Ndërlidhjet

“Nuk njoh grua që nuk është ngacmuar një herë në jetë”


Pamje nga protestat në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave.

Nuk e di një grua në Kosovë që nuk ka qenë pre e një ngacmimi, të paktën një herë në jetë.

Kështu beson Eurisa Rukovci, aktiviste dhe udhëheqëse e revistës për gratë, Grazeta.

Me të, dhe aktivisten tjetër, Liridona Sijarina, kemi biseduar në podkastin, Të flasim, se pse nuk ndihen të sigurta gratë në Kosovë, si e mposhtin frikën dhe çfarë duhet të duhet të bëhet.

Dëgjojeni podkastin e plotë:

A ndihen gratë të sigurta në Kosovë?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:21:20 0:00

"Nxitojmë, bëhemi kinse po dëgjojmë muzikë pa dëgjuar fare, mbajmë çelësat në duar"

Sipas statistikave të Rrjetit të Grave të Kosovës, rreth 50 për qind e kosovarëve përjetojnë ngacmim seksual gjatë jetës së tyre dhe gratë përbëjnë numrin më të madh.

Në shtator të këtij viti, viktimë e një sulmi seksual në Pejë ka qenë edhe alpinistja, Mrika Nikqi.

Ajo ka publikuar vetë disa pamje në Facebook, ku shihet i gjithë akti.

Dhe nuk është e vetmja.

Më herët gjatë viti është raportuar edhe për dhunimin e një 11-vjeçareje nga pesë persona në ambientet e një parku në Prishtinë.

Të dyshuarit janë në paraburgim.

Vetëm në periudhën janar-tetor të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 73 raste të ngacmimit seksual dhe 49 raste të sulmit seksual.

Sipas organizatave joqeveritare, numri më i madh i viktimave janë vajza të moshës 13 deri në 16 vjeç.

E pyetur se si e mposht ndjenjën e pasigurisë që ka me raste, Eurisa tregon disa teknika, që sipas saj, i praktikojnë edhe shumë vajza e gra të tjera.

“Ec bashkë me shoqe. Së fundi një artiste i ka krijuar disa ilustrime që tregojnë se çfarë bëjnë vajzat derisa ecin drejt shtëpisë. Nxitojmë, ecim shumë më shpejt, bëhemi kinse po dëgjojmë muzikë pa dëgjuar fare, mbajmë çelësat në duar, bëhemi kinse po flasim në telefon. Mua personalisht më ka ndodhur dy herë, sa kam qenë më e re, në moshën e adoleshencës, që i jam afruar një çifti më të vjetër dhe e kam lutur që të ec bashkë me të, pasi dikush ka kaluar gjysmë orë duke më përndjekur”.

Ajo tregon sesi me shoqet e saj, gjithmonë janë siguruar që ta lajmërojnë njëra-tjetrën kur kanë arritur në shtëpi.

Eurisa ka treguar edhe për shqetësimet më të mëdha që kanë vajzat e reja në Kosovë, duke pasur parasysh se këtë grup-moshë e ka shënjestër platforma e saj, Grazeta.

“Vajzat në hapësirat e shkollës kanë shumë probleme, dhe kjo gjë po neglizhohet shpesh. Raportohen ngacmime dhe dhunë seksuale, qoftë prej profesorëve nëpër shkolla, ka raste kur kushtëzohen për notë në fakultet, kushtëzohen për punë në ambiente të punës”.

E pyetur për ndryshimet e domosdoshme, Eurisa është përgjigjur shpejt duke vënë theksin te ndriçimi publik.

“Kur ec në një zonë me një llambë të prishur, shumë prej nesh e kanë një ndjenjë të shqetësimit e ankthit. Ndriçimi publik natyrisht se i bën njerëzit që të ndihen më të sigurt dhe mund të ndikojë në uljen e ngacmimit dhe dhunës. Parqet janë një shembull shumë i mirë. Ato i konsiderojmë të sigurta dhe relaksuese gjatë ditës, por natën bëhen ambiente që shumica prej nesh i shmangim”.

“Hapësira publike të përket edhe ty”

Liridona Sijarina, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, ndonëse nuk ndihet e sigurt, ajo vitet e fundit ka punuar në atë se si i koncepton hapësirat publike.

