Ndërlidhjet

Zgjedhja e kryeprokurorit të Maqedonisë së Veriut mund të zvarritet, sipas ekspertëve


Ndërtesa e Prokurorisë Publike, Shkup, Maqedoni e Veriut.
Ndërtesa e Prokurorisë Publike, Shkup, Maqedoni e Veriut.

Emërimi i kryeprokurorit publik shtetëror në Maqedoninë e Veriut mund të zvarritet deri pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 8 majit, sipas ekspertëve juridikë.

Sonja Simovska u caktua të premten ushtruese e detyrës së kryeprokurorit publik të shtetit, pasi kryeprokurorit të deritanishëm, Lubomir Jovevski, i mbaron mandati të hënën.

Prokuroria shtetërore për herë të parë do të drejtohet nga një ushtruese detyre, pasi konkursi për zgjedhjen e kryeprokurorit shtetëror u hap me vonesë, si pasojë e shtyrjes së afateve disa herë.

Në garë për postin e prokurorit publik shtetëror janë tre kandidatë, Fatime Fetai nga Prokuroria e Lartë e Shkupit, Lidia Raiçeviq nga Prokuroria Publike në Shkup dhe Lupço Koçevski nga Prokuroria Republikane.

Proceduara për zgjedhjen e kryeprokurorit kërkon kohë pasi kalon në disa institucione dhe Bashkim Selmani, ish gjykatës dhe aktualisht ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi mund të zvarritet deri pasi të jetë zgjedhur qeveria e re maqedonase pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit 2024.

“Po ta prekni elementin në këtë rast shtyllën bazë, emërimin e prokurorit shtetërorë qoftë edhe përmes zvarritjes së procesit, faktikisht ky është një element me të cilin politika aktuale nuk heq dorë nga krimi dhe korrupsioni”, tha Selmani.

Tani pritet që Qeveria t’i dërgojë kandidatët në Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili do të japë vlerësimet e veta për ta.

Pastaj, Qeveria do ta dërgojë në Kuvend për votim emrin e kandidatit të vlerësuar pozitivisht nga këshilli.

Sipas ekspertëve juridikë, kryeprokurori i ri mund të mos emërohet para zgjedhjeve parlamentare, pasi qeveria e tanishme është e përbërë nga më shumë partnerë koalicioni dhe mes tyre mund të ketë mospajtime për emrin e kandidatit që duan ta propozojnë.

“Faktikisht këtu nuk është vetëm politika, por kemi të bëjmë edhe me grupe apo individ të krimit të organizuar, të cilët kanë dëshmuar se janë ktyçë në përcaktimin e pozicioneve në sistemin gjyqësore, dhe si rrjedhojë kemi vjetërsimin e lëndëve”, theksoi Selmani.

Gordan Kallajxhiev, ligjërues i së drejtës penale në Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkupit, tha për Radion Evropa e Lirë se politika “përfundimisht duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në punën e prokurorisë”, ose rrezikon që qytetarët ta humbin besimin në drejtësisë.

“Mendoj se tani nuk e kanë dhe aq komoditetin politikëbërësit që të vendosin njerëzit e tyre [në pozita]. Mandati i qeverisë dhe ai i kreut të prokurorisë qëllimisht nuk janë të njëjtë në kohëzgjatje, që të shmanget përvoja e deritanishme që, sapo ta marrin pushtin drejtuesit e qeverisë, ta shkarkojnë [kryeprokurorin], gjë që ka ndodhur”, tha Kallajxhiev.

Ai beson se pas kritikave serioze që mori Maqedonia e Veriut nga faktori ndërkombëtarë, mundësia për të ndikuar në drejtësi është zvogëluar.

XS
SM
MD
LG