KQZ "nuk ka kompetencë" të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve
Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u tha se ky organ vazhdon me përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Sipas tyre, nuk është në kompetencën e KQZ-së që të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve.
Ndërsa sa i përket raportit të dërguar tek presidentja Vjosa Osmani, KQZ tha se vetëm e ka informuar atë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por nuk ka dhënë rekomandime.
Në këtë mbledhje, e cila u mbajt më 10 dhjetor, u vendos që të shtyhet afati për nominimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve.
Me 11 vota për dhe asnjë kundër u vendos që ky afat të shtyhet deri më 13 dhjetor. Sipas tyre, kjo shtyrje nuk ndikon në procesin zgjedhor.
Për më shumë lexoni lajmin e plotë në këtë link.
Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rinisim mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në veri të Kosovës.
Gjatë natës nuk janë raportuar incidente në veri të vendit dhe aktualisht gjendja është e qetë.
Kështu i tha Radios Evropa e Lirë - drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.
Në këtë komunë - e banuar me shumicë serbe - mbrëmjen e 9 dhjetorit, tek lagjja Tri Rrokaqiejt, janë dëgjuar shpërthime.
Hoti tha se kjo ka ndodhur me mjet shpërthyes piroteknik, dhe se nuk ka pasur dëme.
Tensionet në veri
Të nderuar lexues, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë për ditën e sotme sa i përket situatës në veri të Kosovës.
Por, më poshtë po ju sjellim një përmbledhje të ngjarjeve që kanë ndodhur më 9 dhjetor:
- Shtetet e Bashkuara dënuan incidentet e dhunshme në veri të Kosovës dhe kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi që të shmangin deklaratat që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet
- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në dy ditët e fundit, autoritetet kanë arrestuar dy serbë për sulme ndaj zyrtarëve policorë. Policia e Kosovës tha se arrestimi i fundit ndodhi më 9 dhjetor, në Jarinjë në veri të Kosovës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, pasi sipas anëtarit të këtij institucioni, Arianit Elshani, KQZ-ja nuk ka mandat për këtë
- Policia e Kosovës tha se situata në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – është stabile dhe e menaxhueshme
- Gjatë ditës janë raportuar disa incidente, tha Policia, përfshirë një sulm ndaj një ekipi gazetarësh. Në orët e mbrëmjes, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar disa shpërthime. Por, autoritetet nuk kanë dhënë detaje se çfarë i ka shkaktuar ato
- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës nuk është e orientuar kundër serbëve
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në Kosovë nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë. Këto komente erdhën pas disa paralajmërimeve nga zyrtarët serbë se po e shqyrtojnë mundësinë që të dërgojnë trupa në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
- Njohësit thanë se Serbia nuk vendos për kthimin e forcave në Kosovë. Por, këtë e vendos misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR
- Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha se "bartës i rezistencës” në veri është nënkryetari i saj, Milan Radoiçiq. Ai është në listën e zezë amerikane për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar. Britania më 9 dhjetor e vendosi atë nën sanksione për shkak të korrupsionit
- Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zgjedhjet, për shkak se kanë argumentuar se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e tyre
- Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me situatën “shumë serioze” në veri të Kosovës
- Disa qytetarë – serbë dhe shqiptarë – në Mitrovicë të Veriut, i thanë Radios Evropa e Lirë se janë të mësuar me tensione. Mendimet e tyre mund t’i gjeni KËTU
SHBA dënon incidentet e dhunshme në veri
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar incidentet e dhunshme që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.
“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha zëdhënësi.
Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet”.