Ndërlidhjet

Si ndalohet vjedhja e rrymës?


Një punëtor i KEDS-it duke kryer kontrolle gjatë një aksioni të realizuar më 16 gusht kundër vjedhjes së rrymës.
Një punëtor i KEDS-it duke kryer kontrolle gjatë një aksioni të realizuar më 16 gusht kundër vjedhjes së rrymës.

Për shkak të vjedhjes së rrymës, deri në 40 konsumatorë shkyçen brenda një dite nga rrjeti i elektrik, thonë punonjës të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike të Kosovës (KEDS).

Kohëve të fundit, KEDS ka rritur kontrollet tek ekonomitë familjare dhe komerciale, që dyshohet se shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.

Kontrollet po bëhen për shkak edhe për shkak të krizës energjetike që ka mbërthyer Kosovën dhe Evropën dhe rrjedhimisht, në Kosovë janë rikthyer reduktimet e rrymës për shkak të çmimit të lartë në berzat ndërkombëtare.

Një aksion të tillë për shkyçjen e rrymës në rajone të ndryshme të Kosovës, ekipi i KEDS-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës e kryen edhe më 16 gusht.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë ishte i pranishëm në këtë aksion.

*Video nga aksioni kundër vjedhjes së rrymës të realizuar më 16 gusht

Aksion kundër vjedhjes së rrymës në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:44 0:00

Një biznes në Komunën e Podujevës u shkyç nga rrjeti pasi ekipi i KEDS-it konstatoi se rryma e shpenzuar nuk po faturohej. Ndaj këtij biznesi u ngrit kallëzim penal për vjedhje të rrymës.

Koordinatori për kontrollimin e humbjeve në KEDS, Fatos Çeku, tregon për Radion Evropa e Lirë se në çfarë forme në shumicën e rasteve vidhet rryma.

“Vjedhjet bëhen në forma të ndryshme, si për shembull ka linja direkte jashtë pikës matëse me kabllo të ndryshëm, ndërprerës, prekje të njësorit, e të tjera”, thotë Çeku.

Sipas institucioneve shtetërore, në Kosovë rreth 19 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë paraqitet si humbje teknike dhe komerciale.

Humbjet teknike të energjisë elektrike janë ato që humbin në rrjetin shpërndarës, ndërkaq ato komerciale janë konsum i paautorizuar.

Megjithatë, Ministria e Ekonomisë ka thënë se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike vitin e kaluar ka qenë 110 milionë euro, ndërkaq këtë vit parashihet që të arrijë në vlerën prej 99 milionë eurosh.

Niveli i lartë i humbjeve teknike dhe komerciale të rrymës thuhet se është një ndër shkaktarët për furnizim jo të qëndrueshëm me energji në Kosovë.

Si të gjendet zgjidhja?

Humbjet e rrymës po e përcjellin Kosovën që nga paslufta. Ekspertët e energjisë thonë se niveli i vjedhjes së rrymës ndër vite ka rënë, por mund të bie edhe më shumë.

Profesori në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, Bedri Dragusha, thotë se KEDS-i mund të realizojë eliminimin e vjedhjes së rrymës.

“Vendosja e njësorëve digjitalë ose njësive matëse në shtyllat elektrike apo në hyrje të shtëpive mund të parandalojnë vjedhjen. Matës të tillë regjistrojnë sa energji kalon deri aty. Dhe nga ai vend, KEDS-i më pas e di se sa është vjedhur rryma sepse nuk faturohet”, thotë Dragusha për Radion Evropa e Lirë.

KEDS-i thotë se ka investuar në njësorë digjitalë dhe njësi matëse dhe këto investime kanë ndikuar që ndër vite të bie niveli i vjedhjes së rrymës. Megjithatë, kjo kompani thotë se humbjet e energjisë ende janë të mëdha.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se nga 630 mijë njësorë, tashmë rreth 500 mijë prej tyre janë digjitale.

“Kjo ka ndikuar në zvogëlimin e humbjeve”, thotë Buzhala, duke shtuar se humbjet teknike dhe komerciale më 2013, kur ka nisur operimin KEDS-i pas privatizimit, kanë qenë 32 për qind.

Gjykatat, çelës i zgjidhjes së problemit

Sipas Viktor Buzhalës, KEDS-i për çdo vit dorëzon në gjykata rreth 5.000 kallëzime penale për keqpërdorim të energjisë elektrike.

Por, përveç digjitalizimit të njësorëve, Besfort Kosova, menaxher në iniciativën rajonale “Balkan Green Foundation”, vlerëson se mosefikasiteti i gjyqësorit ka ndikuar në përqindjen e lartë të keqpërdoruesve të rrymës.

“Ekziston një lloj pengese burokratike pasi gjyqësori nuk merret me këto raste në kohë dhe më pas lëndët vjetrohen apo hidhen poshtë. Po ashtu, kalon shumë kohë e gjatë për trajtimin dhe procedimin e këtyre lëndëve. Pa dyshim që gjykatat janë çelësi që ky cikël të përfundohet me sukses”, thotë Kosova për Radion Evropa e Lirë.

Edhe zëdhënësi i KEDS-it, Buzhala thotë se nëse këto raste do të shqyrtoheshin nga gjykatat, “ky problem nuk do të ekzistonte”.

“Rreth 80 për qind e lëndëve për një kohë të gjatë nuk janë shqyrtuar fare”, thekson Buzhala.

REL ka pyetur edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës se sa lëndë janë zgjidhur deri më tash dhe sa janë të pazgjidhura, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se janë duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë KEDS. Nga ky institucion kanë paralajmëruar se do të merren masa shtesë për këtë dukuri.

Vjedhja e energjisë elektrike jo vetëm që është vepër penale sipas Kodit Penal, thuhet në njoftim të kësaj ministrie të datës 16 gusht, por tashmë ajo përbën “kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve” .

XS
SM
MD
LG