Ndërlidhjet

Vdiq ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani


Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë të shtunën, më 28 maj, nga komplikimet shëndetësore si pasojë e betejës disamuajshe me COVID-19. Ai ishte 56 vjeç.

Nishani ndërroi jetë në një spital në Gjermani, ku ishte dërguar para një muaji për përkujdesje intensive pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai po ashtu vuante nga një sëmundje auto-imune.

Nishani u zgjodh president i Shqipërisë në vitin 2012 dhe shërbeu në këtë pozitë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.

Në këtë pozitë erdhi nga një karrierë akademike pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe angazhimit disa vjeçar në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në dekadën e parë të tranzicionit demokratik.

Nishani ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ka shërbyer si deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005.

Ai ka mbajtur pozitën e ministrit të Brendshëm në vitin 2007 dhe në vitin 2011, ndërsa atë të ministrit të Drejtësisë në vitin 2009.

I njohur për një maturi publike, Nishani ishte presidenti i gjashtë i Shqipërisë. Ai ishte angazhuar për orientimin pro-evropian të Shqipërisë dhe ishte përkrahës i reformave për anëtarësimin e shtetit të tij në Bashkimin Evropian.

Ishte avokues për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale për të forcuar stabilitetin në rajon dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ish-presidenti Nishani ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Liderët shqiptarë vlerësojnë lartë ish-presidentin Nishani

Figura kyçe të politikës në Shqipëri e Kosovë ngushëlluan familjen Nishani, duke kujtuar veprimtarinë e tij.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e quajti Nishanin një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

“Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt”, tha Meta.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, duke shprehur ngushëllimet e saj, vlerësoi lartë kontributin e Nishanit në të gjitha postet e tij publike, duke thënë se ai shërbeu me përkushtim për Shqipërinë.

Sali Berisha, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Nishani, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ka shprehur ngushëllimet e tij.

"Ish-presidenti Bujar Nishani, ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetas i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë nder dhe vlerë institucioni të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë", tha Berisha përmes një postimi në Facebook.

Kosova vlerëson kontributin e Nishanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Nishani përkahu parreshtur Kosovën "deri në frymën e fundit".

"Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet", tha Osmani.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Nishani, shprehu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se Nishani dha "mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo".

Ndërkaq, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që e kishte homolog gjatë mandatit të saj e kujtoi bashkëpunimin e thellë me Nishanin, duke thënë se ai ka qenë një figurë unifikuese.

Në vizitën e fundit në Kosovë më 2017, teksa përmbyllte mandatin e presidentit, Bujar Nishanit iu nda mirënjohja "Urdhri i Lirisë".

Presidenti Nishani viziton Kosovën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Kjo mirënjohje iu dha për kontributin për "popullin shqiptar dhe angazhimin për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme”.

XS
SM
MD
LG