Ndërlidhjet

Trump zmbrapset nga politika e ndarjes së familjeve


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas nënshkrimit të urdhrit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas nënshkrimit të urdhrit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, iu dorëzua presionit publik dhe nënshkroi urdhrin ekzekutiv që premton “t’i mbajë familjet së bashku” në qendrat e ndalimit të migrantëve.

Trump e ndryshoi politikën pas kritikave ndërkombëtare për ndarjen e fëmijëve nga prindërit që kaluan ilegalisht kufirin Meksikë-SHBA.

Urdhri, megjithatë, nuk e adreson çështjen e familjeve të ndara tashmë nga policia.

Zyrtarët e imigracionit në SHBA thanë se 2,342 fëmijë janë ndarë nga 2,206 prindër në periudhën 5 maj – 9 qershor.

“Duhet t’i mbajmë familjet së bashku”, tha Trump teksa nënshkroi urdhrin.

“Nuk më kanë pëlqyer pamjet e fëmijëve të ndarë nga prindërit”, tha Trump, duke shtuar se administrata do të vazhdojë me politikën “zero tolerancë” për ndjekjen penale të cilitdo që kalon kufirin ilegalisht.

Urdhri ekzekutiv kërkon që familjet imigrante të arrestohen dhe të mbahen bashkë, derisa rastet e tyre ligjore të shqyrtohen.

Protesta e fëmijëve të ndarë nga familjet e tyre në kufi,1 qershor 2018
Protesta e fëmijëve të ndarë nga familjet e tyre në kufi,1 qershor 2018

Përpara se ta nënshkruante, presidenti Trump ka thënë se politika nuk mund të ndryshohet me “urdhër ekzekutiv”, duke këmbëngulur se vetëm Kongresi mund ta rregullojë këtë politikë, duke kaluar reformën e imigracionit.

Udhëheqësi republikan i Kongresit, Paul Ryan, tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të enjten "legjislacionin për të mbajtur familjet së bashku".

Ai nuk dha detaje të projektligjit, por tha se e zgjidh çështjen e të ashtuquajturve “Ëndërrimtarë” - imigrantë pa dokumente që kanë hyrë në SHBA si fëmijë.

Në muajin prill, prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, ka shpallur politikën “zero-tolerancë” për kaluesit e paligjshëm të kufirit amerikan.

Të rriturit ndalohen dhe hetohen për vepër penale, ndërsa fëmijët që nuk mund të burgosen ligjërisht me prindërit e tyre, mbahen në objekte të ndara.

Fotografitë e fëmijëve, duke fjetur në kafaze, kanë nxitur kritika dhe thirrje për veprim.

Politika e tillë është një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Luis Videgaray Caso, ka thënë se praktika është "mizore dhe çnjerëzore" dhe se shkel të drejtat e njeriut.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka thënë se mbajtja e fëmijëve në ato që duken si kafaze është "gabim".

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, gjithashtu e ka quajtur atë të gabuar, duke shtuar se "kjo nuk është mënyra se si ne i bëjmë gjërat në Kanada".

Gjashtë kompani ajrore amerikane: Alaska, American, Delta, Frontier, Southwest dhe United i kanë kërkuat administratës Trump të mos i përdorë avionët e tyre për të transportuar fëmijët, të cilët janë ndarë nga prindërit e tyre, duke thënë se politika është në kundërshtim me vlerat e tyre.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG