(Përgatiti: Trim Haliti)
Veturat e veçanta të udhëheqësve botërorë
Krerët e shteteve, monarkët dhe udhëheqësit fetarë të botës zotërojnë disa prej automjeteve më të veçanta. Njihuni me një pjesë të tyre.
(Përgatiti: Trim Haliti)
(Përgatiti: Trim Haliti)
1
Numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vozitet me atë që njihet si “Bisha”. Versioni aktual i automjetit tejet të blinduar presidencial është prezantuar më 2018. Është një Cadillac i modifikuar, me përmirësime estetike, që e bëjnë atë më të hollë sesa versioni i mëparshëm më masiv. Sipas mediave amerikane, vetura përmban një frigorifer, për ta bartur gjakun që i përshtatet tipit të presidentit, në rast se nevojitet ndonjë transfuzion emergjent. Automjeti presidencial po ashtu raportohet të ketë doreza të elektrizuara të dyerve, për të zmbrapsur personat e paautorizuar që provojnë të futen brenda. Ndërkaq, për të ruajtur sekretet, versionet e pensionuara të veturës shkatërrohen nga stafi i Shërbimit Sekret amerikan.
2
Rivali rus i “Bishës” është limuzina Aurus, e cila përdoret nga Vladimir Putin si automjeti shtetëror presidencial i Rusisë, që nga prezantimi i tij më 2018. Versioni i veturës që përdoret nga Putin rëndohet nga veshja mijëra kilogramëshe me blindë, e cila e çon peshën e përgjithshme të veturës në 6.5 tonë. Ekzistojnë edhe versione civile të veturës së prodhuar në Rusi. Versioni më i lirë shitet për 245 mijë dollarë.
3
Modeli i fundit i limuzinës që përdoret nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, është Hongqi N501. Edhe ky automjet presidencial është prezantuar më 2018, dhe Xi është vozitur sefte me të gjatë një turneu në Afrikë. Pothuajse asgjë nuk dihet publikisht për veçoritë e sigurisë që përmban kjo veturë. Hongqi është marka më e vjetër kineze e automjeteve.
4
Limuzina shtetërore Bentley është automjeti zyrtar i mbretëreshës Elizabeth II të Mbretërisë së Bashkuar. Dy modele të kësaj veture janë ndërtuar më 2002. Që të dyja përmbajnë një stoli të trashë mbi kapakun e motorit, që shfaq Shën Gjergjin duke vrarë një dragua. Rrotat e limuzinës së blinduar, që bart flamurin e monarkisë, janë gjithashtu të mbrojtura nga kevlari, i njëjti material i papërshkueshëm nga plumbat që përdoret në helmetat e ushtarëve britanikë.