Ndërlidhjet

Viti që nuk ishte këtejpari


Rrugët bosh të Nju Jorkut.

Derisa kemi qenë duke hyrë në vitin 2020, lajmi që ekipit të Rusisë i është ndaluar pjesëmarrja në Lojërat Olimpike për shkak të programit të dopingut sponsoruar nga shteti, pati ngritur shqetësime nëse ky shtet do të lejohej që të organizojë Kampionatin evropian të Futbollit Euro2020, të planifikuar në stinën e verës.

Mirëpo në kohën kur Lojërat Olimpike dhe Euro2020 do të duhej të nisnin, dilemat kanë rënë në ujë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, që jo vetëm se ka lënë jashtë garave të gjitha ekipet dhe atletët, mirëpo edhe ka izoluar nëpër shtëpi tifozët në gjithë botën.

Edhe ngjarjet më rutinore edhe më të zakonshme kanë rënë si domino, meqë qeveritë kanë nisur të zbatuari masa të distancimit fizik, me qëllim të luftimit të pandemisë së koronavirusit.

Në vendet e punës, në plazhe dhe madje edhe shkolla apo objekte lutjesh, njoftimi i Kinës për shpërthim të një virusi në prag të Vitit të Ri, ka qenë shenjë paralajmëruese e një viti që nuk ishte këtejpari.

Infektim kolektiv

Historia e njerëzimit na tregon se individët kanë gjetur një ndjenjë të identitetit të përbashkët nëpër turma. Siç e ka definuar këtë fenomen edhe sociologu Emile Durkheim më shumë se një shekull më parë, tubimet masive mund të shihen si rituale të shenjta që u mundësojnë individëve që të mblidhen në një grup për të përmbushur nevojën njerëzore të të përkiturit diku.

Fatkeqësisht, kjo lidhje fizike mund të kontribuojë në përhapje të sëmundjes përtej vetë organizimeve.

“Njerëzit mund të vijnë nga shumë shtete, të përzihen në turma, të përhapin infektimin dhe t’a marrin atë në shtëpi”, kanë thënë psikologët, Nick Hopkins nga Universitetit Dundee dhe Stephen Reicher nga Universiteti Shën Adrews në Skoci më 2016, teksa kanë diskutuar për shkencën në zhvillim të mjekësisë sa u përket tubimeve masive.

Në rast të përhapjes së madhe, siç është shembulli me koronavirus, shumë qeveri, zyrtarë shëndetësorë dhe organizatorë ngjarjesh, kanë ardhur në përfundim se turmat e mëdha dhe kontaktet e ngushta duhet të mënjanohen, pavarësisht sa të shenjta mund të jenë.

Organizimet e anuluara

Më 11 mars, numri i personave të infektuar me koronavirus ka kaluar shifrën 115,000 në nivel global, andaj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësim për “nivelet alarmuese të përhapjes dhe shkallës alarmuese të mosveprimit”, andaj ka shpallur shpërthimin e këtij virusi, pandemi.

Në po të njëjtën ditë, Asociacioni Kombëtar i Basketbollit në Shtetet e Bashkuara – liga kryesore e basketbollit profesionale në botë, e cila mbledh atletë nga e gjithë bota – pati njoftuar se do të pezullojë të gjitha lojërat, pasi një lojtar ka rezultuar pozitiv në këtë virus. Ky njoftim është pasuar ditën tjetër nga Liga Kombëtare e Hokejit në SHBA.

Më 14 mars më pas është pezulluar përkohësisht liga britanike e futbollit, Premier League, një ndër më të mirat në botë. Më 17 mars, Unioni rus i Futbollit ka pezulluar të gjitha garat e futbollit në këtë shtet.

Më pas gara më e vjetër sportive njoftoi për shtyrje të lojërave, pavarësisht se pishtari olimpik po i afrohej fundit të rrugës. Në fund të muajit mars, Lojërat Olimpike në Tokio janë shtyrë për 12 muaj “për të ruajtur shëndetin e atletëve, të gjithë atyre që janë të përfshirë në Lojërat Olimpike si dhe të komunitetit ndërkombëtar”.

Deri më 1 prill, numri i të infektuarve pati kaluar shifrën 1 milion në 171 shtete dhe gjashtë kontinente, duke lënë të vdekur më shumë se 50,000 persona. Atëbotë, Shtetet e Bashkuara veçse kishin tejkaluar Kinën sa i përket numrit të të infektuarve.

Atë muaj janë parë edhe shenjat se pandemia do të pengonte zhvillimin e ceremonive për një nga pesë shtyllat e Islamit: Arabia Saudite ka këshilluar myslimanët që të mos bëjnë plane për Haxh.

Në qershor, ky shtet që është përballur me një prej shpërthimeve më të mëdha të koronavirusit në Lindje të Mesme, ka njoftuar se do të ndalojë udhëtarët ndërkombëtarë që të kryejnë pelegrinazhin në Mekë dhe Medinë, duke zvogëluar numrin e njerëzve që kanë marrë pjesë në këto ceremoni në 1,000 për dallim nga 2 milionë sa kanë qenë më parë.

Ku ka më mirë se në shtëpi?

Lista e organizimeve masive, që janë anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit më 2020 është e gjatë, duke prekur kështu secilin aspekt të shoqërisë.

