Ndërlidhjet

Partive pro-evropiane iu zbehet fuqia në BE


Zgjedhjet në Parlamentin Evropian i kanë hapur rrugën ndryshimeve politike në Bashkimin Evropian, pasi partitë kryesore të qendrës dhe partitë e qendrës së majtë, kanë humbur shumicën, derisa ambientalistët, partitë e ekstremit të djathtë dhe grupe pro-biznesore kanë rritur prezencën.

Bazuar në rezultatet e para, është supozuar se i ashtuquajturi “koalicion i madh” në mes të Partisë Popullore Evropiane dhe Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve nuk do të ketë më shumicën.

Ambientalistët duket se kanë rezultate të mira, meqë partitë e Gjelbëra kanë fituar numër rekord të ulëseve në disa shtete, duke përfshirë 20 për qind të votave në Gjermani, çka njëherësh shënon dyfishin e përkrahjes ndaj kësaj partie, në krahasim me zgjedhjet evropiane të mbajtura më 2014.

Sipas rezultateve të para në gjithë Evropën, ka mundësi që të gjelbërit të sigurojnë 69 ulëse në Parlament, për dallim nga 52 sa kanë pasur deri më tani.

Kandidati francez i partisë, Të Gjelbërit, Yannick Jadot, e ka konsideruar rezultatin si “valë të gjelbër ku ne jemi lojëtarët kyçë”.

Partitë pro-evropiane kanë thënë të hënën se nuk do të bashkëpunojnë me partitë që janë kundër Bashkimit Evropian. Të dyja partitë, si, Partia Popullore Evropiane, ashtu dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, kanë bërë thirrje për koalicion në mes të partive pro-evropiane.

​Lideri i grupit të qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane, Manfred Weber, ka thënë se “prej tani, ata që dëshirojnë të ketë Bashkim Evropian të fortë, duhet të bashkojnë forcat”.

Weber ka thënë po ashtu se grupi i tij nuk do të bashkëpunojë me “asnjë parti që nuk beson në të ardhmen e Bashkimit Evropian”.

Lideri i Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve, Frans Timmermans, që është rivali kryesor i Weberit për pozitën e shefit të Komisionit Evropian, ka thënë se dëshiron të punojë me partitë progresive “për të ndërtuar një program që adreson aspiratat, ëndrrat dhe ndonjëherë frikën e evropianëve tanë të dashur”.

Kush fitoi dhe kush humbi?

Duke shikuar në baza kombëtare, partia e francezes, Marine Le Pen, Marshi Kombëtar, duket se ka fituar vendin e parë, në krahasim me presidentin pro-evropian, Emmanuel Macron, i cili ka bërë fushatë në emër të politikanëve të qendrës.

Sondazhet kanë treguar se partia e Le Penit është në rrugë për të fituar rreth 24.0 për qind të votave, deria aleanca e Macronit rreth 22.5 për qind.

Le Pen i ka kërkuar Macronit që të shpërbëjë Parlamentin francez dhe të organizojë zgjedhje të reja, duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve evropiane, mirëpo kjo kërkesë është refuzuar menjëherë nga qeveria.

Megjithatë analistët politikë besojnë se partia e Le Pen-it mund të humbë disa ulëse, pasi në zgjedhjet e vitit 2014 pati fituar 24.9 për qind të votave në Francë.

Aleatët e Macronit e kanë konsideruar rezultatin “të respektueshëm” derisa ndihmësit e tij kanë thënë se fitorja e partisë së politikanes Le Pen nuk do të ketë ndikim në politikat e presidentit francez.

Në Mbretërinë e Bashkuar, grupi i ri, Partia e Brexitit, e udhëhequr nga Nigel Farange, ka fituar 32 për qind të votave, pavarësisht rritjes së Demokratëve Liberalë dhe humbjeve të mëdha për partitë Konservatore dhe atë Laburiste.

Në Hungari, partia e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, Fidesz ka fituar 52 për qind të votave, apo 13 prej 21 ulëseve të këtij shteti.

“Ne jemi të vegjël mirëpo ne dëshirojmë ta ndryshojmë Evropën”, ka thënë Orban. Ai i ka përshkruar këto zgjedhje si “fillimi i një epoke të re kundër migrimit”.

Sipas parashikimeve, partia e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe partneri i saj i koalicionit po ashtu do të përballen me humbje.

Si funksionon Parlamenti Evropian?

Parlamenti Evropian përbën pjesën ligjvënënse të BE-së.

Ai përbëhet nga 751 deputetë, që zgjedhen drejtëprdrejt nga votuesit evropianë çdo pesë vjet. Këta ligjvënës në Bruksel dhe Strasburg, përfaqësojnë interesat e qytetarëve të BE-së në 28 vendet anëtare.

Një nga rolet kryesore të Parlamentit është miratimi i ligjeve të propozuara nga Komisioni Evropian.

Ai po ashtu është përgjegjës për zgjedhjen e presidentit të Komisionit Evropian dhe për miratimin e buxhetit të BE-së.

Dalja në këto zgjedhje në BE, duke përjashtuar Britaninë është vlerësuar të ketë qenë 51 për qind, njëherësh shifra më e lartë në 20 vjetët e fundit.

Zgjedhjet janë mbajtur për katër ditë në vende të ndryshme të BE-së.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG