Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Sa ka punë për 70 zëvendësministrat e Kosovës? 


Sa kushtojnë zëvendësministrat?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:35 0:00

Sa kushtojnë zëvendësministrat?

Në kabinetin qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, janë të punësuar mbi 70 zëvendësministra, numër ky që vazhdimisht është kritikuar nga përfaqësues të shoqërisë civile me konstatimin se përveç që dëmton buxhetin e Kosovës e bën jo funksionale edhe punën e qeverisë.

Në opinion, shpesh është ngritur edhe dilema se çka mund të punojnë të gjithë këta zëvendësministra, marrë parasysh që edhe vendet me popullatë shumë më të madhe sesa Kosova nuk kanë numër kaq të madh të të punësuarve në postet nënministrore.

Se ka numër të madh të zëvendësministrave në qeveri, këtë e pranojnë edhe vet ata.

Koalicioni aktual qeverisës përbehet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Social Demokrate, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe e cila merr pjesë vetëm pjesërisht në punën e ekzekutivit dhe disa parti tjera më të vogla.

Ali Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është zëvendësministër i Shëndetësisë. Berisha thotë se detyrat në ministrinë ku ai punon janë të ndara, por që nuk e mohon faktin se numri i madh në raste të caktuara, pengon punën efikase.

“Meqenëse ishte marrëveshje e caktuar politike, pasi qeveria aktuale është e krijuar nga shumë parti politike, bazuar në atë marrëveshje është një numër i tillë i ministrave. Por, sikur të ishin më pak ministra do të ishin më funksional”, tha Berisha.

Vesel Krasniqi nga partia Nisma për Kosovën është zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Krasniqi, që radhitet në mesin e pesë zëvendësministrave të tjerë në këtë ministri, thotë se angazhime dhe punë ka për të gjithë, por në raste të caktuara, shprehet ai, ky numër mund të komplikojë punët.

“Është pak e vështirë, jo për ne si zëvendësministra, mirëpo pak është e vështirë për departamentet, për drejtoritë të cilët duhet të raportojnë dhe secili kërkon shënime, raporte prej tyre”, thotë Krasniqi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përveç ministrit, ka të punësuar edhe pesë zëvendësministra. Vesel Makolli është njëri prej tyre. Ai mendon se në këtë ministri ka shumë punë dhe është e nevojshme të ketë një numër kaq të madh ët zëvendësministrave.

“Thënë realisht një ministër dhe zëvendësministër është problem t’i përkushtohen punës. Nëse koordinohet puna si duhet, si në ministrinë tonë, një zëvendësministër një departament është në rregull, ne raportojmë punën për departamente, jemi në kontakt me bazën”, thekson Veseli.

Por, nga shoqëria civile kritikohet ashpër punësimi i një numri kaq të madh të zëvendësministrave.

"Një numër kaq i madh i zëvendësministrave dhe pozitave politike, nuk është caktuar për të kryer punë të domosdoshme në Qeveri, por për të përmbushur egot e partive politike për pozita të larta qeveritare", ka thënë Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.

“Përpos ngarkesës buxhetore që i bëhet, është një lloj papërgjegjësie, mosdije se kush është përgjegjës për ngecje në një fushë të caktuar. Nuk dihet se a është përgjegjës ministri apo cilido zëvendësministër. Përgjegjësia është shpërndarë dhe nuk dihet se kush është përgjegjësi kryesor”, thotë Demhasaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga 21 ministrat e qeverisë se tij, që t’u delegojnë punë dhe përgjegjësi secilit zëvendësministër, në mënyrë që ky numër aq i madh të kthehet në dobi për qytetarët e vendit.

Ndryshe, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit deri në tre milionë euro në vit, pasi paga mujore e një zëvendësministri është rreth 1200 euro.

Zëvendësministri ka të drejtë të ketë edhe staf përcjellës, si asistentë dhe shoferë personal.

Në anën tjetër, shefja e zyrës se shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, javën e kaluar ka thënë se do të dëshironte që paratë që shpenzohen për pagat e 75 zëvendësministrave të përdoren për reformë të thellë në arsim.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG