Ndërlidhjet

“Ajo nuk ka qenë veç një emër në lajme”

Pankartë gjatë protestës më 1 dhjetor 2022, pas vrasjes së Hamide Magashit në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Pankartë gjatë protestës më 1 dhjetor 2022, pas vrasjes së Hamide Magashit në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Shkurtimisht

  • Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor ka rikthyer në vëmendje mangësitë ligjore dhe institucionale në mbrojtjen e grave nga dhuna.
  • Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 67 gra, kryesisht nga partnerët apo ish-partnerët e tyre.
  • Familjarët dhe të afërmit e grave të vrara rrëfejnë dhimbjen e humbjes dhe rastet kur institucionet, ashtu si në rastin e Arlindës, nuk arritën t’i mbronin ato.

Fundi i jetës së një gruaje, për familjet e tyre shënon fillimin e një jete të ndryshuar përgjithmonë.

Milihate Cokli, nëna e Erona Coklit të vrarë nga ish-bashkëshorti në vitin 2024, thotë se kishte kërkuar ndihmë nga institucionet për ta mbrojtur vajzën e saj, por se nuk ishte marrë seriozisht.

Për këtë arsye, rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor - pasi ajo kishte raportuar rrezikun që i kanosej te të gjitha institucionet përgjegjëse - ia kujton luftën e vet.

Tani, ajo kujton një rast kur kishte shkuar te vendi ku punonte Erona, pasi, sipas saj, ish-partneri i vajzës nuk e linte të qetë të bijën as në vendin e punës. Gjatë bisedës, Erona kishte dalë dhe e kishte përqafuar të ëmën.

“Nënë, ky nuk më lë rehat”, i kishte thënë ajo.

Nëna e Erona Coklit, Milihatja, mban në duar fotografinë e vajzës së saj.
Nëna e Erona Coklit, Milihatja, mban në duar fotografinë e vajzës së saj.

Cokli thotë se pas këtij rasti ishte drejtuar në polici për të raportuar se vajza e saj po kërcënohej, por se reagimi që kishte marrë e kishte zhgënjyer.

Ajo kujton një bisedë me një hetuese, e cila, sipas saj, e kishte pyetur se çfarë nëne ishte që nuk e lejonte vajzën të vendoste vetë. Cokli thotë se ishte larguar me lot në sy, pasi kishte shpjeguar se Erona po kërcënohej dhe se kishte frikë për sigurinë e saj.

“Unë si nënë kam kërkuar ndihmë për vajzën time, më bartnin si një leckë sa andej-këndej”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Milihate Cokli, në dhomën e vajzës së saj të vrarë, Eronës.
Milihate Cokli, në dhomën e vajzës së saj të vrarë, Eronës.

Tani, vrasja e Eronës e ka ndryshuar përgjithmonë jetën e familjes, thotë Cokli, e cila përkujdeset për djalin që e la pas Erona.

“E kam nipin që e llogaris si djalin tim. Por, pa buzëqeshjen e Eronës, atmosfera në shtëpi nuk është si më parë”, thotë ajo.

Përveç humbjes, nëna thotë se nuk ndien se ka marrë drejtësi për vrasjen e vajzës së saj, pasi e cilëson si shumë të ulët dënimin me 24 vjet burgim për vrasësin e Eronës.

Erona Cokli u vra më 12 prill 2024, në moshën 21-vjeçare, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu. Ata kishin një djalë të vogël dhe, pas shkurorëzimit, takimet mes babait dhe fëmijës organizoheshin në këtë qendër.

Sipas aktakuzës, Aliu ishte kthyer në qendër pa fëmijën dhe, pas një mosmarrëveshjeje, e kishte qëlluar Eronën me armë zjarri në kraharor. Kur ajo kishte tentuar të largohej, e kishte qëlluar edhe dy herë të tjera, në gjoks dhe në kokë. Gjatë ngjarjes, ai kishte plagosur edhe vëllain e saj 15-vjeçar, Drilonin, dhe kishte kërcënuar me armë një punonjëse të Qendrës për Punë Sociale.

Më 3 prill 2026, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi Valon Aliun me 24 vjet burgim për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.

Nëna e Eronës kërkon që institucionet ta ndryshojnë mënyrën se si i trajtojnë gratë dhe familjarët që kërkojnë ndihmë.

“Nuk duhet të tallen me vajza apo nëna që kërkojnë ndihmë”, thotë ajo për REL.

“Nuk dua që vajzat tona të kujtohen vetëm pasi të mos jenë më gjallë”

Kërkesat për mbrojtje dhe përgjegjësi institucionale i përsërit edhe Valdete Osmani, nëna e Marigona Osmanit, e cila u vra në moshën 18-vjeçare në vitin 2021.

“Nuk dua që vajzat tona të kujtohen vetëm pasi të mos jenë më gjallë. Dua që ato të mbrohen, të dëgjohen dhe të ndihen të sigurta”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Ajo e kujton çdo ditë vajzën e sa për buzëqeshjen, sytë e saj ngjyrë kafe dhe ëndrrat që nuk arriti t'i realizonte.

“Ajo nuk ka qenë veç një emër në lajme, ka qenë vajza ime”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Valdete Osmanin me të bijën e saj, Marigonën, pasi ajo kishte lindur.
Valdete Osmanin me të bijën e saj, Marigonën, pasi ajo kishte lindur.

Përveç mungesës së Marigonës, familja është dashur të përballet vazhdimisht edhe me kujtimin e rrethanave në të cilat ajo humbi jetën.

“Procesi gjyqësor ka qenë shumë i vështirë për neve si familje sepse çdo herë është dashur të përballemi me atë që i ka ndodhur vajzës tonë”, thotë ajo.

Marigona Osmani u vra më 22 gusht 2021, në moshën 18-vjeçare, në banesën e Dardan Krivaqës, me të cilin bashkëjetonte, në Ferizaj.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Krivaqa kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj për dy ditë radhazi. Marigona vdiq nga asfiksimi dhe humbja e madhe e gjakut, si pasojë e lëndimeve të shumta të shkaktuara nga dhuna fizike.

Pas vdekjes, Krivaqa, së bashku me Arbër Sejdiun e dërguan trupin e saj në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt dhe u larguan. Gjykata e dënoi Krivaqën me burgim të përjetshëm, ndërsa Sejdiun me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Por, nënës së Marigonës i mbetet peng mendimi se tragjedia do të mund të ishte parandaluar, pasi thotë se familja kishte kërkuar ndihmë nga policia para tragjedisë, por se nuk ishin marrë seriozisht.

Valdete Osmani dhe Marigona Osmani.
Valdete Osmani dhe Marigona Osmani.

“Si nanë, është shumë e rëndë të mendosh që ke kërkuar ndihmë dhe prapë ke përfunduar duke e humbur vajzën”, thotë ajo.

Ajo nuk mund ta dijë sigurt nëse një reagim i institucioneve do ta kishte ndryshuar përfundimin, por kërkon që tash e tutje çdo ankesë dhe shqetësim të trajtohet me seriozitet dhe në kohë.

“Unë si nënë nuk mund ta kthej Marigonën, por do të doja që prej rastit të saj të nxirren mësime dhe që askush tjetër mos të kalojë nëpër dhimbjen që po e përjetojmë ne”, thotë Osmani.

Gjashtë javë pritje për Donjetën

Për Shkëlqim Pajazitajn, vëllain e Donjetës, periudha më e rëndë ishin gjashtë javët gjatë të cilave familja nuk dinte ku ndodhej motra e tij. Trupi i saj, i pajetë, u gjet në dhjetor të vitit 2015, por vrasësi i saj nuk dihet ende.

“Kur u gjet, qysh u gjet, po ishte një lloj lehtësimi për neve sepse e kemi ditur që tash kanë marrë fund vuajtet dhe keqtrajtimet për të”, thotë Pajazitaj për Radion Evropa e Lirë.

Shkelqim Pajazitaj.
Shkelqim Pajazitaj.

Ai beson se një reagim më i shpejtë i policisë gjatë javëve kur Donjeta ishte e zhdukur mund të kishte ndikuar në fatin e saj.

“[Po të trajtohej] me më shumë urgjencë në atë kohë, ndoshta do të mund ta kishim sot gjallë Donjetën”, thotë ai.

Donjeta Pajazitaj.
Donjeta Pajazitaj.

Ai thotë se gjatë takimeve me familjen, institucionet e sigurisë u kishin treguar se sinjali i telefonit të Donjetës ishte lokalizuar në territorin e Strellcit.

Tash e 11 vjet, familja vazhdon të ketë dyshime se në atë kohë nuk ishin ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për ta gjetur atë në kohë.

Donjeta Pajazitaj u vra më 9 nëntor 2015, në moshën 24-vjeçare, në bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit.

Sipas aktakuzës, ajo ishte marrë me veturë teksa po shkonte në punë dhe ishte dërguar në një lokacion të njohur si “Kroi i Lajthisë”, ku ishte qëlluar dy herë në kokë. Trupi i saj ishte mbuluar me drunj dhe u gjet më 17 dhjetor, rreth gjashtë javë pasi familja e kishte raportuar të zhdukur.

Kushëriri i saj, Naser Pajazitaj, u arrestua si i dyshuari kryesor dhe gjatë viteve u përball me disa procese gjyqësore, me vendime të ndryshme. Në qershor të vitit 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 35 vjet burgim. Më 6 prill 2023, Gjykata Supreme e liroi nga akuza për vrasjen, duke vlerësuar se provat nuk e dëshmonin fajësinë e tij përtej dyshimit të arsyeshëm.

Pajazitaj thotë se lajmet për vrasje të tjera të grave e kthejnë familjen gjithmonë në kohë.

“Neglizhenca e institucioneve po bën që sot të kemi vrasje të grave sepse nuk po vlerësohet dhe nuk po merret parasysh zëri i tyre”, thotë ai.

Ai kërkon që institucionet të veprojnë me kohë dhe që rastet e mëparshme të mos harrohen. Sipas tij, çelësi i parandalimit të tragjedive të tjera gjendet te ndëshkimi i autorëve dhe përgjegjësia institucionale.

Ky material është pjesë e rubrikave
​
XS
SM
MD
LG