Vrapimi i demave në Festivalin San Fermin në veri të Spanjës, traditë për shumë turistë të dehur? Është anuluar sikurse Festivali i Birrës, Oktoberfest në Gjermani.

Kupa e Botës më 2020? Pjesëtarët e ekipit të kriketit The West Indies do të duhet të presin deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm për të mbrojtur titullin e tyre në Indi, në vend të Australisë.

Norouz? Këtë vit iranianët kanë qëndruar kryesisht në shtëpi për të festuar ditën e parë të pranverës sipas kalendarit persian.

Dita e Grave? Është anuluar në Kazakistan.

Eurovisioni nuk është mbajtur në skenë, dhe nuk ka pasur turne botërore nga Rolling Stones, Elton John, dhe Justin Bieber. Ndërkohë, udhëtimet ndërkombëtare janë përcjellë me vonesa pafund, me hektarë tokë të plazheve të thata dhe qendra të boshe të qyteteve.

Shumë maratona janë anuluar po ashtu.

Paradat e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor­), janë lënë për t’u mbajtur një tjetër ditë, apo një tjetër vit.

Parada e Krenarisë, në katër rrota
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Njëjtë ka ndodhur edhe për paradat ushtarake, për shumicën prej tyre. Festimet për Ditën e Fitores janë anuluar këtë vit në Kazakistan dhe janë shtyrë në Rusi, duke shënuar herën e parë në 25 vjet që kjo ditë nuk është shënuar në ditën e fitores së aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dita e Forcave të Armatosura në Bullgari po ashtu ka qenë viktimë e pandemisë, ashtu sikurse Dita e Çlirimit Shushi, e cila është shënuar në Armeni për të festuar çlirimin e rajonit të Nagorno-Karabakut, nga forcat e Azerbajxhanit. Tani kjo ngjarje është hequr nga kalendari, meqë ky qytet është çliruar nga forcat azerbajxhanase pas kthimit në luftë këtë vit.

Nuk ka fitore për të festuar

Një numër i ngjarjeve prestigjioze nuk janë mbajtur këtë vit për herë të parë prej periudhës së Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë kampionatin e golfit, British Open, turneun e tenisit, Wimbledon, dhe ekspozitën mbi aviacionin Paris Airshow.

Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe pak vend për diplomaci, meqë pandemia ka penguar përpjekjet për të arritur marrëveshje për paqe në Afganistan.

Në Rusi, ngjarja më e madhe ekonomike e shtetit, Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut – është anuluar në mënyrë që të mbrohet shëndeti i qytetarëve rusë dhe pjesëmarrësve nga vendet tjera.

Asgjë nuk i zëvendëson përvojat fizike

Ndikim afatgjatë i pandemisë në aspektin mendor të njeriut, ka qenë subjekt i një morie parashikimesh, të cilat kanë ndryshuar teksa numri i të infektuarve me koronavirus është rritur tejet shumë. Mirëpo humbjet në aspektin e jetës dhe përvojave njerëzore janë shumë të prekshme.

Numri global i të infektuarve ka kaluar shifrën 70 milionë, me më shumë se 1.5 milion viktima. Prandaj, pamundësia e shoqërive për të festuar në masë, ka lënë boshllëk të madh në qëllim dhe identitet.

“Këto ngjarje ofrojnë mundësi për lidhje shoqërore me një grup njerëzish që ndajnë qëllim të përbashkët apo një mori vlerash/interesash”, ka thënë Jay Van Bavel, profesor i asociuar i Psikologjisë dhe Shkencave Neutrale në Universitetin e Nju Jorkut.

“Mendoj se mund të rikthejmë një pjesë përmes ngjarjeve online, mirëpo është shumë e vështirë që të zëvendësojmë nevojat që përmbushen nga tubimet e mëdha”.

Derisa koronaviusi është shtrirë në nivel ndërkombëtar në muajin prill, Van Bavel ka qenë autor udhëheqës një punimi kërkimor, me qëllim të ofrimit të ndihmës për sjelljen njerëzore, duke u bazuar në rekomandime të epidemiologëve dhe ekspertëve për kujdes shëndetësor.

Këto përpjekje, të publikuara më 30 prill nga nature.com, janë fokusuar në një mori temash që kanë lidhje me pandeminë, duke përfshirë frikën dhe efektet shoqërore e kulturore në sjellje, bashkë me barrierat që ekzistojnë për një përgjigjje të përbashkët, marrë parasysh polarizimet politike.

Shqetësimet për vitin 2021

Në fund të vitit, prezantimi i një morie vaksinash të zhvilluara dhe prodhuara në disa shtete, ka rritur shpresat te njerëzit. Mirëpo teksa bota pret me padurim mundësinë për t’i dhënë lamtumirën një vendi viti të errët dhe në izolim, shqetësimet e reja janë rritur rreth idesë se vendet në zhvillim mund të jenë të fundit në radhë për t’u shëruar nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Meqenëse disa ngjarje kanë gjetur mënyrë që të jetësohen – me mungesë të audiencës apo pjesëmarrje të vogël të njerëzve – ende nuk është koha për të festuar.

Teksa përfundon viti i gjatë me masa të karantinës dhe mohim të jetës kolektive, qytetet në gjithë botën janë duke shënuar fare pak festimet për festat e fundvitit, sikurse Krishtlindja dhe Viti i Ri – ndërkohë që vendet si Moska dhe Budapesti, i kanë anuluar ato tërësisht.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG