Nis mbyllja e vendvotimeve për zgjedhjet lokale në Kosovë
Në 38 komuna të Kosovës ka nisur mbyllja e qendrave të votimit, pasi qytetarët për 12 orë kishin mundësi që të zgjidhnin udhëheqësit e rinj komunalë dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale.
Si rëndom, në qendrat ku ka ende votues, ato do të mbeten të hapura edhe pas orës 19:00, derisa të gjithë të kenë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.
Dalja deri në orën 18:00 është rreth 33 për qind, teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të njoftojë për pjesëmarrjen përfundimtare në zgjedhje dhe ecurinë e procesit gjatë konferencës së planifikuar për në orën 19:30.
Qytetarët në veri shfrytëzojnë kohën e mbetur për të votuar
Në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës, qytetarët po vazhdojnë të shkojnë drejt qendrave të votimit, ndonëse deri në mbylljen e tyre kanë mbetur më pak se gjysmë ore.
Pas më shumë se dy vjetësh, pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, po zgjedhin sërish përfaqësuesit e tyre, pasi kishin bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit 2023 dhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në prill 2024.
Sipas KQZ-së, dalja në Zubin Potok deri në orën 18:00 është 58.03 për qind.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dalja në zgjedhjet lokale deri në orën 18:00 është 32.66 për qind.
Një orë deri në mbylljen e vendvotimeve
Teksa kanë mbetur edhe një orë deri në mbylljen e vendvotimeve në 38 komunat e Kosovës, zyrtarë të partive të ndryshme politike kanë shtuar thirrjet që qytetarët të votojnë për të zgjedhur krerët e rinj komunalë dhe përbërjet e reja komunale.
Sipas ueb-faqes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dalja deri në orën 18:00 është 32 për qind.