Ndërlidhjet

Trump mund të anulojë takimin me Putinin për shkak të Ukrainës


Presidenti i SHBA-së, Doland Trump dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre në Helsinki më 2018.
Presidenti i SHBA-së, Doland Trump dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre në Helsinki më 2018.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se po shqyrton anulimin e takimit të tij të planifikuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në samitin e G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, për shkak të arrestimit të dhjetëra marinarëve ukrainas nga Rusia.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për gazetën Washington Post, derisa presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, paralajmëroi për kërcënimin e “luftës në shkallë të plotë” me Rusinë.

Udhëheqësit evropianë po ashtu thanë se po shqyrtojnë një rreth të ri sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të tri anijeve të Ukrainës dhe ekuipazhit të tyre pas një konfrontimi në det, në brigjet e Krimesë, më 25 nëntor.

Trump tha se pret “raportin e plotë” nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare në lidhje me incidentin, përpara se të vendosë për takimin me Putinin, i cili është pritur të adresojë një sërë çështjesh, nga kontrolli i armëve deri te konfliktet në Siri dhe Ukrainë.

“Kjo do të jetë përcaktuese. Ndoshta nuk do të zhvilloj takimin. Nuk më pëlqen ai agresion. Nuk e dua fare atë agresion”, tha Trump për gazetën Washington Post.

Ka qenë e planifikuar që Trump të takojë Putinin në margjina të samitit të G20-ës, i cili i zhvillon punimet në Buenos Aires të Argjentinës, të premten dhe të shtunën.

Komentet e tij vijnë pasi një gjykatë ruse urdhëroi që 12 nga 24 marinarët ukrainas, që u kapën nga forcat ruse, të mbahen në paraburgim për dy muaj.

Rusia ka thënë se Ukraina e ka provokuar përplasjen detare në “ujërat e saj territoriale” pranë Krimesë – gadishull që Moska e ka aneksuar ilegalisht nga Ukraina në mars të vitit 2014.

Presidenti i Ukrainës, Poroshenko, paralajmëroi se konflikti kërcënon të shndërrohet në “luftë të shkallës së plotë”.

“Nuk dua që dikush të mendojë se ky është një argëtim dhe lojë. Ukraina është nën kërcënimin e një lufte të plotë me Federatën Ruse”, tha Poroshenko në një intervistë për televizionin kombëtar të Ukrainës.

“Numri i njësive [ruse] që janë pozicionuar përgjatë gjithë kufirit tonë, është rritur në mënyrë dramatike”, tha Poroshenko.

Të hënën, Poroshenko mori miratimin e Parlamentit të Ukrainës për të shpallur gjendje lufte në disa pjesë të vendit, që konsiderohen të cenueshme nga Rusia, nisur nga sot.

Përleshja midis forcave ruse dhe ukrainase në ujërat pranë Krimesë ishte e para në atë zonë pas më shumë se katër vjetësh luftë midis Kievit dhe separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore, ku kanë mbetur të vrarë më shumë se 10,300 njerëz.

Ajo ka pasuar disa muaj të tensioneve në rritje për ujërat në dhe përreth ngushticës Kërç, e cila tani mund të kalohet me një urë që lidh Rusinë me Krimenë. Ngushtica është rruga e vetme për anijet që udhëtojnë midis Detit të Zi dhe Detit Azov, ku Ukraina ka disa porte.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë se po shqyrtojnë sanksione të reja ndaj Rusisë për bllokimin e paligjshëm të qasjes në Detin Azov në fundjavë dhe për shkak të kundërshtimit të thirrjeve për lirimin e detarëve ukrainas.

Karin Kneissl, ministre e Jashtme e Austrisë, vendit që mban aktualisht presidencën e BE-së, tha se blloku do t’i shqyrtojë sanksionet muajin e ardhshëm.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG