Petkoviq: E kam njoftuar Lajçakun për arrestimin
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se të shtunën në Jarinjë është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Ai tha se për këtë ngjarje e ka njoftuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Petkoviq tha se do të kërkojë nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që “të ndërpritet menjëherë hakmarrja ndaj serbëve".
Serbët lokalë mblidhen në Rudarë
Qytetarët serbë në veri kanë filluar të mblidhen në Rudarë, në afërsi të Zveçanit.
Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, aty janë parë burra të maskuar dhe gra.
Arsyeja e mbledhjes ende nuk është bërë e ditur, por ka informata se kjo vjen pas një arrestimi në veri.
Në këtë vend, Rudarë, më herët janë ngritur barrikada nga serbët lokalë.
Osmani takon partitë politike për zgjedhjet në veri
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet t’i takojë partitë politike për konsultim për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës - Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në njoftimin e presidencës thuhet se takimi do të mbahet të shtunën në orën 14:30, por nuk jepen detaje se kush do të marrë pjesë.
Tajani: Tensionet në veri rrezikojnë stabilitetin në rajon
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se tensionet në veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin në rajon.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe u ka kërkuar atyre që të “shmangin veprimet e njëanshme”.
Tajani tha se Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkan.
“Le të nxisim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi ai.