Ndërlidhjet

Digjen disa shtëpi në Himarë, situata me zjarre drejt përmirësimit

Një helikopter i ushtrisë shqiptare gjatë operacionit për shuarjen e vatrave të zjarrit në Levan, afër Fierit më 4 shtator.
Një helikopter i ushtrisë shqiptare gjatë operacionit për shuarjen e vatrave të zjarrit në Levan, afër Fierit më 4 shtator.

Gjashtë banesa u dogjën dhe 36 persona u evakuuan për shkak të zjarrit që përfshiu Himarën më 4 gusht. Megjithatë, të shtunën, autoritetet thanë se situata me zjarre në këtë qytet në jug të Shqipërisë është përmirësuar dhe po mbahet nën kontroll.

Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së premtes në lagjen ‘1 Maji’ të qytetit të Himarës. Për shkak të erës flakët zbritën nga kodra dhe u përhapën me shpejtësi.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se për të përballuar situatën e vështirë gjatë natës u angazhuan rreth 300 forca operacionale, ku përfshihen zjarrfikës, strukturat e emergjencave, pushtetit vendor dhe policisë, si dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Banorë të Himarës thanë se zjarri përparoi shumë shpejt drejt banesave të tyre, në disa prej të cilave kishte edhe turistë të huaj.

“Unë kam ambiente shërbimi, të gjithë turistët u evakuuan për sigurinë e tyre. I thamë të zbresin poshtë në qendër derisa të qetësohet gjendja. Presim të vijë energjia që të kthehemi sadopak në normalitet” tha për mediat lokale një banore.

“Zjarri ka ulur intensitetin, situata është përmirësuar, rreziku për banesat është shmangur dhe puna për shuarjen vijon”, thekson Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi e cilësoi ditën e djeshme, si një ndër më të vështirat të situatës së zjarreve gjatë gjithë sezonit veror. Problematike ka qenë situata edhe në fshatin Levan të Fierit, ku u rrezikuan disa banesa nga zjarri.

Një e moshuar duke u evakuuar nga Levani, afër Fierit, pas shpërthimit të vatrave të zjarrit më 4 shtator.
Një e moshuar duke u evakuuar nga Levani, afër Fierit, pas shpërthimit të vatrave të zjarrit më 4 shtator.

Ministria e Mbrojtjes po ashtu bëri të ditur se nga 39 vatra zjarri të shënuara në 24 orët e fundit, 11 mbeten aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 380 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Në muajt e verës, disa zona në Shqipëri u përballën me vatra zjarri. Me zjarre të egra janë përballur edhe shtete të tjera të Evropës.

Shkencëtarët thonë se ngrohja globale po zgjat periudhat e thatësirës dhe po bën që fenomenet ekstreme të motit të jenë më të ashpra dhe më të shpeshta.

XS
SM
MD
LG