Ndërlidhjet

Katër vatra të zjarrit janë aktive në Kosovë


Zjarret në fshatin Bukosh të Suharekës. 3 gusht 2021.

Në Kosovë ende janë aktive katër vatra të zjarrit nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar, tha për Radion Evropa e Lirë, Nehat Koqinaj zëdhënës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

“Vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional 'Bjeshkët e Nemuna' dhe në Janjevë, Komuna e Lipjanit”, tha ai.

Komuna e Suharekës, që tri ditë është duke u ballafaquar me shpërthime të zjarreve në disa fshatra. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht situata është nën kontroll.

“Gjendja është nën kontroll, por duhet të përcillet situata pasi temperaturat janë shumë të larta, ka frymë dhe aty për aty po shpërndahet zjarri. Momentalisht dëme kemi vetëm në një shtëpi, dëme ka në bujqësi, për fat të mirë zjarri është ndërprerë te zona industriale edhe te disa familje në fshatin Studençan. Jemi në gjendje gatishmërie, duke i falënderuar edhe vullnetarët të cilët po dalin në ndihmë aty ku ka vatra të zjarrit”, tha Muharremaj.

Këtë komunë, të martën në mëngjes e vizitoi kryeministri, Albin Kurti i cili bëri thirrje për kujdes të shtuar.

Ndërkaq, pas një ngjarjeje në Prishtinë, Kurti tha për mediat se komunat nuk kanë zjarrfikës të mjaftueshëm, pavarësisht se mund të kenë pajisje për shuarjen e zjarreve. Andaj ai tha se edhe komunat fqinje po i ndihmojnë komunat më të rrezikuara, por gjithashtu institucionet kanë kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë si dhe të misionit të KFOR-it.

"Besoj që mbajtja nën kontroll e këtyre zjarreve të egra paraqet një sfidë të madhe për shtetin tonë, por duke iu falënderuar qytetarëve, pra vullnetarëve, kemi arritur që tash për tash të mos kemi dëme të mëdha materiale dhe sidomos të mos kemi dëme në njerëz", tha Kurti.

Ende nuk ka të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara nga zjarri, por zyrtarë të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave thanë për REL-in se deri më tani, në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna” vlerësohet se nga zjarret janë përfshirë 50 hektarë sipërfaqe, por jo e tërë kjo hapësirë është shkatërruar.

Dëmet tjera materiale ka në Komunën e Suharekës në një shtëpi banimi dhe stallë e bagëtive. Në Komunën e Malishevës, autoritetet thanë se është djegur një stallë bagëtive dhe po ashtu dy në Novobërdë.

“Vlerësimi komplet i dëmeve bëhet pasi të përfundojë fatkeqësia”, thonë nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

Arrestime për zjarrvënie të qëllimshme

Për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë janë duke u angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Ai tha se këto njësi janë duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.

Përkundër temperaturave të larta, ministri Sveçla tha se “kemi hasur raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta”.

Ai po ashtu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdesin maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos të ndezin zjarre, përndryshe autoritetet kompetente do të jenë të pakompromis ndaj sjelljeve të tyre të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën se ka arrestuar një person 67 vjeç, në fshatin Gojbulë në Komunën e Vushtrrisë, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm- zjarrvënie.

“Zyrtarët policorë gjatë veprimeve hetimore kanë arritur të identifikojnë pronarin i cili në këtë rast ka vetshkaktuar ndezjen e hamullores në arën e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, thuhet në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës theksojnë se gjatë ditëve të ardhshme pritet të ketë ulje të ndjeshme të temperaturave, me mundësi të reshjet e shiut. Besim Aliu nga ky institut, tha se temperaturat pritet të ulen gjatë ditës së enjte dhe të premte.

“Pastaj, parashihet të ketë edhe reshje shiu, por ato reshje do të jenë në formë të stuhive, për shkak të ndryshimeve në fushat barike dhe termike, që do krijojnë edhe erëra ku do jenë nga 10-12 metra për sekondë”, thekson Aliu.

Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.

Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG