Ndërlidhjet

Një parti e re apo një “Vetëvendosje” më ndryshe


Deputetët e Vetëvendosjes tashmë të ndarë në dy grupe
Deputetët e Vetëvendosjes tashmë të ndarë në dy grupe

Grupi i deputetëve të pavarur, që ishin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, pritet që së shpejti të marrë vendim nëse do të formojë parti të re. Sipas deputetëve nga ky grup, të larguarit nga Vetëvendosje janë unik në qëndrimin se rruga e tyre politike është e përbashkët.

Deputeti Frashër Krasniqi, që është në mesin e 12 deputetëve që janë larguar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, thotë se e ardhmja politike e këtij grupi është e përbashkët.

Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk kanë vendosur për formimin e ndonjë partie të re, por sipas tij, janë duke diskutuar për të marrë një vendim për të ardhmen e grupit.

“Jemi duke diskutuar dhe duke bërë debate për planet e ardhshme në raport me zhvillimet politike, por edhe me zhvillimin e këtij Grupi të Pavarur të Deputetëve. Anëtarët e këtij grupi kanë mendime të ndryshme për këtë çështje, dhe normalisht që jemi në një proces kur ne do të vijmë deri te një mendim ose vendim i përbashkët. Normalisht që rruga jonë politike do të jetë e përbashkët sipas të gjitha gjasave,” ka thënë Frashër Krasniqi.

Deputeti Krasniqi, nuk ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit në Kuvend me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mirëpo ka thënë se nuk ka asnjë element që mund t’i bënte bashkë me ish-partinë, këtë grup të deputetëve.

“Me Lëvizjen Vetëvendosje normalisht përveç mospajtimeve konceptuale dhe që lidhen me metodën e Lëvizjes Vetëvendosje, ne nuk kemi ndonjë problem dhe do të jemi të hapur që të bashkëpunojmë për temat në të cilat ne jemi dakord”, ka thënë Krasniqi.

Të martën, Kuvendi i Kosovës pritet ta vë në votim ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta votojnë demarkacionin, në mënyrë që të tejkalohet izolimi i Kosovës, marrë parasysh se ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi, mbetet kusht i vendosur nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Por, Krasniqi nuk ka treguar nëse deputetët e këtij grupi të deputetëve do të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje arriti të siguronte 32 ulëse në Kuvend. Por, zhvillimet brenda kësaj partie dhe zgjedhjet e brendshme, ndikuan në përçarje të brendshme dhe largim të disa prej figurave kyçe nga ky subjekt politik.

Largimi i 12 deputetëve të cilën formuan grupin e ri parlamentar Grupi i Deputetëve të Pavarur dhe kthimi i Donika Kadaj-Bujupit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pothuajse ka përgjysmuar numrin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili aktualisht ka 19 ulëse në Kuvend.

XS
SM
MD
LG