Ndërlidhjet

Mbi 80% e viktimave në Maqedoninë e Veriut, të pavaksinuar


Pacientët në një spital në Maqedoninë e Veriut ku trajtohen personat e prekur nga COVID-19.

Mbi 80 për qind e personave që kanë humbur betejën me koronavirus javëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, kanë qenë të pavaksinuar, bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik të këtij vendi.

Në shtatëditëshin nga 24 deri më 30 janar, autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë konfirmuar 148 viktima nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Shifra është për 38.3 për qind më e lartë, krahasuar me javën paraprake.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, Shaban Mehmeti, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se në mbi 80 për qind të rasteve, viktimat nuk kanë qenë të vaksinuara kundër koronavirusit.

Të tjerët, sipas tij, kanë pasur sëmundje kronike.

Mehmeti thotë se shifra e lartë e viktimave nga koronavirusi, lidhet edhe me protokollet që ndjek Maqedonia e Veriut për regjistrimin e personave që humbin jetën nga COVID-19.

“Ne, çdo person që humb jetën, qoftë edhe në një aksident apo nga një gjakderdhje në tru, nëse del pozitiv me koronavirus, e shënojmë si pacient që humb jetën me COVID pozitiv [dhe] me sëmundje shoqëruese”, sqaron Mehmeti.

Komisioni për Sëmundje Infektive i Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do ta ndryshojë protokollin e evidentimit të viktimave nga koronavirusi.

Nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit 2020, e deri më tash, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 8,400 viktima nga koronavirusi.

Në bazë të të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, numri më i madh i viktimave nga koronavirusi është në mesin e personave me sëmundje shoqëruese. Prijnë ata me sëmundje kardiovaskulare, pastaj ata me diabet dhe ata me probleme në sistemin e frymëmarrjes.

Mjeku kardiolog, Zharko Hristvski, thotë për Radion Evropa e Lirë se sëmundjet kardiovaskulare janë më të shpeshtat që i prekin qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ky fakt, sipas tij, mund ta shpjegojë edhe numrin e madh të viktimave nga koronavirusi, në mesin e njerëzve me sëmundje kardiovaskulare.

“Pacientët që kanë sëmundje kardiovaskulare, në bazë të definicionit janë të sëmurë, dhe implikimet që ua shkakton koronavirusi, mund të kenë pasoja fatale”, thotë Hristvski.

Nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut theksojnë se mbrojtja më e mirë kundër koronavirusit mbetet vaksinimi.

Sipas shifrave zyrtare, vetëm 40.7 për qind e popullsisë së këtij vendi është plotësisht e vaksinuar.

Me numrin më të lartë të të vaksinuarve prin qyteti i Ohrit, me 55 për qind, dhe ai i Manastrit, me 50 për qind.

Numri më i ulët i të vaksinuarve është në Dibër: 29.9 për qind.

Numri i të vaksinuarve në kryeqytetin e Shkupit është 39.5 për qind.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Liridon Disha, mjek familjar, thotë se gjatë trajtimit të pacientëve të tij, vëren se personat e vaksinuar e përballojnë shumë më lehtë infeksionin.

“Manifestimi i simptomave te pacientët e infektuar me koronavirus dallon, varësisht nga organizmi i individit dhe shkallës së imunitetit që ka. Mirëpo, personat e vaksinuar kanë tendencë të shfaqin më pak apo aspak simptoma, në krahasim me personat e pavaksinuar”, thotë Disha.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, të përditësuara më 1 shkurt, 2022, Maqedonia e Veriut ka konfirmuar gjithsej 268,901 të infektuar me koronavirus dhe 8,409 viktima.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia ka mbi 1.6 milion të infektuar dhe 13,629 viktima, Bosnje e Hercegovina ka 347,467 të infektuar dhe 14,447 viktima, Shqipëria ka 258,543 të infektuar dhe 3,346 viktima, Mali i Zi ka 219,775 të infektuar dhe 2,564 viktima dhe Kosova ka 205,938 të infektuar dhe 3,015 viktima.

XS
SM
MD
LG