Ndërlidhjet

Vetëvendosje dhe LDK nga opozita drejt formimit të qeverisë


Pano me portretin e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Dy partitë opozitare nga legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet. Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, është subjekti politik që duhet t’i iniciojë bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme.

Nga 98 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 26 për qind, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar rreth 25 për qind të votave. Të dy ish partitë e bllokut opozitar, nuk e përjashtojnë mundësinë që së bashku të arrijnë marrëveshje koalicione për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë se do të jetë një vazhdim i bisedimeve që janë zhvilluara edhe para zgjedhjeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas saj, LDK-ja pret konfirmimin përfundimtar të rezultateve, por angazhimi i Vetëvendosjes, siç thotë Nagavci, është i menjëhershëm.

“Po, besoj që ne e kemi shprehur gëzimin tonë që opozita e deritanishme, tashmë ka marrë shumicën dhe ashtu sikurse kemi qenë të gatshëm për koalicion para zgjedhjeve, interesi dhe vëmendja jonë e parë është bashkëpunimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe krijimi i një qeverisje stabile. Pas konfirmimit përfundimtar të votave, nëse është e nevojshme do të shohim edhe dikë nga partitë joserbe që kanë vota, në mënyrë që të kemi një qeveri stabile”, tha Nagavci.

Ajo tha po ashtu se përveç me partitë që i sheh partnere në qeverinë e re, Vetëvendosje do të jetë shumë konstruktiv edhe me opozitën, pasi siç thotë ajo, “janë të vetëdijshëm për punët e mëdha dhe proceset e rëndësishme që po ndodhin në Kosovë”.

Në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk do të nisin negociatat për qeverinë e re përderisa nuk përfundon numërimi i të gjitha votave.

“Rezultati është shumë i ngushtë dhe ne jemi duke e pritur numërimin e të gjitha votave, përfshirë votat me kusht, votat e diasporës dhe votat për deputetët, pastaj fillon procesi i negociatave. Dallimi është i vogël, një deputet, por që ia jep mandatin (për formimin e qeverisë) liderit të Vetëvendosjes”, thotë Haziri.

Bazuar në rezultatin aktual, preliminar, Vetëvendosje dhe LDK do të marrin së bashku 61 ulëse në Kuvend, sa është minimumi i votave për formimin e qeverisë.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në qeveri.

Albin Kurti gjatë adresimit para mbështetësve të tij, pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Albin Kurti gjatë adresimit para mbështetësve të tij, pas mbajtjes së zgjedhjeve.


Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili pas zgjedhjeve shpalli fitoren ende pa u shpallur edhe rezultati final, tha se ai “si kryeministër, do t'ia shtrijë dorën e bashkëpunimit Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Vjosa Osmani
Vjosa Osmani


Ndërkaq, Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e fundit ishte kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një ditë më parë tha se është e domosdoshme të numërohen të gjitha votat dhe pas numërimit edhe të votës së fundit mund të flasin pastaj për koalicione.

Dialogu dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, pritet të jetë një nga sfidat kryesore edhe për Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Ndërkaq në planin e brendshëm, qeverinë e re, sipas ekspertëve, e presin shumë sfida nga zhvillimi ekonomik deri te sundimi i rendit dhe ligjit.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG