Ndërlidhjet

Prindërit ngurrojnë t’i vaksinojnë fëmijët


Një nxënës i shkollës së mesme Xhevdet Doda duke u vaksinuar kundër koronavirusit. Prishtinë, 24 nëntor 2021.

Zahide Uka - Rraci ka vendosur t’i vaksinojë të dy fëmijët e saj kundër koronavirusit: njëri 16 vjeç, tjetri 13.

Uka - Rraci, që vetë është infermiere në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, thotë se vaksinimi i ka ofruar një ndjenjë sigurie.

“Unë nga 29 marsi, kur edhe ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit [në Kosovë], jam në qendër të vaksinimit. Po të ishte diçka që ndikon keq në shëndetin e fëmijëve, unë nuk do t’i vaksinoja fëmijët e mi. As fëmijët nuk kanë hezituar fare për vaksinim”, thotë Uka - Rraci për Radion Evropa e Lirë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka miratuar vaksinimin e fëmijëve 12 deri në 15 vjeç më 2 nëntor.

Brenda tri javësh, mbi dymijë fëmijë të kësaj grupmoshe e kanë marrë vaksinën Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, bën të ditur Zyra për informim e kësaj ministrie.

“Është një interesim solid, por që pritet të rritet. Ekipet e vaksinimit janë të gatshme për të vaksinuar nëpër shkolla, prandaj është me rëndësi që prindërit të konfirmojnë vaksinimin e tyre dhe të fillohet menjëherë me procesin e vaksinimit [në shkolla]”, thotë Zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Numri i fëmijëve 12 deri në 15 vjeç në Kosovë, respektivisht i nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është rreth 99 mijë.

Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë nëpër shkolla materiale informuese për vaksinimin e fëmijëve, si dhe deklaratën e pajtueshmërisë, të cilën duhet ta nënshkruajë prindi ose kujdestari ligjor i fëmijës, në këtë rast nxënësit.

Shasivari: Vetëm 30 prindër kanë nënshkruar deklaratën e pëlqimit për vaksinim

Në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, deklarata e pajtueshmërisë ka nisur të shpërndahet fundjavën e 20-21 nëntorit. Deri të mërkurën, më 24 nëntor, atë e kanë nënshkruar vetëm 30 prindër.

Deklarata e pëlqimit që duhet ta nënshkruajnë prindërit në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të vaksinohen kundër koronavirusit.
Deklarata e pëlqimit që duhet ta nënshkruajnë prindërit në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të vaksinohen kundër koronavirusit.

Zëvendësdrejtori i shkollës, Nehar Shasivari, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata u është dërguar prindërve apo kujdestarëve të 803 nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

“Prej 803 nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën janë vetëm pesë nxënës që kanë deklaruar te kujdestarët e klasave se janë të vaksinuar”, thotë Shasivari.

Fitore Hasani, nënë e një vajze në klasën e shtatë në shkollën fillore “Dardania”, thotë se heziton ta nënshkruajë deklaratën për vaksinimin e fëmijës së saj 12 vjeç.

“Për momentin është qetësuar gjendja dhe, sipas mjekëve, koronavirusi nuk po ndikon keq te fëmijët. Nëse përkeqësohet situata, do ta vaksinoj. Besoj në vaksinim, por jo në këtë situatë”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, koronavirusi prek edhe fëmijët, por më pak ose më lehtë sesa të rriturit.

“Koeficienti i vdekshmërisë te fëmijët është shumë i ulët, por ata e bartin virusin. Fëmijët shkojnë në shkolla, në aktivitete të lira dhe mendoj se patjetër duhet të bëhet vaksinimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ragip Retkoceri, pediatër në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për dallim nga vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë, Kosova aktualisht ka një situatë më të qetë epidemiologjike.

Në dhjetë ditët e fundit, autoritetet shëndetësore në vend kanë konfirmuar 89 raste të reja me koronavirus dhe tri viktima.

Për krahasim, Shqipëria vetëm më 23 nëntor ka shënuar 556 raste të reja dhe katër viktima. Në po këtë ditë, Serbia ka shënuar 3,033 raste të reja dhe 54 viktima, Maqedonia e Veriut 490 raste të reja dhe 15 viktima, Bosnje e Hercegovina 594 raste të reja dhe 29 viktima, Mal të Zi 354 raste të reja dhe tetë viktima.

Nga vendet e rajonit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po ashtu janë duke vaksinuar fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Këto grupmosha vaksinohen edhe në pjesën më të madhe të Evropës, ndërsa në Shtetet e Bashkuara ka javë që ka nisur edhe vaksinimi i fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç.

Vaksinimi kundër koronavirusit në Kosovë ka nisur në fund të marsit, fillimisht vetëm për personat 18 vjeç e lart.

Nga muaji gusht kanë mundur të vaksinohen edhe mbi 16-vjeçarët.

Nxënësit e shkollës së mesme "Xhevdet Doda" duke pritur në radhë për t'u vaksinuar. Prishtinë, 24 nëntor 2021.
Nxënësit e shkollës së mesme "Xhevdet Doda" duke pritur në radhë për t'u vaksinuar. Prishtinë, 24 nëntor 2021.

Javëve të fundit është vërejtur rënie e interesimit për vaksinim në përgjithësi në Kosovë.

Nga 20 mijë doza të dhëna gjatë një dite në muajin shtator, ditëve të fundit jepen mesatarisht 2,000 doza në ditë.

Deri më 23 nëntor, mbi 42 për qind e popullatës së përgjithshme të Kosovës është vaksinuar plotësisht.

Me qëllim të rritjes së shkallës së vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka vendosur të mërkurën një ekip mobil për imunizim edhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG