Ndërlidhjet

Zawahiri u vra në lagjen e ndërtuar me taksat e amerikanëve


Kjo fotografi e bërë më 2 gusht 2022 tregon një pamje të zonës Shirpur në Kabul. Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi më 1 gusht se shefi i Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, ishte vrarë nga një sulm me dron në kryeqytetin afgan.
Kjo fotografi e bërë më 2 gusht 2022 tregon një pamje të zonës Shirpur në Kabul. Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi më 1 gusht se shefi i Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, ishte vrarë nga një sulm me dron në kryeqytetin afgan.

Për vite me radhë besohej se lideri i Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri fshihej në zonat e largëta malore që shtrihen në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit.

Por, për ironi të fatit, lideri i rrjetit terrorist u vra nga një sulm me dron i SHBA-së në një lagje të pasur në qendër të Kabulit, e cila ishte ndërtuar kryesisht me paratë e taksapaguesve amerikanë.

Shtëpia ku fshihej Zawahiri, një nga terroristët më të kërkuar në botë, në kohën e sulmit të 31 korrikut ndodhet në pjesën rezidenciale të Shirpurit. Ai besohet se kishte jetuar për muaj të tërë në lagjen e qetë dhe të gjelbër që ndodhej brenda zonave diplomatike të qytetit.

E ndërtuar pas pushtimit të Afganistanit nga forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA-ja në vitin 2001, Shirpuri ishte shtëpi e elitës së re politike të vendit. Lagjja e fortifikuar ishte e mbushur me vila miliarda dollarëshe, disa prej të cilave u jepeshin me qira kompanive dhe qeverive të huaja për çmime të kripura.

Lagjja mishëronte korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë endemike të epokës post-talibane. Pjesa më e madhe e tokës në këtë zonë dyshohet se u rrëmbye nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe ish-komandantë lufte, të cilët u fuqizuan dhe u pasuruan nga prania ushtarake e ndërkombëtarëve.

Dora e Al-Zawahirit në vrasjen e mijëra amerikanëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Shumë banorë të Kabulit i referoheshin lagjes së Shirpurit si "Çurpur". "Çur" do të thotë i vjedhur në gjuhën lokale Dari. Pas një skandali të madh korrupsioni në vitin 2003, policia afgane dëboi me forcë disa qindra njerëz nga Shirpuri, përfshi gjashtë ministra të kabinetit. Por, shumë nga figurat më të fuqishme kundërshtuan dëbimet dhe ndërtuan ilegalisht shtëpi në këtë zonë.

Pas marrjes së pushtetit në gusht të 2021-shit, udhëheqësit talibanë dhe familjet e tyre u zhvendosën në vilat e boshatisura në Shirpur.

Një nga shtëpitë e rrethuara me mure në zonë -- një ndërtesë trekatëshe me ngjyrë rozë e rrethuar me mure të larta dhe tela me gjemba -- besohet se ishte vendi ku Zawahiri dhe familja e tij ishin fshehur.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët amerikanë thanë se Zawahiri u vra pasi u shfaq në ballkonin e shtëpisë së tij të sigurt, teksa u godit nga raketat e lëshuara nga një dron i SHBA-së.

Zawahiri besohet se ishte shpërngulur në kryeqytetin afgan pasi talibanët rimorën Kabulin.

Një zyrtar taliban, duke folur në kushte anonimiteti, i tha Radio Azadit të Radios Evropa e Lirë se shtëpia i përkiste Sirajuddin Haqqanit, ministrit të Brendshëm të talibanëve dhe udhëheqësit të rrjetit Haqqani, një fraksion i fuqishëm i grupit militant. Haqqani, për kokën e të cilit ka një shpërblim prej 10 milionë dollarësh, është një nga të arratisurit më të kërkuar nga FBI-ja.

Zyrtari taliban tha se siguria rreth shtëpisë ku jetonte Zawahiri ishte jashtëzakonisht e lartë. Ai tha se vetëm Haqqani dhe ministri i Mbrojtjes talibane Mullah Mohammad Yaqoob e vizitonin herë pas here shtëpinë.

“Pas sulmit me dron, rruga ku ndodhet shtëpia u rrethua plotësisht”, tha zyrtari taliban. Askush nuk lejohet të shkojë atje”.

Ushtarët talebanë bëjnë roje në lagjen Shirpur pas sulmit me dron që vrau udhëheqësin e Al-Kaidës Ayman al-Zawahiri në Kabul, 2 gusht 2022.
Ushtarët talebanë bëjnë roje në lagjen Shirpur pas sulmit me dron që vrau udhëheqësin e Al-Kaidës Ayman al-Zawahiri në Kabul, 2 gusht 2022.
Ushtarët talebanë bëjnë roje në lagjen Shirpur pas sulmit me dron që vrau udhëheqësin e Al-Kaidës Ayman al-Zawahri në Kabul, 2 gusht 2022.

Banorët e Kabulit druhen se vrasja e Zawahirit në zonën më të sigurt të qytetit do të nxisë më shumë dhunë në një vend që karakterizohet nga sundimi i ashpër i talibanëve.

"Pse jetojnë ende terroristët ndërkombëtarë në Kabul?", pyeti Safa, duke folur për Radio Azadi. Ajo tha se vrasja e Zawahirit në zemër të Kabulit dëshmoi se talibanët strehojnë ende terroristë.

"Pse talibanët nuk janë në gjendje të shkatërrojnë dhe dëbojnë terroristët nga vendi ynë?", pyeti ajo.

Vrasja e Zawahirit ka rritur skepticizmin ndaj talibanëve dhe ka minuar më tej përpjekjet e tyre për të fituar njohje ndërkombëtare dhe për të siguruar ndihmë dëshpërimisht të nevojshme për vendin.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Doha në vitin 2020 mes SHBA-së dhe talibanëve, e cila hapi rrugë për tërheqjen ushtarake të forcave ndërkombëtare nga Afganistani, grupi militant u zotua se nuk do të strehonte anëtarë të Al-Kaidës.

Një anëtar i talibanëve viziton oborrin e shtëpisë të kryekomandantit afgan Abdul Rashid Dostum në lagjen Shirpur të Kabulit.
Një anëtar i talibanëve viziton oborrin e shtëpisë të kryekomandantit afgan Abdul Rashid Dostum në lagjen Shirpur të Kabulit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se talibanët e kishin "shkelur rëndë" marrëveshjen duke pranuar dhe strehuar Zawahirin. Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, nuk komentoi vrasjen e Zawahirit, por pretendoi se Uashingtoni kishte shkelur marrëveshjen e Dohas duke nisur sulmin me dron.

Zawahiri u bë lider i Al-Kaidës pasi themeluesi i rrjetit terrorist, Osama bin Laden, u vra në një sulm nga forcat amerikane në Pakistan në vitin 2011. Lideri 71-vjeçar ishte një nga organizatorët e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001.

Osama Bin Laden dhe Ayman al-Zawahiri.
Osama Bin Laden dhe Ayman al-Zawahiri.

Si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin dhe rrëzuan regjimin taliban, i cili kishte strehuar udhëheqësit e Al-Kaidës. Zawahiri dhe Bin Ladeni besohej se ishin arratisur në Pakistan.

Një tjetër banor i Kabulit, i cili nuk donte të zbulonte emrin e tij, tha për Radio Azadi se druhej që Afganistani do të bëhej sërish një vendstrehim për terroristët nga e gjithë bota.

"Ne jemi të shqetësuar se këta terroristë do të shfrytëzojnë përsëri Afganistanin", tha ai. "Dhe lufta do të kthehet".

Përgatiti: Besmir Nenaj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG