PRISHTINË

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është takuar me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, ndërsa ka pasur një debat edhe me lexuesit në Prishtinë. Kadare ka shfaqur besim te Ekipi Negociues dhe te presidenti Sejdiu, lidhur me procesin e përcaktimit të statusit. "Sa herë që ndodhem këtu jam i gëzuar, sepse më gëzon ajo që më gëzon në Kosovë dhe këtë gëzim e ndjejnë Shqiptarët kudo që jetojnë. Kosova dhe i gjithë kombi shqiptarë këto ditë ndodhen përpara ngjarjeve tepër të rëndësishme që kërkojnë mençuri, gjakftohtësi, dhe largpamësi. Unë mendoj se Kosova i ka të gjitha këto dhe është e përgatitur për këtë hap të madh përpara, për këtë ngjarje të re dhe për këtë prag të ri që po kapërcen drejt jetës së saj të re insitucionale", tha Kadare.