BEOGRAD

Kryeministri serb ka shprehur besimin se Rusia dhe Kina do ta bllokojnë çdo përpjekje që Kosova ta fitoj pavarësinë. Vojisllav Koshtunica këto komente i ka bërë në numrin e sotëm të gazetës "Veçernje Novosti". Ai ka shtuar se "presidenti rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë po insistojnë në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do ta respektonte të drejtën ndërkombëtare. Qëndrimi i Rusisë është i qartë, dhe ai i Kinës nuk dallon shumë", ka thënë Koshtunica. Ai ka pranuar se i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin Martti Ahtisaari me gjasë ishte në favor të "një forme të pavarësisë së kushtëzuar, apo kufizuar". Por sipas tij, mbetet pikëpyetje se si do të zbatohet kjo zgjidhje.