Ndërlidhjet

Mos e quani mobilizim: Rekrutëve në mbarë Rusinë u jepen urdhra të rinj


Rekrutët ruë pranë një qendre rekrutimi në Krasnodar, Rusi. 25 shtator 2022.
Rekrutët ruë pranë një qendre rekrutimi në Krasnodar, Rusi. 25 shtator 2022.

Në Voronezh, në jug të Moskës, zyrat për rekrutim po u dërgojnë urdhra burrave që kanë moshën për luftë, duke u thënë atyre që t'i përditësojnë informacionet e tyre të kontaktit.

Njëjtë edhe në rajonin Penza, që gjendet më tej në lindje, “po kryhet qartësimi i të dhënave personale”, tha një zyrtar ushtarak për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA-Novosti. Ky ushtarak nuk deshi të identifikohej.

Rasti i njëjtë është edhe në Udmurtia, në rajonin e lumit Vollga, një fakt që shtyu guvernatorin rajonal të shfaqej në televizionin shtetëror për të siguruar njerëzit se nuk po zhvillohet një mobilizim i detyrueshëm, por thjesht është një thirrje për vullnetarët që janë të gatshëm “të mbrojnë atdheun dhe interesat e tij”.

Në 13 muaj që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi atë që tashmë është lufta më e gjatë tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, forcat ruse kanë pësuar, siç thonë zyrtarët perëndimorë, viktima në përmasa “katastrofale”. Sipas vlerësimeve të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, numri i ushtarëve të vrarë apo të plagosur është afër 200.000.

Sa i përket Ukrainës, që në mënyrë strikte ka mbajtur të fshehur numrin e humbjeve, Kievi mund të ketë regjistruar të paktën 120.000 viktima, ka raportuar Washington Post.

Por, Rusia e përballur me dështime të vazhdueshme në fushëbetejë, qe dy herë është duke zhvilluar fushata për rekrutimin e burrave për të luftuar.

Në shtatorin e vitit 2022, Putin tronditi shumë rusë kur njoftoi për mobilizimin e rezervistëve dhe ushtarakëve të tjerë, duke synuar mobilizimin e 300.000 personave.

Me ofensivën dimërore në rajonin lindor të Donbasit që ka hyrë në muajin e dytë dhe me Ukrainën që po përgatitet për ofensivën e saj pranverore, zyrtarët rusë sërish po përpiqen të rrisin numrin e luftëtarëve.

Të paktën 42 rajone të shtetit tani po thërrasin burrat që janë në moshë për luftë, sipas avokatit për të drejtat e njeriut, Pavel Chikov.

Një ueb-faqe që është e njohur për mbështetjen e politikave qeveritare tha se shteti po synon të mobilizojë deri në 400.000 persona.

Por, çfarëdo që është kjo fushatë, Kremlini insiston se nuk është mobilizim.

“Nuk ka shumë diskutime”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 15 mars, kur u pyet nga gazetarët “nëse Kremlini po diskuton për valën e dytë të mobilizimit”.

Por, nëse ende nuk është një thirrje e detyrueshme për luftë, shumë shpejt mund të shndërrohet në një të tillë.

“Unë jam i mendimit se ata duhet të bëjnë një mobilizim të ri herët ose vonë”, tha Dara Massicot, hulumtuese e mbrojtjes në RAND Corportation, një institut me seli në Shtetet e Bashkuara.

“Çështja tani është se si do ta bëjnë. Opsioni A është të zhvillojnë mobilizime të vogla, por të vazhdueshme. Opsioni B është mobilizimi masiv”.

“Mbushja e radhëve përmes mobilizimit të vogël e të vazhdueshëm: kjo është ajo që sistemi mund të mbështesë. Kjo është ajo që Kremlini do të dëshironte për stabilitet të brendshëm”, tha ajo dhe shtoi:

“Janë metoda ad-hoc për të rritur numrat dhe kur kjo nuk i arrin numrat e dëshirueshëm, ata do të duhet ta përshkallëzojnë procesin”.

“Vala e dytë e mobilizimit ka nisur”

Për vite me radhë, Rusia është përpjekur të modernizojë dhe përmirësojë praktikat dhe strukturën e forcave të epokës sovjetike, për t’i bërë forcat e saj të armatosura më të shkatha dhe më profesionale.

Megjithatë, komandantët rusë kanë refuzuar që t’i japin fund rekrutimit të detyrueshëm, dhe të gjithë burrat nga mosha 18 deri në 27 vjeç janë të detyruar të shërbejnë një vit në ushtri.

Sipas ligjit, ata rekrutë nuk mund të shërbejnë jashtë kufijve të Rusisë apo në zonat e luftës, edhe pse në fillim të pushtimit mund të jetë bërë një dislokim i gabuar në Ukrainë i një numri të vogël të rekrutëve.

Për muaj të tërë, ndërsa pushimi i Ukrainës u shndërrua në një luftë shkatërruese, zyrtarët ushtarakë rusë kanë sinjalizuar se ka të ngjarë se duhen trupa të reja për fushatën e luftës.

Verën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes zhvilloi një fushatë për marrëdhëniet me publikun për të tërhequr më shumë vullnetarë, të quajtur “kontraktniki”. Kjo përpjekje, që u përforcua nga përpjekja më e fuqishme e kompanisë famëkeqe private të mercenarëve, Wagner, e cila rekrutoi të burgosur në këmbim të faljes së dënimeve.

Më herët, Kremlini po ashtu ndryshoi kufizimet e moshës për personat që mund të shërbejnë si vullnetarë.

Në dhjetor, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Rusia në përgjithësi do të rrisë forcat e saj të armatosura në 1.5 milion, edhe pse ai tha se ky vendim gjerësisht është nxitur për shkak të zgjerimit të NATO-s, veçanërisht për shkak të aplikimit të Finlandës për t’u bërë anëtare e aleancës.

Urdhri i Putinit për mobilizimin e shtatorit ishte lëvizja më dramatike.

Megjithatë, procesi shpejt u bë i shëmtuar, me një sërë ankesash të publikuara nga njësitë e sapoformuara dhe nga të afërmit e tyre për cilësinë e armatimit dhe të pajisjeve që po u shpërndaheshin, për trajnimin që morën ose për komandantët që mbikëqyrnin dislokimet.

Sipas ueb-faqes Ura.ru, fushata e re e rekrutimit po mbikëqyret nga Dmitry Medvedev, ish-president i Rusisë, i cili tani është komentues për luftën dhe nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Putinit. Kjo fushatë e rekrutimit synon që të grumbullojë 400.000 ushtarë të rinj në të gjithë Rusinë.

Kjo ueb-faqe raportoi më 10 mars se zyrtarët kanë lëshuar kuota rekrutimi për autoritetet ushtarake rajonale: për shembull 10.000 rekrutë për rajonet Sverdllovsk dhe Çeliabinsk, 9.000 për rajonin e Permit.

Në Voronezh, qeveria rajonale njoftoi më 14 mars se urdhrat po dërgohen për një numër të paspecifikuar të burrave.

“Veçanërisht, ne theksojmë se qëllimi i vetëm i këtyre ngjarjeve është vetëm përditësimi i të dhënave të regjistrit ushtarak në zyrat e regjistrimit dhe ato të rekrutimit në Voronezh”, thanë autoritetet përmes një postimi në Telegram. “Kjo është një punë e zakonshme në zyrën e regjistrimit dhe rekrutimit ushtarak, që vazhdimisht kryen qartësime të të dhënave të regjistrit ushtarak”.

Massicot tha se ajo ishte e pasigurt nëse thirrjet e vazhdueshme me postë janë në fakt një përpjekje formale e rekrutimit, apo thjesht rekrutuesit ushtarakë po përpiqeshin të përgatisnin bazën e të dhënave të tyre dhe sistemet e tjera për kohën kur të nisnin mobilizimin e vërtetë.

Sidoqoftë, ajo shprehu dyshim se zyrtarët do të jenë në gjendje të arrijnë synimin e vendosur për rekrutim.

“Shumë nga kjo është thjesht fantastike: kush do të regjistrohet në ushtrinë ruse nëse nuk detyrohet?”, tha ajo. “Po, përfitimet materiale janë motiv deri diku. Por, prapë...”.

Nikolai Mitrokhin, një sociolog rus në Universitetin e Bremenit në Gjermani, tha se 31 rajone veçse kanë nisur të dërgojnë dokumentet e regjistrimit.

“Vala e dytë e mobilizimit ka nisur në Rusi”, tha ai përmes një postimi në Telegram. “Deri më tani, është e dukshme se ata po testojnë sistemin elektronik që të jetë i gatshëm. Por, nuk është e qartë se kush do të thirret. Ose të gjithë ata që plotësojnë kriteret, apo vetë ata që nënshkruajnë kontratë për të shërbyer", tha ai.

Mitrokhin, po ashtu, spekuloi se zyrtarët nuk do të ishin në gjendje të plotësonin kuotat në disa vende, dhe më pas do të detyroheshin që të përdornin masa shtrënguese për të detyruar burrat që të regjistroheshin për luftë.

Në rajonin jugor siberian të Çitës, mediat kanë cituar Yury Shuvalov, një rekrutues ushtarak, të ketë thënë se klasat e reja të trajnimeve po organizoheshin gjithashtu për rezervistët, në linjë me thirrjet për luftë që po dërgoheshin.

Ndërkohë, rekrutimi dy herë i rekrutëve ushtarakë – që është i ndarë nga çdo mobilizim shtesë – është paraparë të nisë më 1 prill. Zyrtarët rusë kanë thënë se shpresojnë të rekrutojnë 170.000 deri në 200.000 burra në fushatën e rekrutimit të pranverës.

Verstka, një ueb-faqe online e lajmeve, citoi zyrtarë të paidentifikuar në Voronezh dhe një zyrtar nga rajoni i Siberisë, të kenë thënë se fushata e mobilizimit do të përqendrohet për momentin te vullnetarët; askush nuk do të rekrutohet me forcë dhe nuk do të dërgohet në Ukrainë.

“Ju mund të refuzoni ofertën për të shkuar në front”, citohet të ketë thënë një zyrtar për Verstka.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG