Ndërlidhjet

Ukraina konsideron shpalljen e gjendjes së luftës, pas sulmit të Rusisë në anijet e saj


Rusia kap anijet ukrainase në përleshjen detare
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Ligjvënësit ukrainas do të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme më 26 nëntor për të konsideruar një rekomandim të Këshillit ushtarak për të shpallur gjendje lufte, pasi forcat ruse kanë sulmuar një grup të anijeve ukrainase në brigjet e Detit të Zi në Gadishullin e Krimesë.

Duke folur para Këshillit ushtarak në një mbledhje të jashtëzakonshme, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko ka thënë se ai ka mbështetur këtë hap, ndonëse shpallja e një gjendjeje të tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht që Ukraina do të kryejë operacione luftarake.

Forcat ruse kanë sulmuar dy anije luftarake, duke plagosur gjashtë anëtarë të ekipit pak para se të kapnin anijet.

Poroshenko ka thënë se 23 marinarë ukrainas janë kapur pas luftimeve me armë, mirëpo Kievi nuk ka qenë në kontakt as me anijet e ndaluara as me marinarët.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka cituar një dëshmitar të ketë thënë se tri anijet ukrainase janë duke u mbajtur në portin e Kërçit të Krimesë.

Sipas dëshmitarit, afër anijeve janë parë njerëz me uniforma të stilit detar.

Njoftimi për këto armiqësi më 25 nëntor ka ardhur në ditën e tensioneve në rritje, meqë Rusia ka bllokuar tri anije ukrainase, duke u pamundësuar kalimin nga Deti i Zi në Detin Azov përmes Ngushticës së Kërçit.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se si përgjigje ndaj shqetësimeve për përshkallëzim të madh ushtarak në mes të të dyja shteteve, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do të mbajë takim urgjent më 26 nëntor.

Agjencia e lajmeve AFP ka cituar disa burime diplomatike të kenë thënë se takimi është thirrur me kërkesë të Ukrainës dhe Rusisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka akuzuar autoritetet ukrainase për përdorim të “taktikave të dhunshme” në Ngushticën e Kërçit, fillimisht përmes provokimit, më pas presionit dhe në fund akuzave për agresion.

Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi (FSB), që mbikëqyr shërbimet shtetërore rreth kufirit, ka thënë se forcat e tij kanë nisur sulme me armë zjarri në anijet ukrainase ashtu që t’iu pamundësojnë atyre kalimin ilegal në ujërat territorialë të Rusisë.

“Në mënyrë që të ndalojmë anijet ushtarake ukrainase, armët janë përdorur”, ka thënë ky shërbim.

Hartë e Ngushticës së Kërçit në Detin Azov
Hartë e Ngushticës së Kërçit në Detin Azov

Ai po ashtu ka konfirmuar se tri anijet ukrainase janë “kontrolluar”.

Mirëpo Marina ukrainase ka thënë se anijet e saj duke përfshirë dy anije të vogla janë sulmuar nga anijet ruse, teksa kanë qenë duke u larguar nga Ngushtica e Kërçit dhe janë kthyer sërish në Detin e Zi.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se ka konsideruar këto masa si “hapa agresivë” të Rusisë, të cilët kanë shkelur ligjin ndërkombëtar dhe se do të ketë “përgjigje ligjore ndërkombëtare dhe diplomatike” ndaj tyre.

Në po të njëjtën kohë, protestuesit e zemëruar janë mbledhur para Ambasadës së Rusisë në Kiev më 25 nëntor, pasi Kievi ka njoftuar për sulmin kundër anijeve ukrainase.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se përplasja ka ndodhur sepse “pushtuesit kanë refuzuar që të sigurojnë të drejtën e lirisë së lundrimit, të garantuar me marrëveshje ndërkombëtare”.

Ato po ashtu kanë akuzuar Rusinë për shfaqje “të natyrës agresive dhe shpërfilljes së plotë të normave të ligjit ndërkombëtar”.

Pas këtij incidenti, autoritetet ruse kanë mbyllur zonën e kalimit të anijeve civile në Ngushticën e Kërçit, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Megjithatë, agjencitë e lajmeve të Rusisë kanë cituar disa zyrtarë lokalë të portit të ketë thënë se ngushtica është rihapur për anijet civile më 26 nëntor.

