Ndërlidhjet

Vritet roja e sigurisë si pasojë e sulmit me armë ndaj Top Channel-it


Gjurmë të plumbave të shkrepur ndaj ndërtesës së Top Channel-it në Tiranë.
Gjurmë të plumbave të shkrepur ndaj ndërtesës së Top Channel-it në Tiranë.

Ndërtesa e Top Channel – një prej televizioneve kombëtare në Shqipëri – është sulmuar me breshëri kallashnikovi, duke lënë të vdekur rojën e sigurisë.

Viktima është identifikuar si P.K., 60-vjeçar.

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:00 të mëngjesit të së hënës.

Sipas zyrtarëve policorë, tashmë janë krijuar disa pika kontrolli për kapjen e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Disa orë më vonë është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve të aktit.

Brenda saj janë gjetur dy armë automatike.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka thënë në Facebook se "Policia e Shtetit është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët”.

Sulmi ndaj ndërtesës së Top Channel-it, është dënuar edhe nga presidenti i shtetit, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, krerët e partive opozitare, Enkelejd Alibeaj dhe Ilir Meta.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).

"Goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit. AMA shpreh ngushëllimet për familjen e punonjësit që humbi jetën nga ky agresion i papranueshëm dhe qëndron në krah të të gjithë ekipit të televizionit në këto momente të vështira”, është thënë në reagim.

Të hënën ka reaguar edhe Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias.

Ambasada amerikane në Tiranë dhe zyra e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kanë shprehur ngushëllime për humbjen e jetës së rojës së sigurisë, dhe kanë kërkuar që ngjarja të hetohet dhe të zbardhet sa më shpejt.

I ndjeri është thënë se ka nisur të punojë në këtë media gjashtë muaj më parë.

XS
SM
MD
LG