Ndërlidhjet

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, 8 faktet që duhet ditur


Parlamenti Evropian, Strasburg
Parlamenti Evropian, Strasburg

Kur do të votohet dhe kush merr pjesë në zgjedhje?

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen prej 23 deri më 26 maj. Qytetarët e 28 vendeve anëtare u drejtohen kutive të votimit të dielën më 26 maj. Rezultatet paraprake do të prezantohen mbrëmjen e së dielës përmes një organizimi të madh në ambientet e Parlamentit Evropian në Bruksel.

Cilat janë partitë dhe fraksionet kryesore?

Në Parlamentin Evropian janë shtatë familje të mëdha politike, katër prej të cilave mund të konsiderohen shumë pro-evropiane. Më e madhja prej tyre është Partia Popullore Evropiane (EPP) që përfshin një spektër të gjerë të partive të qendrës së djathtë dhe ato demokristiane.

Shembull, këtij blloku i përket Unioni Demokristian i Gjermanisë, parti kjo e kancelares gjermane, Angela Merkel, por në të njëjtin bllok është edhe partia Fidez e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, e cili aktualisht është pezulluar nga grupi, por ende është anëtare. Grupimi kryesor i qendrës së majtë quhet Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe përbëhet siç nënkuptohet edhe nga emri, nga partitë social-demokrate.

Ekziston gjithashtu një fraksion i liberalëve të quajtur ALDE në të cilin bëjnë pjesë partia spanjolle Ciudadanos (Qytetarët), si dhe partia çeke ANO. Ekziston edhe një grup tjetër i të gjelbërve që grupon partitë e ambientalistëve. Këto katër grupime janë përgjithësisht të njohura si pro-evropiane dhe zakonisht përpiqen të bashkëpunojnë kur përpilojnë legjislacionin edhe nëse kanë dallime mes tyre.

Grupi i pestë, i përbërë nga partitë konservatore të quajtura Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), janë të pozicionuar diku midis kampit pro-BE dhe atij që njihet si grup euroskeptik.

Në këtë grup mund të gjeni partinë konservatore britanike, Tories, separatistë flamanë dhe partinë Ligji dhe Drejtësi nga Polonia. Në këndin euroskeptik mund të gjeni të Majtën e Bashkuar Evropiane (GUE) që strehon partitë socialiste dhe komuniste dhe një ose dy grupime të krahut të djathtë. Mund të pritet që populistët e djathtë dhe të majtë do të zënë më shumë vende në Parlamentin e ri, por jo të marrin kontrollin në mënyrë që të ndalin miratimin e legjislacionit.

Pritjet janë që kryesisht Parlamenti Evropian të bëhet më “i zjarrtë” dhe më radikal në pesë vitet e ardhshme. Më e njohura pritet të jetë Aleanca Evropiane e Popujve dhe Kombeve (EAPN) me anëtarë si Partia e Lirisë në Austri dhe partia italiane Lega Nord. Megjithatë, nuk pritet që të gjitha partitë e krahut të djathtë të bëhen pjesë e këtij grupimi.

Të gjitha këto parti garojnë për 751 vende në Parlamentin Evropian që ndahen në bazë të numrit të popullsisë së 28 vendeve anëtare. Kështu për shembull, Gjermania do të dërgojë 96 deputetë në Strasburg dhe Bruksel (në këto dy vende gjenden selitë e Parlamentit Evropian) ndërkaq vendet e vogla si Qiproja, Estonia, Luksemburgu dhe Malta do të dërgojnë vetëm nga gjashtë deputetë.

Cilat janë rezultatet e pritshme?

Nëse është për t'ju besuar anketave, atëherë, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (PPE) pritet të dalë e para me rreth 170 nga 751 vende në Parlament. Gjithashtu, parashikohet që ato të fitojnë në 13 nga 28 shtetet anëtare. Socialistët dhe Demokratët e qendrës së majtë (S&D) pritet që të renditen të dytët me rreth 150 deputetë. Sidoqoftë, zhvillimi më i rëndësishëm është që të dyja grupimet e mëdha po humbin përkrahje dhe secila prej tyre pritet të humbasë rreth 40 vende.

Dhe kjo do të thotë se për herë të parë që nga votimi i drejtpërdrejtë për Parlamentin Evropian në vitin 1979, nuk ka të ngjarë të kenë një shumicë mes vete. Por, të paktën njëra prej tyre do të kërkojë një lloj fitore për shkak të krijimit të Spitzenkandidaten (kandidatit kryesor) sistem ky sipas të cilit kandidati i grupimit më të madh parlamentar do të jetë Presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian (institucion ekzekutiv i BE-së).

Mirëpo, në Këshillin e Bashkimit Evropian (organi kryesor vendimmarrës) nuk janë të kënaqur me këtë mënyrë të zgjedhjes. Ata duan që ta zgjedhin vetë Presidentin përmes dyerve të mbyllura.

Në vitin 2014, kur sistemi u propozua për herë të parë, Parlamenti fitoi betejën kur kandidati i PPE-së Jean-Claude Juncker u emërua President i Komisionit. Tani, kandidatët kryesorë, ai i Partisë Popullore Evropiane Manfred Weber dhe ai i grupimit Socialistët dhe Demokratët, Frans Timmermans shpresojnë të jenë pasardhës të tij. Këshilli ka të ngjarë të ketë ide të tjera. Pra, lufta për “çmimet kryesore” në Bruksel fillon pas votimit të majit.

Çfarë të thuhet në lidhje me rritjen e populizmit?

Tregimi kryesor që është raportuar në media sa i përket zgjedhjeve evropiane ka qenë supozimi i “rritjes së populizmit”. Në vitin 2014, krahu i majtë mori 52 anëtarë të parlamentit dhe pritet që ata të fitojnë një numër të ngjashëm këtë vit. Por, një rritje mund të shohim në krahun e djathtë. Pesë vjet më parë, partitë e krahut të djathtë anti-BE u ndanë në dy grupe, të cilat së bashku kishin 82 anëtarë.

Anketimet paraprake bëjnë të ditur se numri i deputetëve të tyre në këto zgjedhje mund të shkojë mbi 100. Partia italiane e krahut të djathtë Liga e Mateo Salvinit pritet të ketë numrin më të madhë të eurodeputetëve pas partisë së kancelares gjermane Angela Merkel e cila është e mundshme të arrijë një fitore të vërtetë në këto zgjedhje.

Përpjekja e Salvinit për të bashkuar euroskeptikët në një grup të ri të quajtur Aleanca Evropiane e Popullit dhe Kombeve (EAPN) tashmë ka arritur të përfshijë Partinë e Lirisë të Austrisë, Frontin Kombëtar të Marine Le Pen në Francë dhe Alternativën për Gjermaninë. Të gjitha këto parti pritet të kenë sukses në këto zgjedhje.

Aleanca Evropiane për Popullin dhe Kombet aktualisht parashihet të ketë 75 ulëse dhe mund të sfidojë liberalët si grupi i tretë në Parlamentin Evropian. Por, jo të gjithë euroskeptikët do t’i bashkohen këtij grupimi.

Partia Ligji dhe Drejtësia e Polonisë është një shembull i qëndrimit në grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë grupim ky që përfshin gjithashtu një parti çeke dhe suedeze. Megjithatë është e drejtë të presësh që populistët, të majtët dhe të djathtët, të bëhen grupimi i tretë në Parlament.

Çfarë do të bëjë presidenti i Francës, Emmanuel Macron?

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron perceptohet si një figurë e re në Evropë dhe një antidodë për nacionalizimin dhe euroskepticizmin e Matteo Salvinit në Itali. Por përpjekjet e tij për të shkundur politikën evropiane janë pritur me konfuzion në Bruksel.

Macron ende nuk është deklaruar publikisht nëse partia e tij Republika Përpara e cila pothuajse e barabartë me Frontin Kombëtar të Mari Le Pen në sondazhet franceze, do të bashkohet me grupin liberal në PE.

Në fakt, tashmë është “fshehtësi publike” se ai e nënçmon kreun e grupimit liberal ALDE, ish-kryeministrin belg, Guy Vergofstadt. Macron duket se nuk do të mbështesë as kandidaten potenciale, danezen, Margrethe Vestager për pozitën më të lartë të Komisionit Evropian duke preferuar kandidatin francez Michel Barnie, emër i njohur si negociator i Brexit-it. Në fund Macron ka të ngjarë të bashkojë forcat me liberalët e grupit ALDE për të siguruar afërsisht 100 vende.

Por, cilat do të jenë qëndrimet e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban?

Kryeministri hungarez është po aq i paparashikueshëm sa udhëheqësi francez. Ai është pezulluar nga grupi i Partive Popullore Evropiane (EPP) në mars dhe kohët e fundit ka zhvilluar një luftë të hapur kundër kandidatit kryesor të këtij grupimi, gjermanit Manfred Weber duke thënë se ai nuk do ta mbështesë atë për pozitën e Presidentit të Komisionit. Orban ka thënë se PPE duhet të bashkëpunojë me forcat e djathta anti-migrantëve në vend se të bashkëpunojë me të majtën. Weber i është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk dëshiron të zgjidhet në pozitë me ndihmën e partisë së Orbanit.

Hendeku midis EPP në radhë të parë (përfshirë partinë hungareze Fidez) dhe S&D është aktualisht 20 vende sipas sondazheve. Hapësira për manovrim është e kufizuar, por çështja është nëse EPP mund ta mbajë Orbanin pa e humbur kredibilitetin.

Çfarë mund të themi për britanikët?

Ata do të duhej të ishin larguar deri më tani. Por, me marrëveshjen përfundimtare për Brexit-in, e cila ende po pret miratimin ligjvënësve, Britania po merr pjesë në zgjedhjet evropiane. Kjo do të thotë se PE do të ketë zyrtarisht deputetë britanikë të paktën deri më 31 tetor.

Ajo që është e qartë është se atyre nuk do t'iu caktohet ndonjë pozitë e rëndësishme në komitete, as nuk do të jenë raportues në Parlamentin Evropian. Shumë nga ata as nuk do të udhëtojnë deri në Strasburg. Por britanikët si deputetë të Parlamentit Evropian megjithatë mund të bëjnë zhurmë gjatë seancave.

Shumë kanë menduar se nuk do ta shohin më kreun e fushatës së Brexit-it, Nigel Farage. Megjithatë, ai është këtu përsëri. Përsëri duket se partia e tij do të udhëheqë. Partia për Pavarësi në vitin 2014 fitoi më shumë deputetë sesa çdo parti tjetër.

Disa ekspertë e shohin votimin britanik si një referendum të dytë për BE-në, por do të jetë shumë e vështirë për t'u vlerësuar në këtë aspekt. Konservatorët britanikë mbeten të ndarë sa i përket BE-së.

Por, rritje e partive Liberal Demokrate dhe asaj të Gjelbër tregojnë se Brukseli ende është në mendjet e shumë britanikëve. Pastaj është çështja nëse kryeministrja britanike, Theresa May, do të mënjanohet nëse partia e saj do të ndëshkohet me votim. Britania mbetet, si gjithmonë, një palë nga e cila nuk duhet larguar shikimin.

Po pjesëmarrja në votime?

Një thashethem qarkullon në heshtje në Bruksel: jo shumë shtetas të BE-së kujdesen për zgjedhjet parlamentare evropiane. Rreth 374 milionë njerëz kanë të drejtën e votës në Bashkimin Evropian duke i bërë këto zgjedhje të dytat në botë pas zgjedhjeve parlamentare të Indisë.

Megjithatë, shumë pak do të përdorin këtë mundësi. Paradoksi i trishtuar është se nëse Parlamenti Europian është bërë më i rëndësishëm politikisht gjatë viteve të fundit, teksa legjitimiteti demokratik ka rënë. Në fakt, pjesëmarrja e votuesve ka rënë në çdo zgjedhje që nga e zgjedhjet e para në vitin 1979 kur votuan 62 për qind e evropianëve.

Njëzet vjet më vonë ajo ishte nën 50 për qind. Në zgjedhjet e fundit, pesë vjet më parë, ajo ishte 42.5 për qind, nga 43 për qind në 2009, pavarësisht nga fushatat e mëdha të dhe debateve televizive nga kandidatët kryesorë. Vetëm 13 për qind e votuesve sllovakë hodhën një fletëvotim në vitin 2014 dhe në Republikën fqinje të Çekisë ishte 19 për qind.

Një gjë që zyrtarët e Brukselit shpresojnë kur është fjala për zgjedhjet e këtij viti është se një pjesëmarrje më e lartë mund të zmbrapsë valën e pritshme populiste. Megjithatë, mbetet fakt se shumica e qytetarëve të BE-së, në rastin më të mirë, i shohin zgjedhjet evropiane si provë përpara zgjedhjeve të rëndësishme të ardhshme si në Kroaci, Danimarkë, Greqi, Poloni dhe Rumani që mbahen gjatë verës në vjeshtës. Në rastin më të keq, shumë e shohin atë si një plan B nëse ata nuk kanë planifikuar ndonjë gjë tjetër për fundjavën e fundit në muajin maj.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG