BRUKSEL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush u takua me liderët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Ai ofroi mbështetjen amerikane për Aleancën dhe transformimet brenda saj. "I çmoj transformimet që po bëhen në NATO. Nëse mbetet e ngërthyer në të kaluarën, ajo dalëngadalë do të bie në harresë" tha Bush. Ndërkohë, në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Jean Claude Juncker dhe presidentin e Komisionit Evropian, Manuel Barroso, presidenti Bush foli edhe për raportet me Iranin dhe Rusinë. "Idea se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgaditen për të sulmuar Iranin, është, thjeshtë, qesharake. Duke thënë këtë, të gjitha opcionet janë në tryezë" tha Bush. Ndërsa, për çështjen e lirisë së shtypit në Rusi presidenti amerikan tha se i pëlqejnë vendet ku ka liri të shtypit. "Ka pasur disa lëvizje kur qeveria e Rusisë, më duket, për të shfrytëzuar më mirë fjalën, nuk ka licencuar disa anëtarë të shtypit" tha Bush. Gjatë takimeve të tij në Bruksel rreth 1.000 persona protestuan para selisë së Bashkimit Evropian.