Ndërlidhjet

Një i vdekur dhe 16 të lënduar pasi një veturë godet turmën gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin

Hetuesit policorë kontrollojnë veturën që u përplas me turmën gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin. 26 korrik 2026.
Hetuesit policorë kontrollojnë veturën që u përplas me turmën gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin. 26 korrik 2026.

Policia gjermane është në kërkim të një 21-vjeçar, që besohet se ka lidhje me qarqe islamiste, pasi një veturë u përplas me turmën pranë festimeve për Paradën e Homoseksualëve në Berlin, duke vrarë një person dhe duke plagosur 16 të tjerë.

Incidenti i së shtunës ndërpreu paradën ku po merrnin pjesë qindra mijëra njerëz – një prej ngjarjeve më të mëdha të këtij lloji në Evropë. Pjesëmarrësit u detyruan të iknin nga vendngjarja, ndërsa sirenat e policisë u dëgjuan gjatë gjithë natës.

Policia i tha agjencisë AFP se vetura e të dyshuarit u gjet e braktisur pranë parkut Tiergarten. Autoritetet nisën një operacion kërkimi që përfshinte helikopterë dhe policë nga disa lande gjermane, në të gjithë kryeqytetin.

Policia gjermane publikoi fotografinë e të dyshuarit, të identifikuar si Abdul B.
Policia gjermane publikoi fotografinë e të dyshuarit, të identifikuar si Abdul B.

Policia dhe prokuroria u bënë thirrje qytetarëve të japin informacione për një 21-vjeçar të identifikuar si Abdul B., duke paralajmëruar se ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.

Sipas zëdhënësit të policisë, Florian Nath, i dyshuari besohet se ka lidhje me “qarqe islamiste”.

Sulmi ndodhi pak para orës 22:00 të së shtunës.

Një automjet, i ngjashëm me një minifurgon ose një SUV, h2yri në parkun Tiergarten dhe goditi disa persona”, tha policia.

Në mesin e 16 personave të plagosur, tre janë në gjendje kritike, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve të Berlinit, Dominik Pretz.

Rreth 30 persona të tjerë morën trajtim në vendngjarje pasi ishin në gjendje shoku.

Policia e përshkroi të dyshuarin si një person me trup të hollë, rreth 1.90 metra i gjatë, me flokë të zinj, i veshur me një kapuç të zi dhe pantallona të bardha.

Hetuesit thanë se besohet se disa persona janë plagosur me mjete të mprehta dhe se një ose më shumë persona janë parë duke dalë nga automjeti pas incidentit.

Një dëshmitar, i cili ndodhej pranë skenës kryesore të Paradës së Krenarisë te Porta e Brandenburgut, i tha AFP-së se festimet u ndërprenë papritur kur policia u kërkoi pjesëmarrësve të largoheshin.

Sulmi riktheu kujtimet e një sërë përplasjeve të qëllimshme me automjete dhe sulmeve në tregje që kanë tronditur Gjermaninë vitet e fundit dhe kanë nxitur një debat të ashpër mbi sigurinë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u zotua se përgjegjësit për incidentin e fundit do të përballen me drejtësinë.

Përmes një deklarate, Merz e përshkroi ngjarjen si një “akt të tmerrshëm” dhe tha se ai dhe ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, po informoheshin vazhdimisht për zhvillimet.

Kryetari i Berlinit, Kai Wegner, dënoi atë që e quajti një sulm brutal ndaj “një tubimi për një Berlin tolerant dhe paqësor”.

Policia gjermane kishte angazhuar më shumë se 2.000 efektivë për të garantuar sigurinë gjatë Paradës së Krenarisë.

Pas sulmit, operacioneve të kërkimeve iu bashkuan forca shtesë policore nga mbarë Gjermania, të mbështetura nga helikopterë të pajisur me kamera termike.

Gjermania është përballur me disa të dhunshme në hapësira publike, përfshirë një sulm me thikë në shkurt të vitit 2025 në Memorialin e Holokaustit në Berlin, pranë vendit ku ndodhi incidenti i së shtunës, ku u plagos rëndë një turist spanjoll.

Një shtetas sirian, i identifikuar vetëm si Wassim Al M., në mars u dënua me 13 vjet burg për këtë sulm, pasi gjykata konstatoi se ai kishte vepruar në emër të grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Në maj, një shtetas gjerman goditi me veturën e tij në Lajpcig qytetarët, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.

Muajin e kaluar, Taleb Jawad al-Abdulmohsen, një psikiatër saudit 51-vjeçar, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e gjashtë personave dhe plagosjen e më shumë se 300 të tjerëve, pasi në vitin 2024 kishte shkelur me makinë njerëz që ishin në tregun e Krishtlindjes në në qytetin lindor të Magdeburgut.


Ndërkaq, sulmi më vdekjeprurës i viteve të fundit ishte ai me kamion në një treg të Krishtlindjes në Berlin në dhjetor të vitit 2016, ku u vranë 12 persona.

XS
SM
MD
LG