Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet në nivel teknik, ku do të marrin pjesë Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, me synimin për t’i dhënë fund luftës, do të zhvillohen në Abu Dabi nga 6 deri më 10 nëntor.
Duke folur në një konferencë për media në Hagë më 28 tetor, Zelensky tha se mundësia e një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, mbetet e pasigurt.
“Nuk e di se kur do të kemi një takim me Rusinë në nivel udhëheqësish”, tha ai. “Për momentin, pavarësisht respektit që kemi për vende të ndryshme, kjo varet nga pala ruse, sepse ata nuk e kanë mbështetur kurrë më parë këtë ide”.
Deklarata e presidentit ukrainas ishte përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili u tha gazetarëve më herët gjatë së njëjtës ditë se një takim mes Zelenskyt dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, do të organizohej “shumë shpejt”.
Trump nuk saktësoi ndonjë datë apo vend për takimin e mundshëm, por shtoi se “mund të arrihet shumë përparim në këtë drejtim”.
Samiti i G20-s, i cili mbahet në Florida në dhjetor, paraqet mundësi për një takim të drejtpërdrejtë mes udhëheqësve ukrainas dhe rusë. Megjithatë, Putini ende nuk i është përgjigjur ftesës së Shteteve të Bashkuara, ndërsa ai dhe Zelensky kanë qëndrime dukshëm të ndryshme sa i përket mundësisë së një takimi të tillë.
Putini është përpjekur ta vërë në dyshim legjitimitetin e Zelenskyt dhe ka deklaruar vazhdimisht se presidentët mund të takohen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe. Megjithatë, ai ka sugjeruar gjithashtu se mund të takohet me Zelenskyn në Moskë.
Kremlini e di se mundësia e mbajtjes së një takimi në kryeqytetin e vendit që po sulmon Ukrainën është e papranueshme për Kievin. Zelensky ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me Putinin në një vend të tretë dhe ka thënë se çështjet thelbësore, si ajo e territoreve, mund të zgjidhen vetëm në nivelin e udhëheqësve.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë vetëm një ditë pasi presidenti finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, zhvilluan një bisedë telefonike 90-minutëshe me Putinin ku diskutuan për pushtimin rus të Ukrainës. Udhëheqësit nordikë zhvilluan bisedë telefonike edhe me Zelenskyn.
Në një njoftim për media, Stubb theksoi se “diskutimi ishte i hapur dhe përmbajtësor”.
“Ne jemi vende fqinje me Rusinë. Përfundimi i kësaj lufte do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë dhe në atë të Evropës në tërësi. Për t’i dhënë fund luftës nevojiten diskutime të drejtpërdrejta”, shtoi presidenti finlandez.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, e kishte pritur në Oslo më 20 tetor Zelenskyn, të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, si dhe disa zyrtarë evropianë, në përpjekje për t’u siguruar që vendet evropiane të kenë rol në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Zelensky, i cili ka shprehur disa herë shpresën se udhëheqësit dhe vendet evropiane do të përfshihen më shumë në bisedime për paqe, tha gjatë vizitës zyrtare në Holandë se “ne presim që Evropa të ketë rol të madh, por edhe nga ana e Evropës na duhet më shumë qartësi se kush e përfaqëson atë”.
Megjithatë, ai shtoi se “nëse Amerika thotë se kësaj radhe do të kemi vetëm bisedime trepalëshe, ne nuk do ta prishim këtë format”.
Intensifikimi i aktiviteteve diplomatike perëndimore vjen pasi Vladimir Putini propozoi më herët gjatë tetorit një samit trepalësh me Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësin kinez, Xi Jinping, kah fundi i vitit, me synimin për t’i dhënë fund luftës.
Vizita e Zelenskyt në Holandë solli edhe premtime të reja për mbështetje ndaj Ukrainës nga kryeministri holandez, Rob Jetten, i cili njoftoi se vendi i tij do të ofrojë 500 milionë euro ndihmë ushtarake gjatë këtij dimri, përfshirë dronë dhe pajisje të tjera.
Qeveria holandeze premtoi gjithashtu 1.2 miliardë euro mbështetje joushtarake gjatë tri vjetëve të ardhshme, përfshirë fonde për rindërtimin dhe riparimet urgjente të infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Armëpushimi në Oleshki
Ndërkaq, Ukraina dhe Rusia konfirmuan se nuk ka pasur shkelje të armëpushimit lokal, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në zonën përreth qytetit në jug të Ukrainës Oleshki, të pushtuar nga Rusia, gjatë 30 orëve të para të zbatimit të tij.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, hyri në fuqi në orën 03:00 sipas kohës lokale, më 27 tetor, dy ditë para afatit të planifikuar, “për të mbrojtur sigurinë e civilëve dhe për të lehtësuar dërgimin e ndihmave thelbësore humanitare”, tha ajo në një postim në X.
Zonja e parë, Melania Trump, shtoi se zona gjeografike ku zbatohet armëpushimi “është zgjeruar përtej Oleshkit, brenda rajonit të Hersonit, për të siguruar kalim të sigurt për autokolonat humanitare”.
Armëpushimi do të mbetet në fuqi deri më 1 nëntor, për t’u mundësuar banorëve që të evakuohen nga qyteti në vijën e frontit, ku përkeqësimi i kushteve ua kishte pamundësuar shumë prej tyre largimin.