Një anije luftarake ukrainase qëndron në portin e Kërçit, pasi është kapur nga autoritetet ruse. 26 nëntor, 2018.
Një anije luftarake ukrainase qëndron në portin e Kërçit, pasi është kapur nga autoritetet ruse. 26 nëntor, 2018.

Në Bruksel, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Rusisë më 25 nëntor që të “rikthej lirinë e lëvizjes” në këtë ngushticë.

Ndërkohë, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu ka thënë se Aleanca veri-atlantike është “duke vëzhguar nga afër zhvillimet” në Detin Azov dhe Ngushticën e Kërçit dhe se është “në kontakt me autoritetet ukrainase”.

“Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, ka thënë ajo.

“NATO-ja mbështet plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial, duke përfshirë të drejtën për lëvizje në ujërat e saj territorialë”, ka thënë Lungescu.

Zëdhënësja e NATO-s po ashtu ka theksuar se liderët e NATO-s në samitin e Brukselit, të mbajtur korrikun e kaluar “e kanë bërë të qartë se militarizimi i vazhdueshëm i Krimesë, Deti i Zi dhe Deti Azov nga ana e Rusisë përbën kërcënim për pavarësinë e Ukrainës dhe dëmton stabilitetin rajonal”.

Megjithatë, FSB, ka akuzuar anijet ukrainase për kalim ilegal të ujërave territorialë të Rusisë dhe për provokim të konfliktit.

Deti Azov, Ngushtica e Kërçit dhe ujërat e Detit të Zi në Krime kanë qenë zona në të cilat ka pasur tensione të përshkallëzuara në mes të Moskës dhe Kievit nga viti 2014, kohë në të cilin Rusia ka aneksuar rajonin e Krimesë dhe ka nisur të mbështesë separatistët pro-rusë në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Një traktat i vitit 2003 në mes të Rusisë dhe Ukrainës përcakton se Ngushtica Kërç dhe Deti Azov përbëjnë territor të ujërave të përbashkët.

Mirëpo Moska ka siguruar kontroll më të madh të kësaj zone prej aneksimit të Gadishullit të Krimesë, kryesisht prej muajit maj, kur ka hapur një urë 19 kilometra që lidh rajonin e Krimesë dhe territorin rus në lindje të Ngushticës së Kërçit.

Avionët luftarakë rusë fluturojnë mbi urën që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë. 25 nëntor, 2018
Avionët luftarakë rusë fluturojnë mbi urën që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë. 25 nëntor, 2018

​Të dyja palët kanë rritur së fundmi prezencën e tyre në rajon, pasi Kievi akuzon Moskën për pengim të anijeve që nisen në portet e Ukrainës në Detin Azov siç janë Mariupol dhe Berdyansk.

Mariupol është qyteti më i afërt me Donetskun dhe Luhanskun që kontrollohet nga Qeveria e Ukrainës dhe përbën zonë kyçe në lindje të Ukrainës, meqë në këtë rajon vazhdon konflikti me separatistët rusë.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se anija kufitare e Rusisë ka nisur sulme ndaj anijeve ukrainase.

Sipas tyre fillimisht anijet ruse kanë “nisur masa agresive ndaj anijeve ukrainase” duke shtuar se këto të fundit kanë tentuar të vazhdojnë rrugën e tyre “pavarësisht masave të Rusisë”.

Mirëpo agjencia e lajmeve, UNIAN me bazë në Kiev ka raportuar më vonë se dy anijet e vogla ukrainase nuk kanë arritur të kalojnë në Detin Azov.

FSB-ja në anën tjetër ka thënë se anijet e Ukrainës kanë hyrë “ilegalisht në ujërat territorialë të Rusisë”, pa autorizim.

Interfax po ashtu ka raportuar për këtë ngjarje, duke thënë se FSB-ja ka paralajmëruar Kievin kundër “vendimeve të pamatura”, duke thënë se Rusia ka marrë “të gjitha masat e nevojshme për të ndalur këtë provokim”.

Udhëheqësi i Komitetit për Politika Informative, Aleksei Pushkov, ka akuzuar Poroshenkon për urdhërim direkt të anijeve ukrainase për të kryer atë që e ka cilësuar si “provokim të qëllimshëm”.

“Gjëra të tilla nuk kryhen pa njohurinë e kreut të shtetit apo pa iniciativën e tij”, ka thënë Pushkov për televizionin shtetëror rus, Rossia 24.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG