Ndërlidhjet

Escobar: Ballkani Perëndimor është mundësi e jo rrezik për BE-në


Takimi ndërmjet të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë, 31 janar, 2022.
Takimi ndërmjet të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë, 31 janar, 2022.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.

Pas takimit që zhvilloi të hënën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Escobar tha në një konferencë për media se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta afrojë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë [Ballkanin Perëndimor] si një mundësi të jashtëzakonshme, me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e pranojnë Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik".

"Në këtë kuptim, ne i inkurajojmë të gjitha palët që t'i shohin shtetet e Ballkanit Perëndimor si anëtare potenciale të BE-së në të ardhmen - të gjitha në paqe me njëra-tjetrën, të gjitha produktive dhe anëtare të afta, ashtu siç i kemi parë ne: si partnere bilaterale. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha Escobar.

Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, me qëllim inkurajimin e liderëve të të dyja shteteve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t'ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

Ai tha se SHBA-ja mbështet plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Duke iu drejtuar gazetarëve, Lajçak tha se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë “ngushtë” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për vizionin e së ardhmes.

“Jam i lumtur që kjo vizitë ka ofruar një mundësi për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Lajçak.

Ai tha se vizita në Kosovë dhe Serbi do t’iu ndihmojë që të kenë një pasqyrë të qartë se çfarë do të presin në të ardhmen dhe si do ta çojnë përpara këtë proces.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i vendosur që sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës të mos cenohen nga askush.

"Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm që t'iu përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me ç'rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara", tha Kurti gjatë konferencës së përbashkët për media.

Kryeministri Kurti, më herët, ka mbështetur idenë se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc - komuna në jug të Serbisë - duhet të trajtohen njësoj sikurse komuniteti serb në Kosovë.

Më herët gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke me Serbinë.

Sipas saj, një marrëveshje për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, tha Osmani, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e saj.

Sipas njoftimit, Osmani tha se pret që të ketë trajtim të barabartë të palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Presidentja Osmani po ashtu citohet të ketë thënë se Serbia vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe të paraqesë pengesa sa herë që ka takime të organizuara në kuadër të këtij procesi.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë, 31 janar 2022.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë, 31 janar 2022.

Gjatë vizitës në Kosovë, dy zyrtarët perëndimorë pritet të takohen edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t'i shqyrtojë ato.

Ndonëse Hovenier nuk i ka përmendur në mënyrë specifike ato modele, Osmani tha të hënën se institucionet e Kosovës janë të vendosura që "të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional".

"Propozimet, për të cilat po përflitet, për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk u janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës", u tha Osmani gazetarëve gjatë një vizite në Podujevë.

"Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive", tha Osmani.

Kosova dhe Serbia vazhdimisht ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për mosgatishmëri për dialog, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja u kanë bërë thirrje palëve që të angazhohen në këtë proces, që synim ka arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Në fund të vitit të kaluar, Kurti ka deklaruar se duhet gatishmëri më e madhe edhe nga Serbia për vazhdimin e dialogut.

“Duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia. Se kur zhvillohen takimet në Bruksel, nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time”, ka deklaruar Kurti më 29 dhjetor, 2021.

Më herët, ai ka thënë se është e pritshme që marrëveshja të arrihet gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe gjatë mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 7 dhjetor se Serbia e dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën, porse Prishtina është ajo, e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.

Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviq, ka thënë më 30 janar se “fajtor” për moszhvillimin e rundeve të reja të negociatave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, prejse Kurti ka nisur udhëheqësinë në Prishtinë, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos", ka thënë Sellakoviq.

Që nga koha kur Albin Kurti është bërë kryeministër i Kosovës në mars të vitit 2021, ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Që të dyja takimet kanë qenë të pasuksesshme dhe kanë dëshmuar se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.

Pikërisht kjo i ka detyruar zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog.

Serbia insiston që në kuadër të dialogut të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër - gjë që është kundërshtuar nga Kosova.

Për Prishtinën zyrtare, çështja e personave të zhdukur e lëvizja e lirë janë në mesin e prioriteteve.

Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011.

Ndonëse, fillimisht, është paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të kenë dialog teknik, të cilin do ta udhëheqin grupet punuese të të dyja vendeve, në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik.

Marrëveshja e parë, që është arritur në vitin 2011, ka qenë për librat e amzës dhe më pas është nënshkruar edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes.

Kanë pasuar edhe marrëveshje të tjera, si ajo për vulat doganore, për pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufijve, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomunikacionin dhe vizitat zyrtare, për energjetikën, për gjyqësorin etj. Por, këto marrëveshje nuk janë zbatuar të gjitha në terren.

XS
SM
MD
LG