Ndërlidhjet

Mbi 148 mijë vetura të paregjistruara sfidojnë Kartonin e Gjelbër


Prishtinë.
Prishtinë.

Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.

Kartoni i Gjelbër, vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).

Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, tha se parakushtet tjera të kërkuara nga Këshilli i Byrove në vitin 2011, janë plotësuar qysh kur është dorëzuar edhe aplikacioni për anëtarësim.

“Mirëpo mosanëtarësimi në OKB vazhdon të na penalizojë në procedim të mëtejshëm në lidhje me pranimin e Kosovës në këtë Këshill”, tha ai.

Këshilli në atë kohë, rikujton Pushkolli, kishte kërkuar që Kosova të miratojë Ligjin për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Qendrës Informative si dhe Fondin Garantues në shumën prej 4 milionë eurosh, kushte këto që, sipas tij, janë përmbushur.

Por, përveç mosanëtarësimit të Kosovës në OKB, problem mjaft serioz, thotë Pushkolli, paraqet numri i automjeteve të paregjistruara. Ai kërkon përkushtim nga drejtoria e Policisë Rrugore të Kosovës dhe po ashtu edhe të institucioneve tjera shtetërore që kjo çështje të rregullohet si në vendet e Bashkimit Evropian.

Fokusi aktual i BKS-së është në uljen e këtij numrit të veturave të paregjistruara, pasi që paraqitet si një prej parakushteve teknike për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër. Mirëpo, sipas BKS-së, për t’u arritur një gjë e tillë, duhet që përqindja të ishte jo më pak se 2 për qind e veturave të paregjistruara dhe pasiguruara. Aktualisht ky numër sipas BKS-së rezulton të jetë nga 35 deri në 50 mijë.

Edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku thotë se numri i automjeteve të paregjistruara përveç se paraqet problem në sigurimin e Kartonit të Gjelbër, paraqet rrezik serioz për jetën e qytetareve, pasi që automjetet e tilla nuk iu kanë nënshtruar fare kontrollit teknik si veprim i obligueshëm ligjor para regjistrimit të automjetit.

Prandaj, thotë ai, është e domosdoshme që institucionet e vendit, në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të nxjerrë rregullore apo edhe udhëzime përmes së cilave kërkohet që qytetarët që nuk i përdorin veturat, t’i ç’lajmërojnë, derisa ata që i përdorin, t’i regjistrojnë ato.

“Për të sjellë rregull në këtë drejtim, praktikat ekzistojnë dhe ne vetëm duhet t’i marrin dhe t’i zbatojmë”, tha Mazreku.

Drejtorati për Regjistrimin e Automjeteve në bashkëpunim me Policinë e Trafikut janë duke punuar në atë drejtim që për këto raste të aplikohen gjoba për pronarët e mjeteve që nuk e deklarojnë mjetin se ku ndodhet pasi t’i ketë skaduar regjistrimi, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës, sipas kësaj ministrie, është 148 mijë, kurse i veturave të çregjistruara 51 mijë. Ndërkaq, automjete të regjistruara, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë 356 mijë.

Sidoqoftë, deri tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetit dhe koha e qëndrimit në Kosovë.

Sipas të dhënave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të hyrat nga primet e Sigurimit Kufitar për vitin 2019, kanë qenë rreth 7.7 milionë euro, kurse pagesa e dëmeve të paguara për periudhën e njëjtë rezulton vlerën prej 7.9 milionë eurosh.

XS
SM
MD
LG