“Për mua si grua dhe si vajzë, e lindur dhe rritur në Kosovë, siguria ka qenë gjithmonë problematike, sepse vazhdimisht në rrugët e Prishtinës duhet ta kesh një lloj droje, një lloj frike, sepse has në ngacmime të formave të ndryshme, shpesh edhe me tentativa për sulme”.

“Teksa rritesh, mendon se je e tepërt në hapësira publike, që duhet të ecësh vetëm ku ka dritë, mundësisht gjatë ditës… mirëpo duke u rritur, i kam problematizuar këto mënyra të të menduarit, për shkak që e kupton se hapësira publike të përket edhe ty”.

Në muajt e fundit në Kosovë janë mbajtur disa protesta kundër dhunës ndaj grave dhe në to jo pak vëmendje i është kushtuar qasjes së Policisë së Kosovës ndaj këtyre akteve.

Liridona Sijarina në një prej protestave në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave.
Liridona Sijarina në një prej protestave në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave.

Liridona, e cila ka qenë pjesë e këtyre protestave, beson se, ndonëse Policia e Kosovës është e thirrur për t’u marrë me rastet e dhunës me bazë gjinore, ky institucion vazhdon t’i neglizhojë këto raste, dhe në rastet kur merret me to vazhdon që të mos i trajtojë në mënyrën e duhur.

“Edhe Policia e Kosovës i reflekton të njëjtat norma të cilat ekzistojnë në shoqëri. Shpesh kemi parë, nëpër hulumtime dhe biseda të përditshme me vajza e gra që kanë përjetuar ndonjë lloj të dhunës që, kur kanë shkuar në Polici, ato janë riviktimizuar. Jo të pakta janë rastet kur kemi dëgjuar që Policia shpesh i ka kritikuar vajzat për mënyrën si janë veshur kur kanë raportuar ndonjë krim seksual, shpesh ua kanë nënvlerësuar përvojat e tyre. Kjo, përveç që i demoralizon gratë, i bën që të ndihen dyfish më të pasigurta”.

Megjithatë, Liridona përmend se gjithë këto protesta, nuk bëhen për të minimizuar rolin e Policisë së Kosovës në trajtimin e rasteve të dhunës, por vetëm “që të problematizohet mënyra si po veprojnë zyrtarët policorë”.

Lidhur me sjelljen e policëve, gjatë vitit të kaluar, Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka hetuar 213 punonjës policorë, ndërsa ka rekomanduar suspendimin e 85 prej tyre.

Tre zyrtarë policorë janë hetuar për veprat penale: ngacmim seksual, sulm seksual dhe dhunim.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike, i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se trajnimet për zyrtarët policorë, lidhur me hetimin e veprave penale kundër integritetit seksual, janë ndër trajnimet bazike.

Mirëpo hulumtimet e Rrjetit të Grave të Kosovës kanë gjetur se zyrtarët policorë kanë dështuar t’i vënë në praktikë njohuritë teorike që kanë fituar gjatë trajnimeve.

Trajnime shtesë për policë për trajtimin e këtyre rasteve ka sugjeruar edhe misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, në një raport të publikuar në korrik të këtij viti.

Sipas EULEX-it, Policia e Kosovës ka nevojë veçanërisht për trajnime në lidhje me qasjen ndaj viktimës, teknikat e intervistimit të viktimës dhe teknikat e hetimit të këtyre rasteve.

Nevoja e përvetësimit të teknikave të vetëmbrojtjes

Përveç kritikave ndaj Policisë së Kosovës, në protestat e fundit është bërë thirrje që të legalizohet përdorimi i sprejit të piperit.

Liridona ka thënë se kërkesa të tilla kanë qenë shenjë revolte ndaj dështimit institucional për mbrojtje të grave.

”Shteti i Kosovës e pamundëson vetëmbrojtjen. Në shumë shtete evropiane dhe jashtë Evropës është i legalizuar spreji kur përdoret për qëllime vetëmbrojtjeje. Ne nuk po presupozojmë që spreji duhet me qenë një pajisje esenciale që secili duhet ta përdorë e ta keqpërdorë, por ne po themi që në rastet kur vajzat dhe gratë ndihen të rrezikuara dhe i ekspozohen ndonjë akti të krimit mbi trupin e tyre, ato duhet ta kenë të legalizuar sprejin.

