Ndërlidhjet

Rusia pozicionon trupat ushtarake në kufirin Turqi-Siri


Pamje nga qyteza e shkatërruar Kobane në Siri.
Pamje nga qyteza e shkatërruar Kobane në Siri.

Forcat ruse kanë nisur të pozicionohen përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, në kuadër të marrëveshjes për të larguar trupat kurde nga ky rajon.

Njësitet ruse janë parë duke kaluar Lumin Eufrat, teksa janë nisur për në qytetin Kobane.

Sipas marrëveshjes së arritur në mes të Rusisë dhe Turqisë, forcat ruse dhe ato siriane do të largojnë luftëtarët kurdë nga zona kufitare.

Trupat turke do të vazhdojnë të kontrollojnë këtë zonë, të cilën e kanë fituar pas operacionit ushtarak të nisur kundër luftëtarëve kurdë, të cilët Turqia i konsideron terroristë.

Në planin e Turqisë përfshihet edhe krijimi i “zonave të sigurta” afër kufirit, në mënyrë që të strehohen mbi dy milionë refugjatë që aktualisht jetojnë në Turqi.

Marrëveshja është nënshkruar pas gjashtë orëve të negociatave në mes të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe nikoqirit të tij në Soçi, presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Rusinë, Turqia ka thënë se nuk ka nevojë për nisje të operacionit të ri ushtarak, meqë në mesnatë ka skaduar armëpushimi që kanë ndërmjetësuar Shtetet e Bashkuara një javë më parë.


Operacioni turk ka nisur pasi SHBA-ja ka njoftuar ditë më parë se do të tërheqë trupat e saj nga veriu i Sirisë, pavarësisht pse ata kanë qenë duke mbështetur luftëtarët kurdë, me të cilët kanë luftuar militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik në rajon.

Për çfarë është arritur pajtueshmëri në Soçi?

Gjatë operacionit ushtarak, Turqia ka fituar kontrollin e zonës kufitare 120-kilometërshe në mes të qytezave Ras al-Ain dhe Tal Abyad, në kuadër të tentimeve për të krijuar në “zonë të sigurt” në të cilën më pas do të dërgoheshin mbi dy milionë refugjatë që aktualisht jetojnë në Turqi.

Sipas marrëveshjes, Rusia është pajtuar për të lejuar trupat turke që të vazhdojnë të kontrollojnë këtë zonë.

Luftëtarëve kurdë u janë dhënë 150 orë nga mëngjesi i së mërkurës që të largohen 30 kilometra larg këtij territori.

Forcat ruse dhe ato siriane kanë thënë se do të nisen menjëherë përgjatë kufirit për të vëzhguar largimin e forcave kurde.

Zona rreth Qamishlit, në të cilën ka popullsi të madhe kurde nuk është përfshirë në marrëveshje, andaj deri më tani nuk janë dhënë detaje se çfarë do të ndodhë atje.

Pas përfundimit të 150 orëve, përkatësisht më 29 tetor, trupat turke dhe ato ruse do të nisin patrullimet e përbashkëta në zonat e përshkruara si “në perëndim dhe lindje të zonës” ku është zhvilluar operacioni ushtarak turk.

Në deklaratën e Rusisë dhe Turqisë po ashtu është thënë se forcat kurde do të “largohen” nga rajoni i Manbixhit dhe qytezës, Tal Rifat.

Si është komentuar arritja e marrëveshjes?

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka ngritur shqetësime për ndërhyrjen e jashtme në Siri, mirëpo Kremlini ka thënë se ai ka falënderuar Putinin dhe ka shprehur “mbështetjen e tij të plotë për rezultatet e punës si dhe për gatishmërinë e ruajtjes së kufijve sirianë”.​

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif ka thënë se marrëveshja përbën hap pozitiv dhe se përkrah secilin veprim që është në të mirë të stabilitetit rajonal.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë të mërkurën se është shumë herët për ta gjykuar marrëveshjen dhe ka bërë thirrje për “zgjidhje politike dhe të negociuar në Siri”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në NATO, Kay Bailey Hutchison, ka thënë se Shtetet e Bashkuara përkrahin një plan të Gjermanisë për të krijuar një zonë të sigurisë të kontrolluar ndërkombëtarisht në këtë rajon, ndonëse ka shtuar se përfshirja e SHBA-së në këtë plan ka pak mundësi të ndodhë.

Të mërkurën në Gjenevë një kurd sirian ka djegur veten para selisë së Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara ndërkohë që më vonë është dërguar në spital për t’u trajtuar nga plagët e fituara.

Si ka ardhur situata deri këtu?

Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka drejtuar një betejë kundër militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) në veri të Sirisë për gati katër vjet.

Pjesë e grupit janë Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG), milici të cilën Turqia e konsideron organizatë terroriste.

*Expose: Fitorja e Turqisë

Fitorja e Turqisë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:11:58 0:00

Vetëm dy javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për tërheqje të trupave amerikane nga Siria. Më vonë Turqia ka nisur një operacion ushtarak kundër kurdëve.

Cili është çmimi i konfliktit?

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se 176,000 persona, duke përfshirë 80,000 fëmijë janë zhvendosur në dy javët e fundit nga verilindja e Sirisë, zonë të cilën jetojnë rreth 3 milionë banorë.

Rreth 120 civilë janë vrarë në betejë, bashkë me 259 luftëtarë kurdë, rreth 196 rebelë të përkrahur nga Turqia dhe shtatë ushtarë turq, sipas grupit monitorues me bazë në Londër, Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut.

Sipas zyrtarëve turq, në territorin e këtij shteti janë vrarë edhe 20 civilë, si pasojë e sulmeve të kryera nga milicia kurde.

Turqia ka thënë një kohë të gjatë se luftëtarët kurdë janë një zgjatim i Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një fushatë brenda Turqisë prej vitit 1980 dhe të cilën Ankaraja, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG