Petkoviq: Masa e paraburgimit ndaj Pantiqit, “vazhdimësi e arrogancës së Kurtit”
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se masa e paraburgimit prej një muaji për ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, është “vazhdimësi e arrogancës së (kryeministrit të Kosovës Albin) Kurtit.
Sipas tij, “Kurti e ka arrestuar një person të pafajshëm vetëm pse ka emër dhe mbiemër serb”.
Sipas autoriteteve të Kosovës, "Pantiq ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.
Si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të Pantiqit më 10 dhjetor, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada.
Më pas, Policia e Kosovës, duke përmendur aspektin e sigurisë, ka mbyllur dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Lajçak viziton Kosovën dhe Serbinë më 14 dhjetor
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëtojë më 14 dhjetor në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Sipas tij, BE-ja ka gatishmëri që të dërgojë përforcime për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Borrell ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës ka qenë temë diskutimi në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Sipas njoftimit, të gjithë ata janë pajtuar se duhet “të merren hapa për uljen e tensioneve”.
Osmani diskuton me Escobarin për situatën në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sërish heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, në një takim që ka zhvilluar pasditen e së hënës me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Prishtinë.
Ajo ka thënë se barrikadat janë vendosur nga strukturat ilegale që janë “dirigjuar nga (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq”.
Vetë Escobar nuk ka folur për mediat rreth vizitës së tij në Kosovë.
Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Presidenca, Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për qëndrimin e shprehur lidhur me barrikadat në veri, si dhe për sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX.
Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar sulmet dhe kanë kërkuar heqjen e barrikadave në veri.
Sipas Osmanit, “sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë”.
Në takim është thënë të jetë diskutuar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe SHBA-së.
Moska bën thirrje për zgjidhje “diplomatike” të situatës në veri
Kremlini ka bërë thirrje të hënën për zgjidhje “diplomatike”, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ditëve të fundit.
“Ne parapëlqejmë që palët të bëjnë përpjekje të natyrës paqësore dhe që kjo situatë të zgjidhet përmes rrugëve diplomatike”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve.
“Ne duam të sigurohemi që të gjitha të drejtat e serbëve janë të garantuara”, ka thënë ai.
Ministria e Jashtme ruse është zotuar se do të qëndrojë me Beogradin.
“Ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë Beogradit për të mbrojtur interesat kombëtare legjitime, sa i përket Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ajo ka thënë se Moska është “e alarmuar” për situatën e krijuar, dhe ka akuzuar Prishtinën për “provokime” dhe “shtypje të serbëve në Kosovë”, pa ofruar dëshmi për pretendimet e bëra.
Serbia gëzon lidhje të mira me Rusinë, derisa kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.