Dy gra me sprej piperi në duar, gjatë protestave kundër dhunës ndaj grave.
Dy gra me sprej piperi në duar, gjatë protestave kundër dhunës ndaj grave.

Pasi që është bërë publik rasti i dhunimit të 11-vjeçares, Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë ekzekutive në organizatën Toka, u pati bërë thirrje të gjithë personave që janë profesionistë në teknika të vetëmbrojtjes, që të lajmërohen te ajo për krijimin e një grupi për vajza.

Jehona ka treguar për Radion Evropa e Lirë se punët pritet të konkretizohen vitin e ardhshëm.

“Postimi im në Facebook ka rezultuar në lajmërimin e mbi 15 qytetarëve, të cilët janë profesionistë të vetëmbrojtjes. Më pas është lajmëruar edhe organizata Empowerment Self Defense, e cila është themeluar në Shtetet e Bashkuara, dhe së fundi është shtrirë edhe në Shqipëri. Jemi kontaktuar nga udhëheqësi rajonal i këtij programi, me mundësi të ofrimit të shërbimeve edhe në Kosovë. Ndërkohë organizata Artpolis, me seli në Prishtinë, është duke ofruar diçka për vajza. Jemi në fazë të bashkëpunimit që të krijojmë diçka të qëndrueshme, që ka shtrirje përtej Prishtinës”.

Jo shumë optimizëm për Projektligjin për ndryshim të Kodit Penal të Kosovës

Së fundi Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës.

Aktualisht Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale.

Në mesin e ndryshimeve përmendet se do të jetë publik regjistri i personave që shpallen fajtorë për dhunim, sulm seksual dhe dhunë në familje.

Po ashtu, personat që shpallen fajtorë për këto vepra nuk mund të kandidojnë në pozita publike nga tre deri në 10 vjet dhe do t’u ndalohet marrja e patentë-shoferit dhe e drejta e ngasjes së veturës për një deri në pesë vjet.

Sipas procedurave, ky projektligj për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal duhet të dërgohet në komisionet parlamentare, e më pas të dërgohet për miratim në seancë plenare.

Mirëpo Liridona Sijarina beson se këto propozime nuk japin shumë shpresë për trajtimin e dhunës ndaj grave.

“Studimet globale, ku është aplikuar regjistri publik, kanë treguar se nuk ka ndonjë ndikim shumë të madh. Megjithatë, kjo seri e propozimeve mund të na japë indikacione se shteti po i merr seriozisht protestat e grave dhe po tenton t’iu përgjigjet atyre”.

Ajo nuk beson në qasje individuale, dhe kërkon që fokusi të jetë në institucione.

“Ndryshimet e fundit në Kod e kanë një qasje goxha indivudualiste në projektim, pra se si do të ndëshkohen personat që kryejnë akte të dhunës ndaj grave, por nuk kemi shumë lëvizje në drejtimin e reformimit të institucioneve publike që të jenë më efektive. Dhuna ndaj grave nuk është çështje indiviudale. Nuk është se dikush atje në vakum është duke kryer dhunë, por është një shoqëri dhe një strukturë e tërë e cila po e mundëson dhe po e nxit dhunë. Kësisoj na duhet të merremi me atë dimension, për të parë se ku po çalojmë në transformimin e shoqërisë”.

Në gjithë këtë situatë, cila duhet të jetë porosia për vajzat dhe gratë?

Eurisa porosit vajzat që të mos lodhen nga ngritja e zërit.

“Adoleshentet e vitit 2022 dallojnë prej kohës kur unë kam qenë adoleshente, ndoshta para 10 vjetëve. Kësaj unë po i gëzohem, sepse janë më të zëshme, po i kërkojnë të drejtat e tyre, pasi ka pasur raste që në rrjetet sociale vajzat kanë folur shumë lirshëm për abuzuesit e tyre dhe i kanë emëruar me emër dhe mbiemër. Porosia ime që të vazhdojnë të luftojnë, denoncojnë, dhe të jenë të sigurta së bashku.

Liridona ka porositur të gjitha vajzat e gratë që të flasin për trupat e tyre, pa marre.

“Në rastet kur ngacmohemi, apo përjetojmë ndonjë rast të dhunës, duhet ta denoncojmë në çdo instancë, pa u ndjerë të atakuara, apo pa u ndjerë keq për trupin tonë”.

XS
SM
MD
LG