Ndërlidhjet

Ukrainasit në Herson gjuhen çdo ditë nga dronët rusë

Me një buzëqeshje të lehtë por të sforcuar nga lufta, Oleksandri fliste për kërcënimin e vazhdueshëm nga dronët rusë mbi qytetin e tij të lindjes. Por, pak çaste më vonë, ai mezi po i mbante lotët.

"Ky është vendi ynë. Kjo është shtëpia ime. Jam përpjekur... por nuk mund të jetoj pa Hersonin. Kështu është", tha ai.

Biseda u ndërpre papritur nga të shtëna armësh, zhurma e dronëve dhe një thirrje paralajmëruese se një dron rus i tipit vetëtimë ndodhej pranë. Ekipi i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë iu bashkua banorëve që vraponin mbi xhamat e thyer drejt një strehe.

Oleksandri është banor i Hersonit, një qytet që kishte rreth 280.000 banorë para se të niste pushtimi i plotë rus në vitin 2022, por që tani ka rreth 60.000 banorë.

Qyteti u pushtua shpejt nga forcat ruse, por u çlirua disa muaj më vonë. Që atëherë, ai është sulmuar vazhdimisht me predha dhe dronë të lëshuar nga forcat ruse të vendosura në bregun lindor të lumit Dniepër, në skajin e qytetit.

“Gjueti njerëzish”: Droni rus ndjek shitësin në treg “Gjueti njerëzish”: Droni rus ndjek shitësin në treg
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:07 0:00

Sot, ekipet komunale punojnë të veshura me jelekë antiplumb, nën mbrojtjen e njësive të lëvizshme të mbrojtjes ajrore. Pasi u dha sinjali se rreziku kishte kaluar, një ekip iu rikthye punës për të mbuluar me kompensatë dritaret e shkatërruara të një blloku banimi.

"Çdo ditë e kupton se njerëzit po rrezikohen, po e rrezikojnë jetën e tyre", tha Volodymyr Tsiktor, drejtues i departamentit të punëve komunale. "Kohët e fundit pati një rast kur një kamion i mbeturinave u godit. Ishte fare e qartë se nuk ishte mjet ushtarak, por një dron e sulmoi. Fatmirësisht, gjithçka përfundoi mirë. Njerëzit brenda pësuan vetëm lëndime të lehta".

"Safari njerëzor"

Civilët në Herson shpesh bëhen shënjestër e dronëve FPV, në sulme që janë quajtur "safari njerëzor".

Këtë javë, pamjet e një droni rus që ndoqi dhe sulmoi një burrë 52-vjeçar, i cili po shiste perime në një treg vendas, u bënë lajm në mbarë botën. Burri pësoi tronditje në tru dhe plagë nga copëzat e predhave, por autoritetet vendase thonë se vetëm gjatë muajit korrik sulmet me dronë FPV rusë vranë 29 civilë.

Tsiktor tha se kjo taktikë synon "ndoshta t'i çojë njerëzit në dëshpërim, në panik... Është terror për ta detyruar popullsinë të largohet".

Në anën tjetër të qytetit, një njësi e lëvizshme e mbrojtjes ajrore po lëvizte nëpër Parkun e Lavdisë. Dikur një vend i preferuar për pushim për banorët e Hersonit, sot ai është shndërruar në fushëbetejë.

Vetëm disa qindra metra larg bregut të lumit, parku ndodhet në një korridor të zakonshëm fluturimi të dronëve sulmues rusë dhe konsiderohet një nga vendet më të rrezikshme në Herson.

Njësia e mbrojtjes ajrore përbëhej nga policë ukrainas, të cilët thanë se kurrë nuk do ta kishin paramenduar se puna e tyre një ditë do të përfshinte rrëzimin e dronëve.

"Sa herë që vij këtu dhe shikoj përtej lumit, atje është shtëpia ime. Atje jam rritur. Atje kam shkuar në shkollë. Tani kanë mbetur vetëm kujtimet", tha njëri prej policëve, identiteti i të cilit nuk mund të bëhet publik për arsye sigurie.

Shumë prej këtyre policëve kanë të afërm në anën tjetër të lumit, në zonat e pushtuara nga Rusia.

"Dua shumë t'i shoh prindërit e mi, të cilët kanë mbetur atje dhe po vuajnë si shpirtërisht, ashtu edhe fizikisht, pasi e rrahën babanë tim", tha një tjetër oficer.

"Vëmendje të gjitha njësitë"

Edhe kjo bisedë u ndërpre. Këtë herë nga një njoftim në radiolidhje: "Vëmendje të gjitha njësite, një [dron] vetëtimë i armikut po i afrohet Dnjepërit".

Ekipi i zuri menjëherë pozicionet dhe hapi zjarr me armë të lehta. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan aty pranë.

Shumë prej ndërtesave përreth janë nxirë nga zjarret. Në njërën prej tyre, dy gra ishin fshehur në hyrje. Pothuajse të gjithë banorët e tjerë janë larguar nga ajo zonë.

"Banesat tona janë djegur", tha Klavdia, ndërsa e çoi ekipin e Radios Evropa e Lirë në bodrumin ku tani jeton me banorë të tjerë vendas që refuzojnë të largohen ose nuk kanë ku të shkojnë.

Derisa në radio transmetohej lajmi për një tjetër sulm me dron, ajo foli për frikën e përditshme të jetës në vijën e frontit.

"Është shumë e frikshme për ne, sigurisht. Vrapojmë për t'u strehuar, dronët qëllojnë", tha ajo. "Me zor arrijmë të shkojmë deri te dyqani. Shkojmë atje nën zjarr... Nuk e di çfarë do të ndodhë më pas".

"Të gjithë kanë frikë": Ukrainasit nën kërcënimin e dronëve rusë "Të gjithë kanë frikë": Ukrainasit nën kërcënimin e dronëve rusë
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:23 0:00

Klavdia ka energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm në bodrumin e përbashkët ku jeton, por transporti publik nuk funksionon në këtë pjesë të Hersonit.

Në pjesë të tjera të qytetit, autobusët vazhdojnë të qarkullojnë. Edhe ata janë shënjestër e operatorëve të dronëve rusë.

"Çdo ditë, kur shoferët tanë nisen në punë, ata e dinë se po ndiqen", tha Vadim Melnik, drejtues i autoritetit komunal të transportit. "Rreth 200 dronë fluturojnë mbi Herson çdo ditë, prandaj është punë shumë e vështirë. Megjithatë, transporti vazhdon të funksionojë. Shoferët e kuptojnë përgjegjësinë e vet".

Dhe jo vetëm shoferët.

Melniku tregoi historinë e një mekaniku 68-vjeçar, i cili po shkonte me biçikletë në punë kur një dron rus e identifikoi si objektiv. Siç shtoi ai, mekaniku nuk përbënte kurrfarë kërcënimi ushtarak.

"Por, ai u sulmua dhe, për fat të keq, humbi jetën".

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG