Ndërlidhjet

Turqia thotë se marrëveshja e re e mbrojtjes nuk e shënjestron Iranin

Një grua kalon pranë një murali që shfaq portretin e liderit të ndjerë suprem të Iranit, Ali Khamenei. Teheran, 8 gusht 2026.
Një grua kalon pranë një murali që shfaq portretin e liderit të ndjerë suprem të Iranit, Ali Khamenei. Teheran, 8 gusht 2026.

Ministri i Jashtëm i Turqisë tha se marrëveshja e mbrojtjes e nënshkruar nga Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite nuk e shënjestron Iranin, megjithëse u shpreh se, teknikisht, ajo është e njëjtë me Nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj njërit konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve të aleancës.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se paktit – i nënshkruar më 7 gusht nga udhëheqësit e tre vendeve – mund t’i bashkohen edhe Egjipti dhe vende të tjera, pasi të zgjidhen një sërë çështjesh teknike.

“NATO është një aleancë e madhe ushtarake ku bëjnë pjesë 32 vende. Ne kemi nisur këtu si tre vende dhe duhet të ndërmarrim hapa shumë modestë, por konkretë”, tha ai.

Fidan i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu se do të krijohet një komitet ministrash, i ngjashëm me atë brenda aleancës së NATO-s, si dhe një sekretariat i përgjithshëm, me seli në Arabinë Saudite.

Kryediplomati turk nuk tregoi se çfarë çështjesh duhet të zgjidhen që t’i hapet rrugë bashkëngjitjes së Egjiptit në marrëveshje ku bëjnë pjesë shtete me shumicë myslimane sunite. Irani ka popullsi shumicë myslimane shiite.

Më 7 gusht, udhëheqësit e Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit u takuan në qytetin saudit të Mekës për të nënshkruar marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes, që synon forcimin e “parandalimit kolektiv ndaj çdo akti agresioni”.

Qeveria turke tha se “marrëveshja nuk bie ndesh me angazhimet e aleancave ekzistuese ndërkombëtare të Turqisë, përfshirë ato që qëndrojnë në thelb të NATO-s”. Turqia është anëtare e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s.

“Marrëveshja është veçmas e rëndësishme në dritën e sfidave dhe kërcënimeve në rritje me të cilat përballet rajoni, që para së gjithash janë sulmet terroriste, kontrabanda e armëve dhe kërcënimet ndaj vendeve fqinje dhe rrugëve ndërkombëtare detare”, tha Turqia.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur pasiguria po rritet në Lindjen e Mesme, teksa në horizont ende nuk duket një përfundim i konfrontimit mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Vitin e kaluar, Arabia Saudite nënshkroi një marrëveshje strategjike të mbrojtjes së ndërsjellë me Pakistanin, e cila përfshinte një klauzolë të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, ku thuhet se “çdo agresion ndaj cilitdo prej vendeve do të konsiderohet agresion ndaj të dyja vendeve”.

Arabia Saudite, aleate e SHBA-së dhe prej kohësh rivale e Iranit për ndikimin rajonal në çështjet politike, ushtarake dhe fetare, ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve iraniane me raketa dhe dronë, pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.

XS
SM
MD
LG