Ndërlidhjet

Kablloja e defibrilatorit, shkaktar i zjarrit në spitalin në Tetovë


Spitali i djegur në Tetovë. Shtator, 2021.
Spitali i djegur në Tetovë. Shtator, 2021.

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës publikoi të martën raportin për zjarrin që shpërtheu në spitalin e këtij qyteti, më 8 shtator.

Katërmbëdhjetë persona humbën jetën në këtë incident.

Sipas raportit, zjarri shpërtheu nga një kabllo vazhduese, ku ishte vendosur defibrilatori - pajisje për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak.

“Mbinxehja e kabllos shkaktoi zjarrin në kutinë ku ishin të lidhur defibrilatori, karikuesi i telefonit celular dhe një pajisje tjetër”, thuhet në raportin e Prokurorisë.

Prokuroria tha se po vazhdon të hetojë edhe shkaktarët e tjerë të mundshëm dhe shtoi se pas mbledhjes së të gjitha provave verbale dhe materiale, pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre, do të merret vendimi për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.

Për shkak të zjarrit në spitalin e Tetovës, ku trajtoheshin pacientë me koronavirus, dorëheqje dhanë: ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, zëvendësministri Ilir Hasani, si dhe dy drejtorë të spitalit të Tetovës. Por, dorëheqjet e këtyre zyrtarëve nuk janë pranuar nga kryeministri Zoran Zaev.

Ai tha se tashmë dihet shkaktari i zjarrit, është defekt teknik dhe sipas tij këta zyrtar kanë kryer punën me profesionalizëm dhe bëri thirrje që të mos politizohet rasti.

Raporti i Prokurorisë, sipas opozitës maqedonase, është i sajuar nga partitë në pushtet, “për të fshehur fajësinë e drejtuesve të institucioneve përgjegjëse”.

“Është e qartë se Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes Prokurorisë në Tetovë, e kanë porositur këtë raport, që u përshtatet atyre për të fshehur përgjegjësinë mbi tragjedinë”, tha nënkryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Aleksandar Nikollovski.

Ai tha se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, është më përgjegjësi për të gjithë rastin, sepse, sipas Nikollovskit, “Filipçe është përgjegjës për ndërtimin e spitaleve modulare, që nuk përmbushin kushtet elementare për sigurinë e pacientëve”.

Në hetimin e tragjedisë në spitalin e Tetovës janë përfshirë edhe disa ekspertë gjermanë, të cilët po ashtu pritet të dalin me versionin e tyre mbi shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

XS
SM
MD
LG