Ndërlidhjet

Shkon në 153 numri i të vdekurve në Korenë e Jugut


Anëtarët e ekipit të shpëtimit bartin një trup të pajetë në vendin ku shumë njerëz vdiqën gjatë Festivalit të Halloween-it në Seul, Kore e Jugut. 30 tetor 2022.
Anëtarët e ekipit të shpëtimit bartin një trup të pajetë në vendin ku shumë njerëz vdiqën gjatë Festivalit të Halloween-it në Seul, Kore e Jugut. 30 tetor 2022.

Ka shkuar në 153 numri i personave që kanë vdekur nga shtypjet gjatë natës së festimit të Halloween-it (Natës së Shtrigave) në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Ndërsa 133 të tjerë janë plagosur, ku 37 prej tyre pësuan lëndime të rënda.

Mes të vdekurve janë edhe 20 shtetas të huaj, thonë shërbimet e urgjencës në Seul, raporton BBC.

Incidenti vdekjeprurës i 30 tetorit, i cili raportohet se ka nisur pas orës 22:00 me orën lokale, ndodhi në Itaewon - një zonë të njohur të jetës së natës - në festimin e parë të Halloween-it që nga pandemia e koronavirusit.

Policia koreane thotë se 141 nga 153 personat e vdekur janë identifikuar dhe familjet e tyre janë njoftuar, raporton agjencia koreano-jugore e lajmeve, Yonhap.

Pamjet e një nate më parë nga Seuli shfaqin dhjetëra kufoma të mbuluara, zyrtarë të emergjencës që intervenojnë te të lënduarit dhe njerëz që ndihmojnë njëri-tjetrin për të shpëtuar nga shtypja.

Ekipi i shpëtimit dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes ku mbi 140 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë festivalit Halloween në Seul, Koreja e Jugut. 30 tetor 2022.
Ekipi i shpëtimit dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes ku mbi 140 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë festivalit Halloween në Seul, Koreja e Jugut. 30 tetor 2022.

Raportohet se kishte paralajmërime se rrugët do të ishin të mbushura me njerëz, por ende nuk dihet se si filloi përplasja e turmës.

Aktori Park Jung-hoon tha se turmat ishin "disa dhjetëra herë më të mëdha" se në Krishtlindje ose gjatë shfaqjeve të fishekzjarreve.

Reagimet ndërkombëtare

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në Twitter se ndihet i pikëlluar për atë që ndodhi në Seul.

“Ngushëllimet tona më të thella për familjarët dhe miqtë e të vdekurve dhe të plagosurve”, ka shkruar mes tjerash ai.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron ka shprehur ngushëllimet e tij për popullin korean.

“Franca është me ju”, ka shkruar ai në Twitter.

Lideri kinez, Xi Jinping, i ka dërguar një mesazh homologut të tij të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, duke i ofruar ngushëllime viktimave dhe familjeve të tyre, raporton media shtetërore kineze CCTV.

Ai tha se në këtë fatkeqësi kishin humbur jetën katër kinezë dhe dy të tjerë ishin lënduar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG