Ndërlidhjet

Këtë herë, pa premtime megalomane!


Prishtinë
Prishtinë

Premtime nga më të ndryshmet janë duke u dëgjuar nga partitë politike në Kosovë, në prag të nisjes së fushatës zgjedhore.

Subjektet pjesëmarrëse në zgjedhjet e 11 qershorit, përveç premtimeve për zgjidhjen e problemeve politike, zotohen se do të përmirësojnë edhe situatën ekonomike.

Hapja e vendeve të reja të punës, rritja e pagave, e mirëqenies sociale, investimet në fusha të ndryshme ekonomike, arsimi më cilësor, sundimi i rendit e ligjit dhe luftimi i krimit e korrupsionit dominojnë premtimet.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike thonë se premtimet e partive politike nuk dallojnë shumë nga ato që janë dëgjuar gjatë fushatave të mëhershme zgjedhore.

Por, e veçanta e kësaj para-fushate, sipas tyre, është se nuk po thuhen më shifra marramendëse për hapjen e vendeve të punës, siç ka ndodhur më herët.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se deri më tani nuk janë vërejtur premtime ambicioze apo bombastike, sidomos në aspektin e numrave, çka e ka karakterizuar fushatën zgjedhore të vitit 2014.

“Kur flas për numra e kam fjalën për numrat e vendeve të reja të punës, që synohen të krijohen nga partitë që presin të marrin pushtetin pas zgjedhjeve të 11 qershorit”.

“Në përgjithësi mbesin të njëjtat premtime: krijimi i vendeve të reja të punës, mbështetja e sektorit privat, konkretisht sektorit të prodhimtarisë. Ajo çfarë vihet re është se pothuajse të gjitha partitë premtojnë lehtësira fiskale për sektorin e prodhimtarisë, gjë që duhet të ndodhë“, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Qytetarët presin ndryshime pozitive nga Qeveria e re
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thotë se koalicionet dhe partitë politike ende nuk i kanë publikuar programet zgjedhore, por nga deklaratat e deritashme, premtimet, sipas tij, nuk duken megalomane si më parë.

“Për dallim nga fushatat e kaluara, gjatë këtij viti tema e ekonomisë, krijimi i vendeve të reja të punës do të jenë tema prioritare. Në zgjedhjet e kaluara kemi pasur premtime për liberalizim të vizave, për bashkimin e Mitrovicës, për integrimin e Kosovës në BE. Madje, janë përmendur edhe shifra marramendëse për krijimin e vendeve të reja të punës. Në këto ditë, unë kam parë qëndrime pak më racionale të partive politike”, shprehet Gashi.

Ajo që vërehet më tepër këto ditë, sipas Arian Zekës, është se të gjitha partitë politike kanë premtuar subvencione dhe mbështetje më të madhe për sektorin e bujqësisë.

“Pavarësisht se ka pasur efekte pozitive viteve të fundit në këtë aspekt, duhet të veprohet me kujdes nga ana e qeverisë se ardhshme, që subvencionet të mos rriten në mënyrë drastike, të mos krijohet pabarazi pastaj në mes të sektorëve të tjerë”.

“Është mirë të subvencionohen bujqit, por dy ose trefishimi i buxhetit për bujqit në vitet e ardhshme mund të jetë i dëmshëm për sektorët tjerë”, thekson Zeka.

Naim Gashi, ndërkaq, thotë ka pasur disa premtime të partive politike të pallogaritura mirë, por ai beson se me fillimin zyrtar të fushatës, partitë politike nuk do të bëjnë premtime “absurde dhe të parealizueshme”.

“Mund të themi se nga deklaratat e dëgjuara ka disa risi. Njëra parti politike ka premtuar se buxheti do të bëhet tre miliardë euro brenda dy vjetësh; një grupim tjetër politik ka premtuar se do të rriten pagat për 30 përqind në sektorin publik. Është premtuar se do të fillojë dhënia e shtesave për fëmijët kosovarë. Disa nga këto premtime janë të pakalkuluara, janë premtime kuturu, të cilat besoj se do të detajizohen gjatë fushatës”, thotë Gashi.

Zhvillimi i dobët ekonomik dhe shkalla e lartë e papunësisë mbeten problemet kryesore në Kosovë, të cilat besohet se shkaktojnë edhe kriza e probleme tjera.

Në të gjitha zgjedhjet, qoftë të përgjithshme apo lokale, subjektet politike kanë premtuar uljen e shkallës se papunësisë dhe varfërisë, por në realitet, gjendja ka mbetur e njëjtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG