BE shprehet e shqetësuar për situatën “shumë serioze” në veri të Kosovës
Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, dhe ka thënë se i konsideron këto tensione si rezultat të veprimeve nga të dyja anët.
“Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje se si veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.
“(Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit) EULEX tashmë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive. Italia, për shembull, ka dërguar përforcime para disa javësh. Kemi thënë në prononcimet tona se EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë që ndihmon Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën e zbrazët që është krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe”.
Sipas këtij burimi, EULEX-i është duke bashkëpunuar në terren edhe me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së në Bruksel.
Blloku evropian ka thënë po ashtu se palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që çojnë deri te tensionet në Kosovë dhe që të gjitha mospajtimet t’i adresojnë përmes dialogut.
Vuçiq takohet me ministrin e Mbrojtjes dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi mëngjesin e së premtes se është takuar me ministrin e tij të Brendshëm dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe.
Ai nuk dha ndonjë detaj se për çfarë u diskutua.
“Gjatë natës dhe mëngjesit me ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Millan Mojsilloviq... Nuk ka dorëzim”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Paraprakisht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë.
Në pjesën veriore të Kosovës - e banuar me shumicë serbe - ka pasur disa incidente ditëve të fundit.
Nuk është e qartë nëse në takimin për të cilin njoftoi Vuçiq, u diskutua për zhvillimet në veri të Kosovës.
Ambasadori gjerman: Nuk është situatë e favorshme për zgjedhje
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se situata aktuale në veri të Kosovës “nuk është e favorshme” për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Ai tha se pajtohet me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili, ditë më parë, tha se “nuk ka kushte” për mbajtjen e zgjedhjeve.
Raportohet për situatë të qetë në veri të Kosovës
Një zyrtar i Policisë së Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se situata në veri të Kosovës është aktualisht e qetë dhe “nuk ka persona të maskuar në rrugë, të cilët janë parë në orët e mëngjesit”.
“Personat e maskuar kanë qenë aty gjatë orëve të natës dhe në mëngjes, por tani janë larguar”, ka thënë ky zyrtar policor.
Aktualisht nuk ka patrulla të policisë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, por vetëm në lagjen multi-etnike, Mëhalla e Boshnjakëve.