Ndërlidhjet

Venezuela po përballet me krizë të thellë humanitare


Ura Tienditas, që gjendet në kufirin ndërmjet Venezuelës dhe Kolumbisë është bllokuar, me qëllim të parandalimit të hyrjes së ndihmave humanitare. 6 shkurt, 2019.

Banorët e Venezuelës po përballen me mungesë drastike të ushqimit, përderisa kriza ekonomike po thellohet. Presidenti i kontestuar, Nicholas Maduro i tha BBC-së se nuk do të lejojë ndihmat për banorët, pasi pretendon se ato janë një mjet i Shteteve të Bashkuara për të ndërhyrë në Venezuelë.

Udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido i cili është njohur nga SHBA-ja dhe qeveritë perëndimore si president i përkohshëm i Venezuelës, gjatë një tubimi në kryeqytetin Karakas, ka premtuar se do të sigurojë që ndihmat humanitare, që janë bllokuar nga presidenti Maduro, të hyjnë në vend.

"Ne kemi pothuajse 300,000 banorë të Venezuelës, të cilët do të vdesin nëse ndihma nuk do të hyjë. Ka pothuajse dy milionë në rrezik shëndetësor", tha Guaido.

Ai u tha mbështetësve të tij se ndihmat humanitare do të sillet në Venezuelë më 23 shkurt.

Të dërguarit e Guaidos u takuan me zyrtarët brazilianë këtë javë dhe njoftuan për planet për të krijuar një qendër të dytë të depozitimit të ndihmave në shtetin e Roraima, në kufirin juglindor të Venezuelës.

Kamionët me ndihma humanitare të SHBA-së arritën javën e kaluar në qytetin kufitar Kolumbu, por u ndaluan në urën Tienditas, e cila është bllokuar nga trupat venezueliane të kontrolluara nga Maduro.

*Expose: Kaosi në Venezuelë

Kaosi në Venezuelë
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:11:13 0:00

Presidenti i kontestuar Maduro ende gëzon përkrahje të gjerë në mesin e popullatës dhe besnikërinë e ushtrisë, përderisa Qeveria e tij e majtë mbështetet nga Rusia dhe Kina.

Por, ai është nën presion kombëtar dhe ndërkombëtar për të thirrur zgjedhje të parakohshme presidenciale, mes akuzave për korrupsion të përhapur dhe shkelje të të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e tij.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Venezuelës ishin të tensionuara përpara se administrata e presidentit Donald Trump të bëhej një nga të parët që do të mbështeste liderin e opozitës, Juan Guaidon si udhëheqës të përkohshëm.

Venezuela ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në, ndërsa presidenti Trump tha se përdorimi i forcës ushtarake mbetet "një opsion".

SHBA e ka akuzuar Qeverinë e Maduros për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe korrupsion.

Rusia, të martën, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër ndërhyrjes në punët e brendshme të Venezuelës.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov i bëri komentet gjatë një telefonate me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, njoftoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka konfirmuar zhvillimin e bisedës telefonike. Moska i ka dhënë miliarda dollarë ndihmë Qeverisë së presidentit të kontestuar, Nicholas Maduro. Megjithatë, Venezuela ka rënë në kaos ekonomik.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG