Ndërlidhjet

Zyrtarë të lartë evropianë vizitojnë Kievin


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borrell.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borrell.

Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Josep Borrell, si dhe kryeministri sllovak, Eduard Heger kanë arritur kryeqytetit ukrainas, Kiev, ku do të takohen me presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky.

Kjo njëherësh është vizita e parë e liderëve të Perëndimit prej publikimit të imazheve për mizori në qytezën ukrainase, Buça.

Presidentja e KE-së fillimisht vizitoi Buçan ku pa nxjerrjen e 20 trupave nga një varrezë masive. Ajo ndezi një qiri për viktimat në një kishë të këtij qyteti që gjendet pranë Kievit.

"E gjithë bota po vajton për këtë që ndodhi këtu", tha ajo. Më pas ai shkroi në Twitter se për të ishte e rëndësishme që të niste vizitën në Buça, "sepse në Buça është shkatërruar humaniteti ynë".

Më vonë, von der Leyen, gjatë një konference me presidentin Zelenksy, tha se Rusia po përballet me situatë të rëndë për shkak të sanksioneve, ndërsa Ukraina "ka të ardhme në Evropë".

Ajo u zotua se BE-ja do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Kievit në bllok.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, udhëtuan drejt Kievit me tren nga qyteza polake, Przemysl, vetëm 13 kilometra nga kufiri ukrainas.

Hapësira ajrore mbi Ukrainë është e mbyllur për udhëtime ajrore, për shkak të luftës.

Zyrtarët evropianë thanë se ata kanë për synim që të ndihmojnë Ukrainën në rrugën e saj drejt afërimit me BE-në, duke krijuar "një ekip të reformave".

Në mesin e muajit mars, kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke kanë udhëtuar me tren në Kiev.

Javën e kaluar edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola e ka vizituar kryeqytetin ukrainas.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Perëndimi ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë, pas imazheve që tregojnë për ekzekutime të civilëve në rrugët e Buças.

Zyrtarët lokalë kanë thënë që më shumë se 300 njerëz janë vrarë nga forcat ruse në Buça dhe rreth 50 prej tyre janë ekzekutuar.

Moska hedh poshtë akuzat.

Si përgjigje ndaj këtyre mizorive të dyshuara ruse, von der Leyen ka propozuar pakon e pestë me sanksione për të shënjestruar Rusinë.

Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, kanë përkrahur këto sanksione më 7 prill.

XS
SM
MD
LG