Ndërlidhjet

Ujdi e re për armëpushim në lindje të Ukrainës


 Ukrainë: Një ushtar ukrainas mban në duar flamurin kombëtar/Foto nga arkivi
Ukrainë: Një ushtar ukrainas mban në duar flamurin kombëtar/Foto nga arkivi

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, propozoi një armëpushim në lindje të Ukrainës, nisur nga sot, me fillimin e vitit shkollor, dhe mori mbështetje unanime nga Rusia, Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Propozimi u bë të martën vonë në një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Të gjithë ata shprehën mbështetje të fuqishme për një armëpushim të qëndrueshëm, që do t’iu mundësonte fëmijëve në lindje të Ukrainës të ndjekin mësimet, tha Kremlini dhe Zyra për Media e Poroshenkos.

Edhe kabineti i Merkelit dhe ai i Macronit lëshuan deklarata duke theksuar mbështetjen e tyre për armëpushim.

Zyra e Poroshenkos po ashtu tha se shpreson se armëpushimi “do të çojë në një përmirësim të qëndrueshëm të situatës së sigurisë, nga e cila do të përfitojnë nxënësit e shkollave dhe gjithë popullata civile e Donbasit”.

Kurt Volker, i dërguar i posaçëm i SHBA-së në konfliktin në lindje të Ukrainës, shprehu po ashtu mbështetje për armëpushimin, në një intervistë dhënë Shërbimit Baltik të Lajmeve.

"Armëpushimi në sezonin e shkollës duket ide shumë e mirë. Ne do ta mbështesim plotësisht këtë”, tha Volker.

Volker po ashtu komentoi për herë të parë takimin e tij, më 21 gusht, me ndihmësin e Kremlinit, Vladislav Surkov, ku ky i fundit ka thënë se janë diskutuar disa “ide të freskëta” për arritjen e paqes në lindje të Ukrainës.

Jemi pajtuar që situata aktuale, status quo, nuk është e mirë për asnjërin”, tha Volker.

Na duhet një vështrim i ri për të rritur sigurinë në Ukrainë, për njerëzit që jetojnë atje”, shtoi ai.

Disa marrëveshje për armëpushim janë shpallur, por nuk janë respektuar qëkur separatistët pro-rusë kanë pushtuar pjesë të krahinave Donjeck dhe Luhansk në lindje të Ukrainës, në vitin 2014.

Mbi 10,000 veta janë vrarë në luftimet midis separatistëve dhe forcave qeveritare.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi Rusinë për shkak të përfshirjes së saj në luftën në lindje të Ukrainës dhe aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG