Emërime të bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike, alokime të mjeteve buxhetore, shpronësime, dhënie me qira të tokës publike, emërime të komisioneve për pranimin e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese dhe emërime në pozita të larta institucionale.
Këto janë disa nga vendimet që i ka marrë Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Gjatë kësaj periudhe, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka marrë plot 75 vendime në 11 mbledhje qeveritare.
Përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile vlerësojnë se disa prej vendimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjin për Qeverinë.
Sipas tyre, një qeveri në detyrë duhet të kufizohet në aktivitetet e domosdoshme dhe në zbatimin e agjendës së planifikuar më herët.
Vendimet që po kontestohen
Qeveria Kurti - në detyrë që nga shpërbërja e Kuvendit të Kosovës, si rezultat i dështimit të tij në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit - ka ndërmarrë procedura për emërimin e individëve në pozita të larta drejtuese edhe pas zgjedhjeve.
Ajo ka emëruar një komision të pranimit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe në atë të Ministrisë se Shëndetësisë.
Qeveria në detyrë ka ngritur komisione të ngjashme edhe për poste të tjera, përfshirë atë të drejtorit ekzekutiv për Thesarin e Kosovës.
Ajo ka emëruar Ragmi Dalipin drejtor të përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Përveç emërimeve, Qeveria në detyrë ka marrë edhe vendime që prekin pronën publike.
Ajo ka vendosur për dhënien me qira të rreth 10 hektarëve tokë në komunën e Hanit të Elezit për 15 vjet, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.
Me kohëzgjatje dhe qëllim të njëjtë, tokë është dhënë me qira edhe në komunën e Ferizajt dhe në atë të Shtimes.
Por, për Gzim Shalën, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), këto vendime bien ndesh me Ligjin për Qeverinë.
Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se ligji ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike dhe marrjen e vendimeve që nuk janë të domosdoshme - siç është dhënia me qira e pronave.
“Kjo situatë cenon parimet e sundimit të ligjit, sepse kemi të bëjmë me një situatë të qartë, që është e kundërligjshme dhe është kundërkushtetuese, dhe prapë vazhdon”, shprehet Shala.
Liridon Salihi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria në detyrë mund të emërojë kandidatë në pozita publike vetëm nëse procedurat për plotësimin e këtyre pozitave janë iniciuar në kohën kur Qeveria ka qenë me mandat të plotë.
Radio Evropa e Lirë kërkoi qëndrimin e Qeverisë në detyrë lidhur me pretendimet për tejkalim të kompetencave, por nuk mori ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.
Çka thotë Ligji për Qeverinë?
Ligji për Qeverinë përcakton se një qeveri në detyrë ka kompetenca të kufizuara, që nuk mund t’i tejkalojë. Në mënyrë të qartë ndalohet marrja e vendimeve të rëndësishme.
Sipas këtij ligji, një qeveri në detyrë mund t’i zbatojë vetëm aktivitetet e domosdoshme, të planifikuara në planin vjetor dhe në Ligjin për Buxhetin. Asaj nuk i lejohet të miratojë iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi, e as të miratojë projektligje, ndryshime kushtetuese, strategji apo dokumente konceptuale. Ligji thotë, po ashtu, se një qeveri në detyrë nuk mund të nisë procedura të reja për emërime në funksione publike, e as të propozojë kandidatë për pozita që kërkojnë miratimin e Kuvendit.
Për Shalën e Salihin, situata është bërë edhe më komplekse pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, teksa disa anëtarë të kabinetit qeveritar në detyrë janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tyre, të gjitha vendimet e anëtarëve të Qeverisë, të cilët janë njëkohësisht edhe deputetë, janë vendime të kundërligjshme.
Ligji për Qeverinë parasheh që nëse një anëtar i kabinetit qeveritar zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i ministrit para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi më 8 korrik rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Edhe neni 72 i Kushtetutës se Kosovës thotë se “deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv”.
Kontestimi i vendimeve shkon në Prokurori
Shala nga IKD kujton edhe një vendim të vitit të kaluar të Gjykatës Supreme, në të cilin është konstatuar se ushtrimi i njëkohshëm i këtyre dy funksioneve është në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata konstatoi se një qeveri në detyrë mund të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme dhe ato të planifikuara, dhe se nuk ka të drejtë të miratojë akte të reja nënligjore.
“Qytetarët duhet ta kuptojnë qartë se personat që ligji nuk i lejon të veprojnë si anëtarë të qeverisë, po marrin vendime në emër të shtetit dhe po krijojnë detyrime që mund të rëndojnë institucionet për shumë vite”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.
Salihi nga GLPS thotë se të gjitha vendimet që kanë tejkaluar kufizimet e Qeverisë në detyrë ose ato vendime që janë marrë nga përbërja e kundërligjshme, ku anëtarët e Qeverisë njëkohësisht kanë mbajtur edhe pozitën e deputetit, duhet të rishikohen dhe të anulohen.
“GLPS vlerëson që çfarëdo veprimi që i pason këto vendime është i kontestueshëm, pasi përbërja e organit kolegjial që i ka nxjerrë të njëjtat ka qenë në papajtueshmëri me legjislacionin në fuqi”, pohon ai për Radion Evropa e Lirë.
Debati për ligjshmërinë e veprimeve të Qeverisë në detyrë u intensifikua pas një mbledhjeje që ajo e mbajti më 12 gusht.
Aleanca, parti parlamentare, paralajmëroi se do të paraqesë rast në Prokurori për 18 vendime të Qeverisë në detyrë.
Këto vendime lidhen, kryesisht, me emërimin e komisioneve për procedurat e pranimit në institucione publike.
Besnik Tahiri, deputet i Aleancës në Kuvendin e Kosovës, tha për media se konsideron që këto vendime janë marrë në kundërshtim me ligjin, dhe se Qeveria në detyrë po e përdor administratën për interesa partiake.