundërpeshë ndaj Teheranit. Si ndikon kjo strategji në llogaritjet që bëhen gjatë negociatave në Muskat?
Tina Fordham: Mund ta imagjinoni se presidenti Trump dëshiron të jetë në gjendje t’i thotë [kryeministrit izraelit Benjamin] Netanyahu se, edhe pse dëshiron t’i japë fund kësaj faze të luftës, siguria e Izraelit do të përfitojë nga bashkimi i më shumë vendeve me Marrëveshjet e Abrahamit. Kjo do të ishte një fitore e madhe për administratën e Trumpit dhe një zhvillim pozitiv, si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe nga ajo e sigurisë, për rajonin më të gjerë të Gjirit. Thjesht nuk mendoj se ka shumë gjasa që kjo të ndodhë.
Nuk ka aspak marrëdhënie të ngrohta mes Netanyahut dhe Qeverisë së tij me shtetet e Gjirit. Izraeli po ashtu mban zgjedhje në tetor. Nga këndvështrimi i tyre, mjafton të presin pak për të parë se çfarë do të ndodhë me Netanyahun përpara se të bien dakord për diçka që mund t’ia rrisë atij shanset për të mbetur në pushtet. Sinqerisht, më habit pse vëzhguesit nuk i kushtojnë më shumë vëmendje kohës dhe renditjes së ngjarjeve, kur ato janë një pjesë kaq thelbësore e këtyre negociatave.
Radio Evropa e Lirë: Si po e shohin udhëheqësit e Gjirit qasjen e Uashingtonit?
Tina Fordham: Mendoj se ata janë gjithnjë e më të pirë t’i vendosin interesat e tyre kombëtare në plan të parë. Me gjasë ndiejnë diçka mes zhgënjimit dhe ndjenjës së tradhtisë me Shtëpinë e Bardhë. Mos harroni se ata i dhanë shumë mbështetje kësaj administrate dhe premtuan investime të konsiderueshme në SHBA, të cilat nuk janë materializuar. Ata nuk i kanë bërë ato investime. Gjithashtu, kanë parë mënyrën se si SHBA-ja i trajton aleatët e saj.
Të mos harrojmë se mënyra se si Uashingtoni i ka trajtuar aleatët e tij historikë në Evropë dhe rajonin e Azi-Paqësor nuk ka kaluar pa u vënë re. Kjo sugjeron se SHBA-ja ndoshta ka kujtesë të shkurtër dhe mund të jetë një aleate që qëndron pranë vetëm kur rrethanat janë të favorshme.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, në fund, çfarë mësimesh po nxjerrin Kina dhe Rusia nga kjo krizë?
Tina Fordham: Ka një ndikim si afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë për Kinën dhe Rusinë. Nëse shohim aspektin vizual rreth vizitës shtetërore të Trumpit në Kinë dhe gjuhën që ka dalë nga deklaratat e Ministrisë kineze të Sigurisë Shtetërore, formulimi sugjeronte një qasje ku ekziston një lloj barazie në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe përdorej gjuha e “të barabartëve”. Mund të thuhet se kjo është një mënyrë për të testuar reagimin e SHBA-së. A do të reagojë Uashingtoni ashpër dhe të thotë: ‘Ne nuk jemi të barabartë, ne jemi ende superfuqia kryesore në botë’? Por, vetë Trump duket se, në disa mënyra, është i qetë me idenë e një marrëdhënieje G2 [Grupi i Dyshes] dhe e ka përdorur vetë këtë term.
Asnjë nga këto llogaritje nuk ndodh në vakum. Kina shqetësohet se nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen në sferën e tyre të ndikimit, edhe pse kjo mund të duket pozitive sepse krijon më shumë hapësirë manovrimi në rajon, Koreja e Jugut dhe Japonia mund të vendosin se nuk mund të mbështeten më në ombrellën e sigurisë së Uashingtonit dhe të zhvillojnë armë bërthamore si mjet parandalues. Kina nuk dëshiron që gjërat të përshkallëzohen deri në atë pikë. Ka një efekt të tërthortë zinxhirë të këtyre konsideratave që dalin prej kësaj. Unë e quaj këtë ‘efekti flutur’ gjeopolitik.
A i pëlqen Rusisë që Shtetet e Bashkuara të jenë të angazhuara në Lindjen e Mesme? Sigurisht që jo. Irani dhe Siria janë aleatë të kamotshëm të Rusisë. Rusia tashmë e ka humbur përdorimin e portit të saj në qytetin sirian të Tartusit, dhe tani aleati i saj në Iran po sulmohet. Për t’i përkeqësuar edhe më shumë gjërat, Ukraina ka qenë në gjendje të përdorë njohuritë që ka zhvilluar gjatë luftës me Rusinë – duke qenë vetë subjekt i dronëve Shahed – dhe ta eksportojë këtë njohuri edhe në pjesë të tjera të Gjirit, duke forcuar kështu pozitën e saj.
Në aspektin e një konstelacioni faktorësh gjeostrategjikë, kemi shumë zbrazëtira. Ka pasur po ashtu prova që sugjerojnë se Rusia ka ndarë informacion mbi vendndodhjet dhe informacione me Iranin sa i përket shënjestrimit të aseteve amerikane. Kjo është e jashtëzakonshme dhe ende nuk kemi dëgjuar një reagim nga Shtëpia e Bardhë, pavarësisht se këto raporte janë shfaqur në shtyp.