Dronët ukrainas sulmuan ndërtesa energjetike dhe ushtarake në Shën Peterburg para nisjes së një forumi të madh ekonomik që mbahet në qytet, një ditë pasi Moska vrau 23 persona përmes sulmeve shkatërruese në mbarë Ukrainën.
“Objekte të rëndësishme në territorin rus u goditën natën e kaluar”, tha presidenti Volodymyr Zelensky më 3 qershor, duke shtuar se, ato që ai i quajti “sanksione me rreze të gjatë veprimi” të Ukrainës kundër Rusisë, arritën në një zonë rreth 1.100 kilometra larg kufirit shtetëror.
Zelensky tha se sulmi i fundit i Kievit kishte në shënjestër një depo nafte në Shën Petersburg, një “objekt të industrisë së naftës së Rusisë që shërben për përpjekjet e luftës”, bazën detare të Kronstadtit dhe një objekt ushtarak në rajonin Tambov të Rusisë.
Për më tepër, komandanti i forcave të sistemeve pa pilot të Ukrainës, Robert Brovdi, tha se sulmet me dronë kanë dëmtuar një korvetë raketore ruse në Kronstadt, e cila kishte qenë e stacionuar në bazë për riparime, të planifikuara disa muaj më parë. Radio Evropa e Lirë nuk mundi ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Sulmi vjen në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj objektivave energjetike dhe ushtarake thellë brenda Rusisë, duke penguar aftësinë e vendit për të përfituar nga rritja e ndjeshme e çmimeve të naftës, të cilat janë rritur si pasojë e luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin.
Autoritetet lokale ruse konfirmuan se dronë ukrainas kanë shënjestruar shtetin, duke thënë se dhjetëra prej tyre janë rrëzuar nga forcat ruse, teksa kanë raportuar dëme në infrastrukturën civile, edhe pse nuk kanë përmendur nëse ka pasur sulme ndaj caqeve energjetike apo ushtarake.
I pyetur për sulmin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “përgjigjet” ndaj veprimeve të tilla tashmë janë pjesë e punës sistematike të ushtrisë ruse.
Zelensky publikoi video që tregonin dronë duke goditur objektet, me zjarre që shkaktoheshin dhe shtëllunga tymi që ngriheshin në qiell mbi rajonin e Leningradit, një zonë e rëndësishme dhe e largët që është bërë një cak i shpeshtë i sulmeve ukrainase në vitin 2026.
Pamje të ngjashme u shpërndanë gjerësisht në kanalet ukrainase dhe ruse në Telegram.
Forumi Ekonomik i Shën Petersburgut
Sulmi më i fundit ukrainas ndaj Shën Petersburgut përkoi me fillimin e ngjarjes kryesore ekonomike të Rusisë gjatë vitit, e cila synon të tërheqë investime të huaja në vend – edicionin e 29-të të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petersburgut.
Duke u zgjuar nga sulmet me dronë, qyteti i dytë më i madh i Rusisë dhe vendlindja e presidentit Vladimir Putin, tani do të jetë mikpritës i edicionit të pestë të këtij forumi teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.
Forumi ndiqet çdo vit nga Putini dhe prej kohësh ka shërbyer si një nga platformat e tij më të rëndësishme, me liderë nga vendet post-sovjetike që përbëjnë një pjesë të madhe të listës të të ftuarve.
Më 3 qershor, Peskov konfirmoi se Putin pritet të mbajë një fjalim edhe në edicionin e sivjetmë të forumit, duke shtuar se presidenti rus do të trajtojë si çështjet ekonomike ashtu edhe ato politike.
Megjithatë, ndonëse në forumin e 29-të do të marrin pjesë edhe një zyrtar amerikan dhe figura të mediave ndërkombëtare, ai mund të lihet në hije nga kërcënimi i sulmeve nga Kievi.
Sulmet e intensifikuara ukrainase kanë bërë që autoritetet ruse që të reduktojnë planet për ngjarjet e 9 majit në Moskë, duke hequr armët e rënda nga parada ushtarake e vendit, për herë të parë pas gati dy dekadash.
Tani, sipas Astra-s, forcat ukrainase kanë goditur një depo nafte në Shën Petersburg, vetëm 17 kilometra larg nga vendi ku mbahet forumi ekonomik i këtij viti.
Një tjetër aspekt i zymtë i këtij edicioni të forumit vjen nga trendët e përgjithshme ekonomike brenda Rusisë, të cilët tregojnë pak shenja rritjeje, ndërsa vendi vazhdon përpjekjet për të marrë më shumë territor ukrainas.
Gjatë viteve të fundit, Kremlini e ka riorientuar vendin drejt një ekonomie lufte, duke shpenzuar shuma rekord për rekrutimin dhe pagat e ushtarëve, si dhe për ndërtimin e fabrikave dhe rrjeteve të transportit për prodhimin e armëve, tankeve, avionëve dhe dronëve, dhe dërgimin e tyre në vijat e frontit.
“Sulme të tmerrshme” ndaj Kievit dhe Dnipros
Sulmi në Shën Petersburg vjen pas një sulmi masiv rus me dronë dhe raketa që goditi qytetet ukrainase më 2 qershor, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra persona.
Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, dhe qyteti juglindor Dnipro ishin ndër më të goditurit. Zyrtarët lokalë raportuan dëme në ndërtesa banimi, në një klinikë, një pompë benzine, automjete dhe infrastrukturë tjetër, si dhe zjarre të shumta, shembje ndërtesash dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se forcat e saj kryen sulme në shkallë të gjerë duke përdorur “armë precize me rreze të gjatë veprimi” në përgjigje të atyre që i quajti “akte terroriste” ndaj caqeve brenda Rusisë.
“Thjesht, ishte e tmerrshme”, tha Yevhen Dniprovskiy, një viktimë e sulmeve ruse, për Current Time në Kiev. “Ende po dridhem, gjithë trupi im po dridhet. Nuk di si ta shpjegoj”.
Një banor i Dnipros gjithashtu e përshkroi sulmin si “të frikshëm”, duke i thënë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se ndërtesa ku ai banon “po dridhej aq fort sa mendova se do të shembej”.
Avokati i Popullit në Ukrainë, Dmytro Lubinets, i dënoi sulmet, duke thënë se “Rusia po vazhdon terrorin e saj kundër civilëve të Ukrainës” dhe se “bota duhet të veprojë” për të ndalur vrasjen e njerëzve.
Më 3 qershor, kompania shtetërore hekurudhore e Ukrainës, Ukrzaliznytsia, njoftoi se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kishte mbërritur në Kiev për një vizitë të paparalajmëruar.
“Kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme, si të gjitha të mëparshmet, sepse është një gjest solidariteti dhe mbështetjeje nga aleanca për vendin tonë”, shkroi Ukrzaliznytsia në rrjetet sociale.
Autoritetet ukrainase nuk komentuan menjëherë vizitën e Ruttes.