Ndërlidhjet

I dërguari amerikan: Ukraina e bllokuar në “luftë të nxehtë”


I dërguar i posaçëm i SHBA-së, Kurt Volker viziton Ukrainën lindore

I dërguari i ri special i Shteteve të Bashkuara për negociatat për paqe në Ukrianë, Kurt Volker, tha se ishte pamasë i befasuar nga numri i shkeljeve të armëpushimeve në pjesën lindore të Ukrainës, që është e pëfshirë në luftë, pas vizitës së tij të parë në rajon.

Zoti Volker, i cili aktualisht është emëruar i dërguar i Uashingtonit për bisedime për përfundimin e luftës ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës, i ka bërë këto komente gjatë një interviste të djeshme, pasi e kaloi ditën në linjën e frontit të konfliktit.

Niveli i shkeljeve të armëpushimit në baza ditore është shumë befasues”, i tha zoti Volker me telefon Radios Evropa e Lirë.

Ky vlerësim i tij u bë disa orë pasi në një konferencë për gazetarë në qytetin Kramators, që është selia e operacionit ushtarak të Qeverisë në Kiev kundër separatistëve, Volker tha se Ukraina është e bllokuar në “luftë të nxehtë”, për origjinën e së cilës e fajësoi Moskën.

Ky nuk është konflikt i ngrirë, kjo është luftë e nxehtë dhe është një krizë e menjëhershme, për të cilën ne të gjithë duhet të diskutojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, u tha Volker gazetarëve në qytetin Kramators, në pjesën lindore të Ukrainës, që është nën kontroll të Qeverisë.

I pyetur më vonë gjatë kësaj konference për gazetarë se nëse Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se “agresioni” rus është për tu fajësuar për situatën atje dhe jo “lufta civile”, Volker është përgjigjur në mënyrë afirmative.

Ne kemi parë çka ka ndodhur, ne e kuptojmë mënyrën se si ky konflikt ka filluar, ne e kuptojmë mënyrën se si ai po menaxhohet tash dhe për këtë arsye është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të angazhohen më tepër”, tha Volker, ish-ambasador amerikan në NATO.

Vizita e tij në pjesën lindore të Ukrainës ishte e para në rajon, prej emërimit të tij në fillim të këtij muaji, si përfaqësues special amerikan për negociata për ta përfunduar këtë konflikt, nga i cili prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë vetë.

Qeveria e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, e akuzojnë Rusinë për mbështetje të separatistëve me armatim dhe personel.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat, përkundër dëshmive substanciale për mbështetje të tillë.

Një marrëveshje për armëpushim, e nënshkruar në shkurt të vitit 2015, në kryeqytetin Minsk të Bjellorusisë, ka dështuar të arrijë ndalje të dhunës, e cila aktualisht është intensifikuar. Si Ukraina, ashtu edhe setparatistët e mbështetur nga Rusia,e akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes.

Kurt Volker i ka thënë Radios Evropa e Lirë se intensifikimi aktual i armiqësive, me ç’rast janë vrarë së paku nëntë ushtarë ukrainas gjatë 72 orëve të fundit, është veçanërisht shqetësues.

Gjatë vizitës në qytetin Avdijivk, që është nën kontroll të Qeverisë, afër linjës së parë të frontit, ai tha se ishte i “shokuar” që muret e ndërtesave ku jetonin civilët, ende shkatërrohen nga sulmet direkte artilerike.

Kurt Volker theksoi se ishte i shokuar edhe me çmimin njerëzor të luftës, për të cilën ai bisedoi me mësuesit e një shkolle, që kishin përjetuar disa vite të luftës dhe me një person, i cili “i kishte humbur këmbët dhe duart e tij” kur një predhë kishte eksploduar në rrugën ku ishte ai.

Mëtutje, i dërguari amerikan ka biseduar edhe për ndikimin e luftës në ekonominë lokale, me ç’rast u takua me një person, biznesi i të cilit ishte marrë nga forcat e mbështetura nga Rusia, në qytetin lindor Donjeck, dhe e kishin detyruar atë të largohet nga ky qytet.

I pyetur se a planifikon ta vizitojë edhe anën tjetër të linjës së frontit, Volker u tha banorëve lokalë dhe mediave se planifikon “të takohet me kolegun rus në një moment”.

Mendoj se takimi me rusët është ajo që ne duhet ta bëjmë me qëllim që të fitojmë perspektivë, perspektivë strategjike, se si ta zgjidhim këtë” situatë, tha Kurt Volker.

Departamenti amerikan i Shtetit më herët ka njoftuar për vizitën e tij në pjesën lindore të Ukrainës, me ç’rast theksohej se Volker do të “takohej me ata që janë prekur nga agresioni rus” dhe do të “diskutojë për rëndësinë e sigurisë për të gjithë ukrainasit”.

Ai takon zyrtarët e lartë ukrainas në Kiev për të “diskutuar për rrugën kah ripëtritja e sovranitetit territorial dhe integritetit të Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Përgatitit: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG