Ndërlidhjet

Ndalohet në Prishtinë burri që dyshohet se vrau gruan e tij


Fotografi ilustruese.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një burrë 70-vjeçar nën dyshimin se vrau me sëpatë gruan e tij, 63-vjeçare, në shtëpinë e tyre në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes, ku rreth orës 04:40 i dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë.

“Në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Aktualisht, nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti.

Ngjarja ka ndodhur në ditën kur pritet të nisë fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Dhuna në familje në Kosovë është në rritje viteve të fundit.

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje, me 2.101 viktima; në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste me 2.486 viktima.

Kurse, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112

Lexoni edhe:

XS
SM
MD
LG